Home / Lajme / Maqedoni / Sezon i begatshëm për qendrën turistike

Sezon i begatshëm për qendrën turistike

[b]Një ekip i televizionit Koha gjatë ditës së shtunë qëndroi në këtë qendër, ku reëalizoi në mini reportazh, për këtë qendër që ofron kushte ideale për sport dhe rekreim.[/b].
Tetovë, 13 janar – Kodra e Diellit, e njohur si kurora e Malit Sharr, është në një lartësi mbidetare prej 1 mijë 780 metrash. Ajo pa dyshim është vend mjaft i njohur turistik-rekreativ në Maqedoni, qoftë në periudhën e dimrit apo dhe të verës. Për ta shijuar bukurinë e rrallë të natyrës, që s’ka fjalë se mund ta gjeni këtu, në të mund të ngjiteni përmes rrugës së asfaltuar. Qendra rekreativo-sportive Kodra e Diellit tash për tash është duke përjetuar ringjalljen në kuptimin e plotë të fjalës. Është më se e sigurt se nuk do të pësojë fatin e vitit të kaluar, atëherë kur dështoi sezoni dimëror, si pasojë e mungesës së borës. Këtë vit, edhe natyra u ka dalë në ndihmë menaxhuesve të kësaj qendre, ku trashësia e borës ka arritur nivelin e nevojshëm për të zhvilluar aktivitete sportive dhe rekreimi. Fluksi i vizitorëve është tejet i madh. Mysafirët janë nga vendi, Kosova dhe Shqipëria. Këtë e konfirmon edhe drejtori i qendrës së Kodrës së Diellit, Alajdin Asani. Kapacitete hotelerike janë pothuajse të stërmbushura. Infrastruktura është deri diku e rregulluar, ndërsa numri më i madh i ski-lifteve janë në gjendje funksionale.

Joshëse për gjithë Ballkanin
Drejtori i kësaj qendre Alajdin Asani, shprehet i kënaqur me numrin e vizitorëve..
“Fluksi i njerëzve dhe turistëve është shumë i madh, përgatitjet tona kanë filluar qysh para tre muajsh, sikurse në parapërgatitjen e terreneve, veçanërisht të ski-lifteve, për të cilat kemi ndërmarrë hapa në drejtim të përmirësimit. Gjithashtu kemi marrë hapa edhe rreth ndryshimit të kushteve brenda nëpër hotele si, riparime të sallave të dhomave”, thotë Asani. Ai sqaron më tej se ndryshime janë bërë edhe në sistemin e punës, me qëllim që sa më të përgatitur t’i presë sezoni i ri dimëror. .
“Nga fundi i muajit dhjetor, respektivisht për festat e Vitit të Ri dhe të Krishtlindjeve fluksi i turistëve ka qenë me të vërtetë i madh, veçanërisht i atyre nga Shqipëria dhe Kosova”, deklaron Asani. Sipas tij, turistë vijnë edhe nga i gjithë Ballkani. Ata i parapëlqejnë shtigjet e Kodrës së Diellit për skijim. Ajo jep një kënaqësi fantastike për skiatorët dhe turistët, ndërsa përveç terreneve të bukura edhe shtigjet janë të përgatitura shumë mirë”, thotë ai..
Problemet me energjinë janë tejkaluar
Kohë më parë ESM shkyçi energjinë elektrike për Kodrën e Diellit. Kjo gjendje zgjati rreth një javë. Drejtori i Qendrës, Asani thotë se ELEM-i dhe Qeveria e Maqedonisë, ishin ata që ndihmuan me financa për tejkalimin e këtij problemi dhe për rifillimin e punës. “Rryma elektrike ishte një ndër problemet më kryesore vendosëse nëse do të fillonim këtë sezon, edhe pse skijimin e kishim filluar që nga përfundimi i muajit nëntor. Pas dy-tri javësh patëm një shkyçje nga rrjeti elektrik i ESM-së. Më pas morën nisma për konsolidimin dhe pagesën e borxhit”, thotë Asani. Ai më tej shton se Kodra e Diellit gjatë gjithë periudhës, diku prej viteve të nëntëdhjeta ka qenë pjesë e Elektrodistribucionit të Maqedonisë, mirëpo me ndarjen e ESM-së në tri kompani, pjesa e privatizuar kishte kërkuar mjetet e mbetura borxh që nga viti 2005 e këndej..
“Kërkohej pagesa e menjëhershme dhe ne në mungesë të aq mjeteve financiare iu drejtuam Qeverisë dhe ELEM-it, që na dolën në ndihmë dhe na siguruan mjete me të cilët sot funksionon e gjithë Kodra e Diellit, sqaron drejtori, për të shtuar se me rrymën tanimë punët janë të pastra dhe se është paguar i gjithë borxhi..
Optimizëm
Kreu i Qendrës – Kodra e Diellit është optimist se ky sezon do të jetë mjaft i begatshëm. “Gjatë periudhave para dhe pas Vitit të Ri gati se kemi barazuar të hyrat me sezonin e kaluar. Ky sezon do të jetë shumë më i mirë”, thotë Alajdin Asani. Ai sqaron se fajtor për dështimin e vitit të kaluar ishte mungesa e borës në valën e turizmit. “Sivjet natyrën e kemi në anën tonë. Borë kemi dhe pak a shumë jemi konsoliduar në aspektin teknik dhe besoj se ky do të jetë ndër vitet më të suksesshme gjatë menaxhimit të Kodrës së Diellit, është decid Asani..
Bashkëpunimi me shkollat dhe universitetet
Në këtë qendër shpeshherë vizitorë janë edhe nxënësit e shkollave fillore, të mesme dhe të universiteteve. Lidhur me këtë drejtori Asani, thotë se ka një bashkëpunim të mirëfilltë. “Me institucionet shtetërore siç janë Federata e skijimit, universitet, shkollat e mesme, fillore, kolegjet, kemi një bashkëpunim të mirë dhe ne u dalim në mbështetje nxënësve dhe rinisë për të dalë në terrenet e skijimit, për të gjithë ata kemi çmime të leverdishme”, sqaron ai. Para sezonit, sipas drejtorit, ka pasur edhe studentë nga Prishtina, të shkollave të mesme të rrethinës së Tetovës, atyre fillore, nga Struga dhe nga Shqipëria. .
“Ne kemi kushte për t’i plotësuar kërkesat e të gjitha fakulteteve të edukatës fizike, që dëshirojnë procesin e kursit të skijimit ta realizojnë në Kodrën e Diellit, qoftë nga Prishtina, Tirana apo Tetova. Pikëpyetje është vetëm se nëse do të mund t’ia dalim me numrin e shtretërve, pasi bëhet fjalë për numër të madh të grupeve”, thekson Asani. Ndryshe çmimet hotelerike sipas drejtorit Alajdin Asani, janë më të lira se në të gjitha qendrat tjera në Ballkan. Çmimi i biletës ditore për skijim në Kodrën e Diellit është 10 euro, gjysmë ditore është 8 euro ndërsa vjetorja është 120 euro. Nga ana tjetër një pansion i plotë në hotel kushton nga 20 e deri në 40 euro. .
Ndryshe, në Qendrën e rekreimit Kodra e Diellit gjatë fundjavës nuk munguan edhe shumë personalitete nga jeta politike, kulturore e kështu me radhë, qoftë nga vendi, por edhe nga Kosova dhe Shqipëria.
.
.

Urim HASIPI

Gjithashtu lexo

Paraqiten si zyrtarë policor, rrahin dhe plaçkisin të riun nga Shkupi

Mbrëmë rreth orës 21:30 në rrugën “Përzhino” në Shkup, tre persona të panjohur e kanë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *