Home / Lajme / Maqedoni / Çka parasheh ligji i ri për përdorimin e gjuhës shqipe

Çka parasheh ligji i ri për përdorimin e gjuhës shqipe

25 korrik – Parlamenti i Maqedonisë miratoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve i cili paraqet bazë juridike për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë.
Miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve u arrit si rezultat i marrëveshjes për bashkëqeverisje të arritur mes Bashkimit Demokratik për Integrim dhe VMRO-DPMNE-së.
Ligji për përdorimin e gjuhëve parasheh përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Parlamentin e Maqedonisë, në organet e administratës shtetërore dhe në pushtetin gjyqësor.
Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron se miratimi i këtij Ligji demonstron vullnetin dhe përkushtimin e shumicës parlamentare për të implementuar Marrëveshjen e Ohrit dhe për të zgjidhur çështjet e hapura me interes kombëtar dhe shtetëror.
“Respektimi pa kushte i identiteteve nacionale dhe gjuhësore është bazamenti më i fortë i një projekti që duhet të ngadhënjejë mbi animozitetet dhe jotolerancat etnike. Mbi këtë bazë ne kemi ndërtuar politikën gjuhësore në Maqedoninë multietnike”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Ligji i miratuar garanton të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe edhe në korrespondencën me shkrim ndërmjet organeve shtetërore në nivel qendror dhe lokal. Në bazë të këtij ligji, të gjitha materialet zyrtare të Parlamentit do të ofrohen edhe në gjuhën shqipe dhe alfabetin e saj.
“Miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve është rezultat i konceptit politik të Bashkimit Demokratik për Integrim për një politikë gjuhësore e cila garanton përdorimin dhe avancimin edhe të gjuhës shqipe, përveç maqedonishtes, në të gjitha institucionet e sistemit”, thuhet në komunikatë.

Sipas VMRO-DPMNE miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhës që e flasin më së paku 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë dhe në njësitë e vetëadministrimit lokal është në përputhje me përcaktimet e Kushtetutës, Marrëveshjes së Ohrit dhe principet e VMRO-DPMNE-së.
Siç thuhet në tekstin e ligjit, gjuha shqipe nuk është gjuhë e dytë zyrtare në tërë territorin e Maqedonisë, por ajo gjenë përdorim të gjërë në institucionet qendrore dhe lokale. Me ligjin e ri është ndryshuar edhe Rregullorja e re e Parlamentit, me ç`rast kryetarët e komisioneve parlamentare nga radhët e shqiptarëve do të kenë të drejtën të udhëheqin seancat e komisioneve në gjuhën e tyre amtare.
Deputetët shqiptarë të gjitha ligjet dhe materialet e tjera përveç se në gjuhën maqedonase kanë të drejtë t`i pranojnë edhe në gjuhën shqipe. Në njësinë e vetëadministrimit lokal, shqiptarët nga njësitë rajonale të ministrive mund të marrin përgjigje në gjuhën e tyre amtare, krahas gjuhës maqedonase.
Me ligjin e ri nuk është pranuar që komandat në kuadër të policisë dhe mbrojtjes të jepen edhe në gjuhën shqipe. Ministrat në prezantimet e tyre zyrtare nuk mund të përdorin gjuhën shqipe, por ata janë të obliguar të flasin në gjuhën maqedonase.
Nuk është pranuar kërkesa që mbledhjet e Parlamentit të udhëhiqen edhe në gjuhën shqipe, në rast se ato do të drejtohen nga kryetar apo nënkryetar nga radhët e shqiptarëve.
Parlamenti sot pasdite me shumicë votash miratoi ligjin për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.
Për ligjin për përdorimin e gjuhës që e flasin më së paku 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë dhe në njësitë e vetëadministrimit lokal kanë votuar 75 deputetë të maxhorancës dhe asnjë votë kundër.
Në pako deputetët aprovuan edhe ndryshimet e ligjit për ndarjen territoriale, me të cilin bashkimi i komunës së Kërçovës shtyhet për katër vite. Në ligjin aktual parashihej që në fillim të vitit të ardhshëm komuna e Zajazit dhe Osllomesë t’i bashkohen qendrës urbane.

Gjithashtu lexo

Akomodim falas në Shkup për ndeshjen e Super Kupës Evropiane (FOTO)

Super Kupa Evropiane që do të luhet më 8 gusht në Shkup ndërmjet Real-Madrid dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *