Home / Lajme / Maqedoni / Zyrtarizohet pjesëmarrja e PPD-së në qeveri

Zyrtarizohet pjesëmarrja e PPD-së në qeveri

Shumica parlamentare me shumicë votash ka emëruar Abdurraman Memetin për ministër të ri të Pushtetit Lokal, opozita shqiptare dhe ajo maqedonase, BDI dhe LSDM kanë votuar kundër. Në këtë mbledhje nuk munguan akuzat e ndërsjella opozitë-pushtet

Zyrtarizohet pjesëmarrja e Partisë për Prosperitet Demokratik në qeverinë e Nikolla Gruevskit. Abdurrahman Mehmeti të hënën me shumicë votash është emëruar ministër i ri i Pushtetit Lokal. Me këtë rast, kryeministri Nikolla Gruevski në elaborimin e tij tha se kandidati i propozuar nga PPD është profesionist dhe se shpreson se ai me sukses do ta ushtrojë postin e ministrit të Pushtetit Lokal. Gruevski ka falënderuar tanimë ish-ministrin Zoran Konjanovski, të cilin e ka konsideruar si një ministër mjaft të suksesshëm. ”Pas konsultimeve me partnerët e koalicionit qeveritar, vendosëm që PPD të jetë pjesë e këtij koalicioni. Mendoj se PPD si parti më e vjetër politike shqiptare në Maqedoni do ta japë kontributin e vet për të ardhmen e përbashkët të Maqedonisë”, ka thënë Gruevski. Megjithatë, debati parlamentar me rastin e zgjedhjes së Memetit për anëtar të kabinetit qeveritar nuk ka kaluar pa akuza mes opozitës dhe pozitës. Kundër zgjedhjes së Memetit kanë qenë deputetët e opozitës, si shqiptare, ashtu edhe ato maqedonase. Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Rafiz Haliti ka kundërshtuar kyçjen e PPD-së në Qeveri, ndërsa vendimin e kreut të kësaj partie, Abdylhadi Vejseli që për ministër të propozojë baxhanakun e tij e ka llogaritur si një nepotizëm të paparë. ”Ne edhe më tej nuk pranojmë legjitimitetin e kësaj qeverie, pasi ajo ka shkelur mbi vullnetin e popullit shqiptar. Prandaj edhe ministri i ri i Pushtetit Lokal për ne do të jetë i papranueshëm. Vlerësojmë se vendi i PPD-së duhet të jetë së bashku me BDI-së, pasi shqiptarët votuan koalicionin BDI-PPD, ndërsa propozimi i Abdylhadi Vejselit që të propozojë baxhanakun e vet për ministër është një nepotizëm i paparë”, ka thënë Haliti. Nënkryetarit të BDI-së i ka replikuar lideri i PPD-së, Vejseli duke i sugjeruar të parit që të shohë mirë në partinë e tij se sa ka nepotizëm që nga përbërja e Kryesisë, e deri te pushteti qendror. Zgjedhja e Memetit pason pas marrëveshjes së arritur për inkuadrimin e PPD-së në koalicionin qeveritar dhe dorëheqjes së ministrit të deritanishëm të Vetëqeverisjes Lokale, Zoran Konjanovski. Abdyrraman Memeti është i lindur në fshatin tetovar Rakovec. Ka kryer Fakultetin Natyror -Matematikor, ndërsa punon si profesor në shkollën “Nikolla Shtejn” në Tetovë. PPD, në pajtueshmëri me marrëveshjen e koalicionit, u obligua të punojë në përmbushjen e programit të Qeverisë dhe prioritetet e saj kyçe, e ato janë ekonomia dhe zhvillimi ekonomik, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja dhe zbatimi intensiv i Marrëveshjes kornizë të Ohrit.
Ky është ndërrimi i dytë në Kabinetin qeveritar, pas dorëheqjes në muajin prill, të ministrit të Kulturës, Ilirian Beqiri nga PDSH, në vend të të cilit erdhi bashkëpartiaku i tij, Arifikmet Xhemaili.

Gjithashtu lexo

Paraqiten si zyrtarë policor, rrahin dhe plaçkisin të riun nga Shkupi

Mbrëmë rreth orës 21:30 në rrugën “Përzhino” në Shkup, tre persona të panjohur e kanë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *