Home / Sport / Kaka-Bekham-Ronaldinjo, pas 2 javësh në Tirane

Kaka-Bekham-Ronaldinjo, pas 2 javësh në Tirane

Skuadra e famshme e Milanit pasi qe ne vitin e kaluar u perball me Tiranen, pas dy javesh do te zbrese edhe nje here ne kryeqytetin shqiptar per tu perballur me perfaqesuesen e Shqiperise

Stadiumi “Qemal Stafa” do të shndërrohet në një arenë yjesh më 12 maj, kur ekipi i Milanit do të zbarkojë për herë të dytë për një ndeshje miqësore në tokën shqiptare. Ndonëse zëvendës presidenti i klubit kuqezi Adriano Galiani pati deklaruar se vizita e radhës do të ishte në gusht, gjithçka është përshpejtuar dhe Milani do të zbarkojë në kryeqytetin shqiptar pas vetëm dy javësh. Këtë herë përballë nuk do të jetë Tirana, por një seleksion i futbollistëve më të mirë të kampionatit shqiptar, duke formuar në këtë mënyrë një kombëtare të vogël. Gjithçka tashmë është zyrtarizuar dhe FSHF ka spostuar edhe datën e zhvillimit të finales të Kupës së Shqipërisë, e cila nga 13 maj, shkon më 6 maj. Ardhja e Milanit këtë herë do të jetë më e plotë, pasi në përbërje të skuadrës që drejtohet nga Karlo Ançeloti do të jenë fituesit e 3 “Topave të Artë”, Kaka, Ronaldinjo e Shevçenko, si edhe mesfushori i përfaqësueses angleze Devid Bekham. Një formacion më i plotë në krahasim me vizitën e datës 14 tetor, kur shumë lojtarë të kësaj skuadre ishin grumbulluar me ekipet e tyre kombëtare.
Ndeshja
Milani kësaj radhe do të luajë ndaj një seleksioni që përfshin futbollistët më të mirë të kampionatit shqiptar, ndryshe nga ndeshja e parë kur kjo skuadër u përball me Tiranën dhe humbi 2-1. Vetë Federata ka qenë dakord me një aktivitet të tillë, duke bërë madje edhe ndryshime në kalendarin e sezonit dhe që lidhen me ndryshimin e finales së Kupës. Ashtu si herën e parë, kjo vizitë e Milanit mundësohet nga kompania “Taçi Oil”, presidenti i së cilës Rezart Taçi është edhe vetë një tifoz i skuadrës kuqezi, të cilën e ndjek shpesh në tribunën VIP të stadiumit “San Siro”. Për të sjellë Milanin vitin e shkuar në Shqipëri, ai pagoi në arkat e klubit kuqezi rreth 1.7 milionë euro.
Yjet në Tiranë
Më 12 maj, Tirana do të ketë mundësi të shohë sërish nga afër disa nga futbollistët më të mirë të planetit. Ndërsa në ndeshjen e 14 tetorit munguan, Kaka e Pato këtë herë do të jenë në formacion. Ashtu si edhe Devid Bekham, padyshim një nga personazhet më të adhuruar, sidomos përsa i përket publikut femëror. Vizita e muajit tetor i bëri të gjithë të kuptojnë qartë se Milani është ekipi me më shumë tifozë në Shqipëri. Skuadrës së Ançelotit iu rezervua një pritje e veçantë që në aeroport, ku kishin dalë për ta pritur shumë tifozë. Po kështu, edhe stadiumi ishte mbushur thuajse në kapacitetin maksimal dhe pjesa më e madhe e tifozëve nuk përkrahnin Tiranën, por ekipin italian. Humbja e pësuar atë natë, edhe pse në një ndeshje miqësore, nuk u prit mirë nga futbollistët e skuadrës italiane, që në fund madje shfaqën edhe shenja nervozizmi.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *