Home / Sport / Katër kandidatura në kombinim pë kombëtaren e Shqipëris, Topmëler në krye

Katër kandidatura në kombinim pë kombëtaren e Shqipëris, Topmëler në krye

Shqipëria do të ketë së shpejti trajnerin e saj të ri. Shkarkimi i Ari Hanit është diskutuar gjerësisht nga komiteti ekzekutiv pranë FSHF-së, i mbledhur dje rreth mesditës, ku njëkohësisht janë hapur rrugët për emërimin e pasuesit të holandezit.

Mbledhja e ka nisur diskutimin për shkaqet që çuan në shkarkimin e Hanit, por më i rëndësishëm ka qenë debati për gjetjen e trajnerit të ri. “Komiteti ekzekutiv ka shumë kandidatura përpara, ndër të cilët do të zgjedhë më të mirin. Koha është e shkurtër, pasi po afrohet ndeshja me Portugalinë, ndaj gjithçka duhet të përfundojë brenda dy javësh. Siç e thashë, janë shumë kandidatura që kanë mbërritur në FSHF, të cilat do të shikohen me kujdes një e nga një. Në fillim komiteti do të përqendrohet te një grup kandidaturash, për të përcaktuar më pas trajnerin që do ta drejtojë kombëtaren e Shqipërisë,” – është shprehur për mediat sekretari i përgjithshëm pranë FSHF, Arben Bici. Kandidatura e parë, e pranuar edhe nga sekretari Bici, është rumuni Angel Jordanesku, i cili ka drejtuar edhe kombëtaren e vendit të tij. Përveç Jordaneskut, janë afruar edhe disa CV të trajnerëve të tjerë, përgjithësisht ballkanas, por nuk mungojnë edhe emra të mëdhenj, siç është gjermani Klaus Topmëler. “Kanë mbërritur shumë CV pranë FSHF, sigurisht me anë të emailit, të cilat ne do t’i shqyrtojmë me kujdes. Ka edhe emra të njohur, siç është gjermani Klaus Topmëler, por më shumë mbizotërojnë emra nga Ballkani. Alternativa të tjera janë slloveni Katanec dhe serbi Petkoviç. Secili prej këtyre është kandidat, megjithatë do t’i shqyrtojmë një e nga një, për të shkuar tek emri më i përshtatshëm për kombëtaren tonë,” – shprehet një burim shumë i besueshëm pranë komitetit ekzekutiv.

Klaus Topmëler (Gjermani)

Emri më i spikatur ndër kanditarurat që ka Federata Shqiptare e Futbollit është pa dyshim ai i Klaus Topmëlerit, gjermanit që suksesin më të madh si trajner e ka arritur me Bajern Leverkusenin, të cilin e ka drejtuar deri në finale të Ligës së Kampionëve, ku u mund 2-1 nga Reali i Madridit. Topmëler nuk është shquar si futbollist i madh. E ka nisur karrierën me Kaizerslauternin, ku ka luajtur në vitet 1972-1980 (108 gola në 204 ndeshje). Në katër vitet pasardhëse Topmëler është aktivizuar në kampionatin amerikan me Dallas Tornadon, për ta mbyllur karrierën me skuadrën e padëgjuar gjermane Salmhor, ku menjëherë nisi punën si trajner. Është grumbulluar edhe me kombëtarem gjermane në tre takime, duke shënuar vetëm një gol. Topmëler e filloi ngjitjen si trajner me skuadrat: Ulm, Aue, Manhaim, Frankfurt, Bohum, Sarbryken, për ta arritur kulmin me Leverkusenin. Pas “aspirinave” mori drejtimin e Hamburgut, për t’iu përkushtuar drejtimit të kombëtareve. Në sezonet 2006-2008 ka drejtuar kombëtaren e Gjeorgjisë, me të cilën nuk arriti ndonjë rezultat për t’u mbajtur mend. Aktualisht është drejtor sportiv te Kajzerslauterni. Topmëleri ka sbarkuar edhe në Tiranë, pikërisht në “Qemal Stafa”, për miqësoren Shqipëri-Gjeorgji, 0-0.

Sreçko Katanec (Slloveni)

“Eshtë trajner i mirë, e kam vlerësuar edhe më parë, por nuk besoj se bën për Shqipërinë.” Kështu është shprehur dy ditë më parë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, për kandidaturën e Sreçko Katanecit, i cili vetëm disa javë më parë është larguar nga detyra e trajnerit të kombëtares maqedonase. Katanec është ndër emrat më të spikatur. E ka nisur karrierën me Olimpian e Ljubjanës në vitin 1980, për të kaluar katër vite më pas me Dinamon e Zagrebit, skuadër e kryeqytetit të sotëm kroat, atëherë pjesë e kampionatit jugosllav. Në sezonet 1986-1988, Sreçko Katanec është aktivizuar me skuadrën e Partizanit të Beogradit, një vit më pas te Shtutgarti, ku është stërvitur nga ish-trajneri i skuadrës sonë përfaqësuese, Ari Han, ndërsa katër vitet e fundit të karrierës i ka shpenzuar te Sampdoria, në Serinë A. Katanec ka luajtur për dy përfaqësuese, me Jugosllavinë (1 gol në 31 ndeshje) dhe me Slloveninë (1 gol në 5 ndeshje). E ka nisur karrierën si trajner me SK “Gorica”, për të drejtuar më pas për katër vite rresht kombëtaren e Sllovenisë. Katanec ka provuar drejtimin e Olimpiakosit, por ka qenë pasuksesshëm, ndërsa në vitin 2006 mori drejtimin e Maqedonisë, për të dhënë dorëheqjen në fund të edicionit të dytë në krye të kësaj kombëtareje.

Ilija Petkoviç (Serbi)

Është trajneri me karrierë më të pasur që ka mbërritur në FSHF. Karrierën si futbollist nuk e ka të shkëlqyer. E ka nisur me OFK Beograd në vitin 1964 dhe mbas nëntë vitesh është larguar për te skuadra franceze Troje, ku është aktivizuar për tre sezone. Është rikthyer te skuadra e OFK Beogradit, ku ka luajtur për shtatë sezone të tjera, derisa i dha fund karrirës së gjatë si futbollist (20 vjet). Gjithashtu Ilija Petkoviç ka luajtur edhe me kombëtaren e Jugosllavisë, pikërisht në 43 ndeshje, duke shënuar 6 gola. Serbi ka pasur një karrierë të pasur edhe si trajner. Këtë detyre e ka nisur në vitin 1990 me skuadrën ku është rritur si futbollist, pikërisht me OFK Beogradin, për të drejtuar nga 1993 deri në vitin 1995 Servet të kampionatit zviceran. Në sezonin 1998-200 ka drejtuar Avispa Fukuoka në Japoni, ndërsa një vit më pas Selanikun e kampionatit grek. Petkoviç u bë në vitin 2000 trajner i kombëtares së Jugosllavisë, të cilën nuk e drejtoi më shumë se një vit. Ky trajner e ka kultivuar profesionin e tij përgjithësisht në Lindjen e Largët, pikërisht në Japoni, Kinë dhe Kore. Në sezonet 2003-2006 ka provuar sërish suksesin me kombëtaren e vendit të tij (Serbi dhe Mal i Zi), por pa bërë shumë bujë. Ilija Petkoviç është kandidaturë e fortë, pasi ka eksperiencë të gjatë si trajner futbolli.

Angel Jordanesku (Rumani)

Një emër tjetër i spikatur, i gatshëm për të marrë kombëtaren e Shqipërisë, është rumuni Angel Jordanesku. 58-vjeçari Jordanesku e ka nisur karrierën si futbollist me Steauan e Bukureshtit, ku ka luajtur për 14 sezone rresht. Më pas është aktivizuar me Kretën në Greqi, për ta mbyllur karrierën pikërisht te Steaua. Sapo ka varur këpucët në gozhdë, Jordanesku ka drejtuar skuadra të ndryshme, duke e nisur detyrën e re pikërisht me Steauan, në fillim si asistent, më pas si trajner i parë. Pas Steauas ka drejtuar Anorthosisin e kampionatit qipriot. Në vitin 1993 ka marrë drejtimin e kombëtares së Rumanisë për pesë vite rresht, në sezonet 1993-1998. Nën drejtimin e tij Rumania ka arritur sukses të madh në Kupën e Botës USA 1994, teksa ka eliminuar Argjentinën e Maradonës. Në vitet e mëpasme Jordanesku ka drejtuar Greqinë (për një sezon), për t’iu kthyer drejtimit të klubeve (Al-Hilal, Rapid i Bukureshtit, Al-Ain). Në edicionin eliminator për Euro 2004 ka marrë sërish drejtimin e Rumanisë, por pa arritur të kualifikohet. Edhe rumuni Jordenesku, sikurse serbi Petkoviç, ka një karrierë të pasur si trajner, pasi, përveç klubeve të shumta të futbollit, në Rumani dhe më tej, ka drejtuar edhe në nivel kombëtaresh (Rumani, Greqi).

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *