Home / Lajme / Rajon / Shkodër, vritet në makinë biznesmeni

Shkodër, vritet në makinë biznesmeni

Vrasja, pas një sherri në pije e sipër. Vrasësi dhe viktima ishin shokë me njërit-tjetrin

Vrasjet në Shkodër nuk ndalen as në ditë festash fetare. Një 45-vjeçar është qëlluar për vdekje me plumb në kokë brenda në makinën e tij luksoze, pasditen e djeshme rreth orës 17:00. Krimi i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Shkodër -Barbullush. Viktima quhet Arben Bideni, lindur në fshatin Barbullush dhe banues në qytetin e Shkodrës. 45-vjeçari Bideni ushtronte një aktivitet privat në fushën e ndërtimit dhe aktualisht ishte duke ndërtuar një pallat te sheshi “Isa Boletini” në qytetin e Shkodrës.

Sipas burimeve nga policia, në lidhje me ngjarjen mësohet se autori i vrasjes dyshohet të jetë një person nga fshati Barbullush, Afrim Rraboshta, i cili është shpallur në kërkim. Sipas versionit të nxjerrë nga policia, e cila u referohet dëshmive të disa personave të marrë në pyetje dje, viktima dhe autori i vrasjes kanë qenë duke pirë së bashku në një lokal në fshatin Barbullush kur mes tyre ka lindur një debat.

Nga burimet policore mësohet gjithashtu se lokali ku po pinin Arben Bideni dhe Afrim Rraboshta është në pronësi të vëllait të autorit të dyshuar të vrasjes. Pasi kanë debatuar për disa minuta, viktima dhe vrasësi kanë hyrë në makinën e viktimës dhe pasi kanë ecur rreth 400 metra me makinë janë ndalur anës rrugës, ku debati mes tyre është ashpërsuar. Dyshohet se në këtë moment, Rraboshta ka nxjerrë pistoletën që mbante në brez dhe ka qëlluar me dy plumba në kokë Arben Bidenin, i cili ishte duke ngarë makinën. Bideni ka vdekur në vend dhe autori i krimit është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Policia, e cila ka mbërritur menjëherë në vendin ngjarjes ka gjetur trupin e pajetë të Arben Bidenit brenda makinës luksoze tip “Mercedes Benz Regina” me targë SH 3577 E. Kur ka mbërritur policia, makina ka qenë ende e ndezur dhe trupi i pajetë ndodhej në ndenjësen e shoferit. Në lidhje me motivet e ngjarjes, policia ende nuk ka saktësuar arsyet e kësaj vrasjeje, ndërkohë që janë ngritur disa pista, nga ajo e grindjes së çastit deri te larjet e hesapeve.

Gjithashtu lexo

Vrasja e të riut shqiptar, publikohen pamjet e kapjes së dy autorëve nëpër ferra (Video)

Policia shqiptare ka publikuar pamje të operacionit për kapjen e autorëve të vrasjes së të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *