Home / Lajme / Maqedoni / Filloi rivotimi i pjesërishëm në 187 qendra votimi

Filloi rivotimi i pjesërishëm në 187 qendra votimi

15 qershor – Në Maqedoni sot në ora 7 filloi rivotimi i pjesërishëm në 187 qendra votimi ku në ditën e zgjedhjeve më 1 qershor u regjistruan parregullësi dhe incidente.
Të drejtën e votës në këtë proces të përsëritjes së votimeve e kanë mbi 161.874 qytetarë, të cilët do të përcaktojnë mandatet përfundimtare për deputet në Parlamentin e Maqedonisë.
Rivotimi zhvillohet kryesisht në zonat një, dy dhe gjashtë, ku mbi 90 për qind e elektoratit janë të komunitetit shqiptar, pasi më 1 qershor ndodhën incidente dhe dhunë, që pasuan me një person të vrarë, disa të plagosur dhe parregullësi në procesin e votimit.
Në zonën 6 zgjedhore do të rivotohet në 119 qendra votimi me gjithsej 100.789 votues, në zonën 2 do të rivotohet në 40 qendra votimi me gjithsej 34.983 votues ndërsa në zonën 1 do të rivotohet në 26 qendra votimi me gjithsej 26.102 votues. Këto shifra do të ndikojnë në numrin e përgjithshëm të deputetëve dhe radhitjen e forcave politike shqiptare në Parlamentin e ri të Maqedonisë.
Përsëritja e zgjedhjeve do të vëzhgohet nga 106 vëzhgues ndërkombëtare të ODIHR-it dhe ambasadës amerikane dhe 81 përkthyes. Asociacioni Qytetar “MOST” do të jetë e pranishme në qendrat e votimit me 310 vëzhgues të saj.
Bashkësia ndërkombëtare bëri thirrje që këto rivotime të zhvillohen në një atmosferë të qetë dhe demokratike, ndërsa institucionet e shtetit të sigurojnë kushte për votim, duke përjashtuar dhunën dhe incidentet.

Kryeministri Nikolla Gruevski deklaroi se institucionet do të reagojnë rreptësisht ndaj të gjithë atyre që tentojnë të përsërisin dhunën dhe parregullësit e 1 qershorit. Liderët e partive shqiptare, Menduh Thaçi i PDSH-së dhe Ali Ahmeti i BDI-së janë zotuar për shmangien e dhunës dhe incidenteve dhe organizimin e një rivotimi të lirë dhe demokratike.
Partia VMRO-DPMNE e kryeministrit Gruevski në zgjedhjet e 1 qershorit fitoi mbi 63 mandate deputetësh dhe tashmë është ajo e cila sërish do të formojë qeverinë e re, pas mbylljes së rivotimeve të sotme.

Gjithashtu lexo

Grujoski dhe Boshkovski do të parabugosen, Jakimovski do të mbetet pa pasaportat e tij

Portali SDK bën të ditur se të akuzuarit e PSP-së në lëndët ”Fortesa” dhe ”Shënjestra”, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *