Home / Lajme / Maqedoni / Liderët merren vesh për këshillin gjyqësor, gjuha dhe ligjet për luftarët e UCK-së në takimin e radhës temë e diskutimeve

Liderët merren vesh për këshillin gjyqësor, gjuha dhe ligjet për luftarët e UCK-së në takimin e radhës temë e diskutimeve

Shkup, 13 dhjetor – Liderët e partive kryesore te enjten në takimin e organizuar nga kryeministri Nikolla Gruevski arritën marrëveshje për kompletimin e Këshillit Gjyqësor dhe përshpejtimi i procesit të miratimit të ligjeve që janë në agjendën e BE-së dhe NATO-s, por ligjet për veteranët e luftës së UÇK-së dhe për zyrtarizimin e gjuhës shqipe janë lënë për t`u shqyrtuar të premten e ardhshme.Në takimin e sotëm kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, nënkryetari i PDSH-së, Imer Selmani, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetarja e LSDM-së Radmilla Sheqerinska kanë arritur të dakordohen për çështjen e kompletimit të Këshillit Gjyqësor Republikan, me ç`rast është mbështetur kandidatura e presidentit për të emëruar anëtarë të këtij këshilli, juristin Naser Haxhiahmetagiç. Gjithashtu, kryesuesit e katër partive janë marrë vesh për përshpejtimin e punës së Parlamentit për miratimin e ligjeve që janë në agjendën e BE-së dhe NATO-s.

Në kuadër të takimit janë diskutuar edhe ligji për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës të UÇK-së dhe ligji për gjuhën shqipe, me ç`rast debati mbi këto dy çështje është shtyer për të premten e ardhshme. Pas takimit, përfaqësuesit e katër partive kryesore në vend kanë shprehur dallimet e tyre rreth këtyre dy çështjeve.Nënkryetari i PDSH-së, Imer Selmani theksoi se në këtë takim doli në shesh marrëveshja siç tha ai e “bajatshme” e arritur midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së për përkujdesjen për të pësuarit gjatë konfliktit të vitit 2001 dhe për ligjin për zyrtarizimin e gjuhës shqipe. Ai theksoi se PDSH do të hartojë ligj të posaçëm për përkujdesje institucionale për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës të UÇK-së dhe jo siç tha ai “paketë sociale që është një propozim i BDI-së”. Përfaqësuesi i BDI-së, Xhevat Ademi theksoi pas takimit se grupet punuese mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së do të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje për këto dy ligje që janë pjesë e Marrëveshjes së Majit. Por nga ana tjetër, ai u përgënjeshtrua nga ana e kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili pohoi se nuk ekzistojnë grupe punuese për këto çështje. BDI ka arritur që të caktojë një anëtarë të saj në komisionin parlamentar të arsimit dhe shkencës, pasi që anëtari tjetër deputeti Fadil Sulejmani tashmë nuk përfaqëson partinë e tyre në këtë komision.Lidhja Social Demokrate bëri të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin e radhës ku do të hapen për debat dy ligjet e Marrëveshjes së Majit të arritur midis Ali Ahmetit dhe Nikolla Gruevskit. Sipas kësaj partie, kjo marrëveshje është arritur midis dy partive dhe nuk është e nevojshme prania e tyre në takimet e radhës.

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti apel Maqedonisë: Përforconi luftën kundër terrorizmit

“Për shkak të trysnisë ushtarake të të ashtuquajturit Shteti Islam, në vitin 2016 Evropa ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *