Home / Lajme / Rajon / Arrestohet Radovan Karaxhiç

Arrestohet Radovan Karaxhiç

22 korrik – Një nga personat më të kërkuar në botë, ish- udhëheqësi serb i Bosnjes Radovan Karaxhiq, është arrestuar pas gati 13 vitesh në arrati.
Arrestimi i tij u konfirmua nga presidenti serb Boris Tadiq, i cili tha se zoti Karaxhiq u arrestua nga forcat serbe të sigurisë.
Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi ka kërkuar arrestimin e tij që në vitin 1995 së bashku me ish-komandantin e tij ushtarak Ratko Mladiq, i cili është ende në arrati.
Në njoftim nga kabineti i presidentit të Serbisë thuhet se pas arrestimit zoti Karaxhiq është nxjerrë përpara gjyqëtarit hetues për krime të luftës në Gjykatën e Qarkut në Beograd në harmoni me ligjin mbi bashkëpunimin me gjykatën e Hagës.
Nuk jepen hollësi se ku është arrestuar Karaxhiq dhe a ka bërë rezistencë gjatë arrestimit.
Kryeprokurori i gjykatës së Hagës Serge Brammertz e mirëpriti arrrestimin dhe tha se zoti Karaxhiq do të transferohej në Hagë në kohën e duhur.
Një javë më parë paqeruajtësit e Bashkimit Evropian bastisën shtëpinë e gruas së zotit Karaxhiq në Bosnje. Atëhere, ata thanë se operacioni ishte bërë për të parë se çfarë lidhjesh kishte familja me të.
Karaxhiq akuzohet nga Gjykata e Hagës me 15 raste gjenocidi, krime lufte e krime kundër njerëzimit, si dhe krime të tjera të kryera në vitet 1992-96.
Kundër tij u ngrit akt-padi për herë të parë në vitin 1995 së bashku me komandantin e tij Mladiq për vrasjen e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës.
Katër muaj më vonë kundër tij u ngrit akt-padi për gjenocid për organizimin e vrasjeve të rreth tetë mijë burrave dhe të rinjve myslimanë në Srebrenicë.
Akt-padia thotë se Karaxhiq planifikoi sulme ndaj civilëve, arrestimin e grave, fëmijëve e pleqve për shkak të identitetit të tyre kombëtar e fetar, dhe shkatërrimin e vendeve të shenjta në Bosnje.

Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Olli Rehn, e ka mirëpritur arrestimin e tij si një hap të rëndësishëm nga Serbia në rrugën drejt anëtarësisë në BE.
Sekretari i Jashtëm britanik, David Miliband, thotë se arrestimi do të hapë rrugën për një të ardhme më të ndritur evropiane për Serbinë.
Arrestimi i zotit Karaxhiq ka qenë një nga kushtet kryesore për futjen e Serbisë në BE.
Ai vjen në prag të një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së që pritet të diskutojë për marrëdhënie më të ngushta me Serbinë pas formimit të një qeverie pro-perëndimore nën presidentin Tadiq.
Ndërkohë, ish-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Richard Holbrooke, i cili negocioi marrëveshjen e paqes që në fakt i dha fund luftës në Bosnje, e përshkoi zotin Karaxhiq si një arkitekt të vërtetë të vrasjeve masive.

Gjithashtu lexo

Ilir Meta Presidenti i 7-të i Shqipërisë së periudhës pas komuniste

Ilir Meta do të jetë presidenti i shtatë i Shqipërisë së periudhës pas komuniste. Pas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *