Home / Lajme / Rajon / Intensifikohen luftimet në Osetinë Jugore

Intensifikohen luftimet në Osetinë Jugore

9 gusht – Rusia po dërgon trupa shtesë në rajonin e shkëputur gjeorgjian të Osetisë Jugore. Vendimi pason një natë tjetër luftimesh mes forcave ruse dhe atyre gjeorgjiane.
Presidenti, Dimitri Medvedev, tha se trupat ekzistuese ruse në rajon po kryenin operacione paqequajtëse, duke mbrojtur civilët.
Më herët, zyrtarët gjeorgjianë thanë se aeroplanët luftarakë rusë kishin bombarduar qytetin Poti në Detin e Zi. Një pjesë e luftimeve janë zhvilluar përreth kryeqytetit të Osetisë Jugore, Tskhinvali që, sipas autoriteteve gjeorgjiane, kontrollohet nga trupat e tyre.
Të premten, Rusia dërgoi qindra trupa të mbështetura me tanke dhe artileri në Osetinë Jugore pas nisjes së një ofensive të papritur të Gjeorgjisë kundër separatistëve.
Presidenti i Gjeorgjisë, Saakashvili thotë se tridhjetë gjeorgjianë janë vrarë gjatë luftimeve dyditore, ndërsa Moska thotë se numri i viktimave është pesëmbëdhjetë. Autoritetet gjeorgjiane njoftojnë për evakuimin e disa ndërtesave qeveritare në kryeqytetin e vendit, Tbilisi.

Reagime ndërkombëtare.
Përshkallëzimi i krizës mes Rusisë e Gjeorgjisë ka shkaktuar një mori reagimesh diplomatike anekënd botës.
Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, i kanë kërkuar Rusisë të respektojë integritetin territorial të Gjeorgjisë dhe të tërheqë trupat tokësore nga territori gjeorgjian.
Emisarë nga SHBA-të, BE-ja dhe OSBE-ja pritet të ndërmjetësojnë për një armëpushim.
Ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kouchner, vendi i të cilit ka presidencën e radhës të BE-së, tha se gjendja ishte e rëndë dhe se kërkoheshin masa të shpejta.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së u mblodh përsëri në një séancë emergjente për të diskutuar krizën, por nuk mori asnjë vendim.
/bbc/

Gjithashtu lexo

Vulin: Izraeli nuk do ta njohë Kosovën

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Aleksander Vulin ka thënë se gjatë vizitës së tij në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *