Home / Lajme / Maqedoni / PDSH kërkon dorëheqjen e Ali Ahmetit

PDSH kërkon dorëheqjen e Ali Ahmetit

4 qershor – Sekretari i përgjithshëm i PDSH-së, Imer Aliu kërkoi dorëqjen e Ali Ahmetit i cili sipas tij është fajtor kryesor për vrasjen e Naser Ajvazit në ditën e zgjedhjeve më 1 qershor.
Aliu tha se subjekti politik i udhëhequr nga Ali Ahmeti në fushatë paralajmëroi dhunë dhe përçarje mes shqiptarëve në Maqedoni.
“Fatkeqësisht tabori tjetër i udhëhequr nga Ali Ahmeti, atë që paralajmëroi në fushatë, dhunën dhe përçarjen e shqiptarëve e realizoi më 1 qershor, prandaj ne publikisht kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Ahmeti për disa arsye”, tha Aliu
Ai tha se nën direktivat e Ahmeti humbi jetën një djalë i ri nga Haraçina dhe disa tjerë u plagosën.
“Përgjegjës për vrasjen e këtij djali dhe plagosjen e të tjerëve është drejtpërdrejtë vetë Ali Ahmeti. Pyesim Ahmetin a ia vlen që të vritet dikush me qëllim që tjetri të bëhet deputet me anë të mbushjes së kutive ? Në Komunat Zajaz, Osllomej dhe të tjera vazhdoi kënga e vjetër e mbushjes së kutive, me çka prishi imazhin e shqiptarëve para faktorit të brendshëm dhe të jashtëm”, tha ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë Imer Aliu.
Lidhur me protestën e nësërme të paralajmëruar nga BDI ai theksoi se është vazhdimësi e politikës së këtij subjekti për të tensionuar më shumë situatën në vend.

“Me paralajmërimin për protestën e nesërme për mospranimin e rezultateve, Ahmeti vazhdon të tensionojë edhe më shumë situatën, edhe ai vetë e di se me këtë nuk mund ta evitojë humbjen që e pësoi në këto zgjedhje.Mungesa e forcës morale dhe e përgjegjësisë politike e Ahmeti për ta pranuar humbjen.Paralajmërimi i tij në një media se nëse i humb zgjedhjet do të tërhiqet, e përkujtojmë Ali Ahmetin se partia e tij është humbëse në këto zgjedhje ku PDSH-ja është mbi 30.000 vota para partisë së tij. 20 vendvotimet e njësisë zgjedhore nr. 6, në të cilat përkrahësit e Ahmetit i thyen kutitë, janë bastione të PDSH –së dhe se me 15.000 vota që do të fitohen në ripërsëritjen e këtyre zgjedhjeve nga ana e PDSH -së përfundimisht vuloset humbja katastrofale e Ahmetit në këto zgjedhje”, tha Aliu.
Ai edhe njëher theksoi se PDSH-ja në mënyrë spektakulare fitoi këto zgjedhje dhe do të vazhdojë në tërësi t’i mbajë premtimet e dhëna gjatë fushatës parazgjedhore.

Gjithashtu lexo

Akomodim falas në Shkup për ndeshjen e Super Kupës Evropiane (FOTO)

Super Kupa Evropiane që do të luhet më 8 gusht në Shkup ndërmjet Real-Madrid dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *