Home / Lajme / Maqedoni / Gruevski synon dy partitë shqiptare në qeveri

Gruevski synon dy partitë shqiptare në qeveri

24 qershor – Mandatari i Qeverisë së ardhshme të Maqedonisë, Nikolla Gruevski synon një koalicion të zgjeruar duke pëfshirë edhe dy partitë më të mëdha shqiptare në vend.
Nevoja për një koalicion të zgjeruar duket të jetë e domosdoshme në kohën kur Maqedonia ballafaqohet me probleme të jashtme dhe të brendshme të cilat mund të rrezikojnë perspektivën evropiane.
Liderët e PDSH dhe BDI-së, Menduh Thaçi dhe Ali Ahmeti të hënën pas takimit me mandatarin për formimin e qeverisë deklaruan se për disa çështje sic janë proceset evrointegruese janë pajtuar, mirëpo në ditët e ardhshme do të vazhdojnë bisedat drejt marrëveshjes përfundimtare.
“Zyrtarisht filluam bisedimet për formimin e Qeverisë së re. Mes nesh ka çështje për të cilat jemi pajtuar si integrimi në NATO dhe BE si dhe çështja e emrit, ndërsa për disa çështje nuk jemi dakorduar, por bisedimet vazhdojnë nëpërmjet komisioneve partiake të VMRO-DPMNE dhe PDSH”, theksoi Menduh Thaçi, duke shtuar se është herët për të dhënë vlerësim se a do të ngelet në Qeveri ose jo partia e tij .
Lidhur me mundësinë për të qenë pjesë e koalicionit edhe me BDI-në, kryetari i PDSH-së deklaroi se nuk vendos partia e tij por mandatari. “Nëse na ofrohet kjo ofertë atëherë do t a diskutojmë brenda organeve të partisë”, theksoi Thaçi.
Ndërkaq lideri i BDI-së, Ali Ahmeti bëri të ditur se takimi midis kryetarit Ali Ahmeti dhe mandatarit Nikolla Gruevski ishte konstruktiv dhe se do të vazhdojnë bisedimet për formimin e qeverisë së re.

“Takimi kaloi në një atmosferë konstruktive, ku u bisedua për çështje shumë të rëndësishme për vendin dhe qytetarët. U diskutuan temat kyçe për rrjedhat politike dhe ekonomike në vend e rajon si dhe proceset integruese që e presin Republikën e Maqedonisë. Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan për dinamikë të përshpejtuar të bisedimeve dhe temat që do të diskutohen në takimet e ardhshme për ndërtimin e qeverisë për mandatin e ardhshëm katërvjeçar”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Përkundër dallimeve mes partive shqiptare pritet që kësaj radhe të ulen së bashku në një qeveri për të trajtuar dhe zgjidhur problemet e shqiptarëve në Maqedoni.

Gjithashtu lexo

Maqedoni, asnjë prioritet për librat që ofendojnë shqiptarët

Sensibilizimi i çështjes që ka të bëjë me përmbajtjet fyese dhe të pavërtetave historike nëpër …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *