Home / Lajme / Maqedoni / Sërish zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Sërish zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Në Maqedoni pas këtyre zgjedhjeve presidenciale dhe vendore pritet të organizohen zgjedhje sërish të parakohshme parlamentare, në rast se do të ketë dështim të zgjedhjeve presidenciale dhe në rast se do të zgjidhet kandidati opozitar për president

Qarqe politike në përjashtojnë që Maqedonia të përfshihet në skenarët e zgjedhjeve të parakohshme dhe njëpasnjëshme serbe, të cilat gati se për çdo vit organizohen për shkak të dështimit të konstelacioneve politike dhe mungesës së vendimmarrjes politike.

Skenarët e tilla në Maqedoni pritet të ndodhin në rast se nuk arrihet që të zgjidhet presidenti i shtetit më 5 prill në raundin e dytë dhe në variantin e dytë nëse do të fitojë kandidati i opozitës, Lubomir Fërçkovski.

Burime nga qarqet opozitare për agjencinë e lajmeve “INA” bëjnë të ditur se ideja për organizimin e zgjedhjeve të reja të parakohshme do të jetë një synim i opozitës, për shkak të dështimit të maxhorancës aktuale, e cila ka izoluar vendin dhe po e çon buzë një skamje totale. Ish-kryeministri socialdemokrat Vllado Buçkovski ka shpalosur tendencat që të shkohet me zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Vllado Buçkovski paralajmëroi se LSDM-ja po përgatitet që në vjeshtë të ketë zgjedhje parakohshme parlamentare dhe rrëzim të Qeverisë së VMRO-DPMNE-së.

“Nëse arrijmë rezultate do të nxisim zgjedhje të parakohshme parlamentare. Me fitoren në zgjedhjet lokale dhe presidenciale, objektivi legjitim i LSDM-së do të jetë që në vjeshtë të ketë zgjedhje parlamentare. A do të bëjmë grevë 5, 15 ose 30 ditë, kjo është një pjesë e taktikës, por ne nuk do të qëndrojmë duarkryq”, deklaroi Vllado Buçkovski, deputet i LSDM-së. Edhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) nuk përjashton mundësinë e organizimit të zgjedhjeve në vjeshtë, për shkak të qeverisjes së keqe dhe dështimit politik të koalicionit aktual.

“Mund të ketë zgjedhje të parakohshme për arsye se këto që momentalisht janë në qeveri e humbin të drejtën që të udhëheqin me qytetarët dhe me pushtetin. Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme edhe për këtë arsye, se u merret legjitimiteti që të thirren në emër të elektoratit shqiptarë gjatë të ushtruarit të pushtetit” , ka theksuar nënkryetari i PDSH-së, Iljaz Halimi. Sipas tij, kjo qeveri duhet të ikë sepse me veprimet e saj Maqedoninë e largon edhe nga NATO edhe nga BE –ja, acaron marrëdhëniet me Greqinë, por nuk është në vijë të politikës së interesit e SHBA – ve.

“Kjo qeveri me politikën e saj po e pamundëson avancimin e pozitës së shqiptarëve, pamundëson zgjidhjen e statusit të shqiptarëve në Maqedoni. Si dëshmi për këtë pozitë të rëndë të shqiptarëve është miratimi i shumë ligjeve të cilët janë në favor të realizimit të platformës së VMRO-së, por jo edhe të shqiptarëve”, ka theksuar Halimi, duke potencuar edhe humbjen e legjitimitetit të BDI-së tek shqiptarët për një periudhë të shkurtër kohore. Nga ana tjetër, në BDI përjashtojnë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pasi që sipas tyre kjo nuk mund të ndodhë. Anëtari i lartë i kësaj partie, Xhevat Ademi ka theksuar se megjithatë partia e tyre ka fituar në këto zgjedhje dhe gëzon mbështetje të gjerë tek shqiptarët.

Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare nuk kanë komentuar paralajmërimet e opozitës për zgjedhje të parakohshme. Po ashtu edhe brenda radhëve të VMRO-DPMNE nuk është komentuar kjo çështje, pasi që sipas tyre ata janë të preokupuar dhe angazhuar për zgjedhjet presidenciale dhe vendore.

Gjithashtu lexo

Tym, zjarr e mbeturina në komunat shqiptare, politikanët bëhen gati për fushatë,rinia pa shpresa

Partitë shqiptare në Maqedoni kanë filluar përgatitjen për fushatën e zgjedhjeve lokale të cilat pritet …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *