Home / Sport / Ari Hani do të udhëtojë në Tiranë për të dhënë dorëheqjen

Ari Hani do të udhëtojë në Tiranë për të dhënë dorëheqjen

Holandezi në pankinën e kombëtares së Shqipërisë Ari Han duket se më në fund ka vendosur të largohet nga posti i tij, pasi nuk arriti të përmbushë as pjesë të asaj që premtoi në castet kur mori pankinën e Shqipërisë.

Ari Han do të japë dorëheqjen si trajner i Shqipërisë javën që vjen, pikërisht nga kryeqyteti Shqiptar, aty ku një vit më parë u prezantua si kreu i pankinës kuqezi. Lajmi bëhet i ditur nga burime të sigurta në FSHF. Sot holandezi do të zgjedh përfundimisht një nga opsionet që institucioni i futbollit i ka ofruar, dhe javën që vjen do të marrë rrugën e fundit për në Tiranë, nga ku do të bëjë gjithçka zyrtare. Të dyja palët kanë ngurruar të bëjnë publike zhvillimet e kësaj çështjeje. Komunikimi mes trajnerit dhe institucionit të futbollit gjithashtu është mohuar, por që në të vërtetë ai ka qenë i vazhdueshëm, nëpërmjet një personi të tretë, i cili ka bërë rolin e ndërmjetësit. Ari Han nuk është më trajneri i kuqezinjve dhe si për ta mbyllur këtë histori, do të duhej një marrëveshje xhentëlmenësh me presidentin e FSHF-së, Armand Duka. Federata do t’i japë holandezit një shumë eurosh, kesh në dorë, sepse ajo që i takon atij deri në fund të kontratës, kurrsesi që nuk ka për të ndodhur. Megjithatë, pritet të jetë një “happy-end”.

I kërkohet dorëheqja!
Duke zbardhur komunikimin midis trajnerit dhe FSHF-së, në ditët pas ndeshjes me Danimarkën, kjo nëpërmjet një personi të tretë, holandezit i janë bërë të ditura edhe kërkesat. Së pari, atij i është kërkuar të japë dorëheqjen dhe që të zgjidhet me mirëkuptim çështja e kontratës.
“Nesër (sot) trajneri do të japë përgjigjen përfundimtare, sepse ne i kemi ofruar disa variante në lidhje me kontratën. Kështu që ai do të zgjedhë kë dëshiron, pasi gjithçka ka mbaruar për sa i përket së ardhmes së tij. Gjithashtu i kemi kërkuar që javën tjetër të vijë në Shqipëri dhe të japë dorëheqjen zyrtarisht nga Tirana. Ndërmjetësi ka bërë bisedimet me Hanin dhe këtij të fundit i është bërë i ditur vullneti i federatës. Holandezi e di që nuk do të jetë më trajner i Shqipërisë, pavarësisht se është munduar të mos e pranojë. Është një heshtje diplomatike, me kompromis nga të dyja palët”, konfirmojnë burime nga Federata e Futbollit të Shqipërisë.

Institucioni i futbollit shqiptar nuk do që të humbasë 102 mijë euro, të cilat i kanë ngelur trajnerit Ari Han pa marrë, në bazë të kontratës që ka nënshkruar në fillim. Qëllimi i FSHF-së është të shpëtojë ca para.

“Kemi gjetur formën dhe mënyrën e duhur që mos t’i humbasim të gjitha këto para të mbetura. Ideja është që federata të fitojë sa më shumë. Ajo kërkon të ulë pazarin deri në maksimum. Më pas, t’i jepet një shumë holandezit dhe ai të shikojë punën e tij”, bëjnë të ditur në FSHF.

Te Hani u dyshua që në ndeshjen e parë

Karriera e tij e pasur si trajner krijoi një sensacion në Shqipëri. Ari Han kishte drejtuar kombëtare si Kina apo Kameruni, dhe njihej si një ish-futbollist i famshëm i Ajaksit dhe përfaqësueses holandeze. Gjithsesi, ai prezantim i bujshëm në hotel “Rogner” sikur u zbeh shpejt. Do të ishte miqësorja e parë kundër Polonisë, më 27 maj të vitit 2008, ajo që “zbërtheu” cilësitë e holandezit. Në atë periudhë, Ari Han zhgënjeu në sytë e drejtuesve të FSHF-së. Mësohet se mënyra e stërvitjes së tij, disiplina e ulët, por edhe shumë gjëra të tjera, krijuan pesimizëm për të ardhmen në atë periudhë, madje edhe te vetë kreu i FSHF-së.

Por mungesa e ndeshjeve, për shkak të pezullimit të Shqipërisë nga aktivitetet ndërkombëtare, bëri që trajnerit Han t’i lihej koha e duhur për të punuar. Rezultatet në fillim (barazimi me Suedinë dhe fitorja me Maltën) folën për të, dhe kjo natyrisht që i kënaqi të gjithë, ndonëse rezervat për punën e tij vazhdonin të ishin të pranishme. Holandezi, duke e ditur problemin e pezullimit të Shqipërisë, shpesh përsëriste që miqësorja me Lihtenshtejnin ishte e pavlefshme, duke shigjetuar indirekt FSHF-në dhe në të njëjtën kohë,duke mbrojtur punën e tij. Këto deklarata u kaluan në heshtje nga institucioni i futbollit, që në atë kohë, mes shumë përpjekjesh, arriti të gjente një miqësore në momentet e fundit.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *