Home / Lajme / Maqedoni / Takimi i dytë i liderëve për reformat gjyqësore

Takimi i dytë i liderëve për reformat gjyqësore

Liderët e partive politike edhe gjatë takimit të së martës nuk arritën të gjejnë marrëveshje rreth reformave gjyqësore, respektivisht miratimin e ligjit për Prokurorin Publike. Në këtë takim kanë marrë pjesë të gjithë liderët e partive parlamentare, përveç Bashkimit Demokratik për Integrim, e cila ka bojkotuar takimin e liderëve, ndërsa partia shqiptare në pushtet është përfaqësuar nga sekretari i përgjithshëm, Ruzhdi Matoshi. Pas takimit, të gjitha palët kanë dalë optimiste se në takimin e radhës, i cili do të mbahet të mërkurën do të arrijnë t’i tejkalojnë mosmarrëveshjet e tyre. Kryeministri Nikolla Gruevski pas takimit ka thënë se shumica parlamentare është e gatshme të pranojë tre nga kërkesat e opozitës, por nuk ka dashur të njëjtat t’i bëjë publike.

-”Në përgjithësi punët janë duke ecur mirë. Në rast se do të kishte pasur edhe pak gatishmëri nga opozita, edhe sot do të mund të përfundonim. Pasdite ekspertët në Ministrinë e Drejtësisë do t’i vazhdojnë punimet e tyre, ku janë të ftuar edhe ekspertët e opozitës. Duhet që sa më shpejt të arrijmë marrëveshje, pasi nuk ka nevojë të taktizohet me këtë. Kjo është interes i përbashkët”, ka thënë Gruevski. Ai nuk ka komentuar mosprezencën e partisë shqiptare në opozitë, e cila nuk ka marrë pjesë në takimin e të martës. Sekretari i përgjithshëm i PDSH-së, Ruzhdi Matoshi ka thënë se është i kënaqur me propozimin dhe se ai është në harmoni me ato të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Sipas tij, propozimligji për Prokurorinë Publike garanton përfaqësim të drejtë të shqiptarëve në këtë institucion.
”Me këtë ligj, në mënyrë të thuktë parashihet që përfaqësimi i drejtë dhe adekuat do të jetë i domosdoshëm, ndërsa sekretariati për përfaqësim të drejtë i cili është duke u formuar në Qeveri, do të mundohet që sa më shpejtë të bëjë përfaqësimin e shqiptarëve në prokurori”, ka thënë Matoshi, duke shtuar se mosprezenca e BDI-së është një akt destruktiv, të cilin mund ta paguajnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë.
”Destruktiviteti i tyre në këto momente e zhyt BDI-në në një diletantizëm të thellë të veprimit politik të mëtutjeshëm. Ata me këtë akt kanë bërë gabim shumë të madh”, u shpreh Matoshi. Kryetarja e opozitës maqedonase, Radmilla Sheqerinska ka thënë se në këtë takim palët kanë qenë shumë afër arritjes së marrëveshjes në rast se shumica parlamentare do të kishte guxim më të madh.
”Me të vërtetë patëm shanse shumë të mira që në këtë takim të zgjedhim çështjen e zgjedhjes dhe shkarkimit të Prokurorit, por shumica parlamentare nuk kishte guxim të mjaftueshëm që ta pranon këtë propozim. Ne edhe më tej kërkojmë që Prokurori Publik të zgjidhet me dy të tretën e votave të deputetëve, ndërsa në rast se qeveria dëshiron ta shkarkojë, ai të shkarkohet vetëm atëherë kur Këshilli i Prokurorëve jep mendim pozitiv për shkarkimin e tij”, ka thënë Sheqerinska. Takimi i liderëve do të vazhdojë të mërkurën ndërsa më pas, kryetarët e partive politike do t’i vazhdojnë bisedimet për Këshillin Gjyqësor.

Gjithashtu lexo

Akomodim falas në Shkup për ndeshjen e Super Kupës Evropiane (FOTO)

Super Kupa Evropiane që do të luhet më 8 gusht në Shkup ndërmjet Real-Madrid dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *