Home / Sport / Murriqi mposht Garaçenkon

Murriqi mposht Garaçenkon

Boksieri kosovar Elvir Muriqi triumfoi në meçin e të shtunës ndaj boksierit ukrainas, Aleksandër Garaçenko, pas 10 rundeve në spektaklin e boksit profesionist “Kosova Fight Night”, që u organizua në palestrën e vogël të Qendrës së Rinisë e Sportit në Prishtinë nga Federata austriake e boksit profesionist, Federata e Boksit e Kosovës dhe nga klubi Peja.

Muriqi ka qenë dominues ndaj ukrainasit, Garaçenko, i cili përkundër goditjeve të njëpasnjëshme të boksierit kosovar, arriti të qëndrojë në këmbë deri në fund të meçit. Me këtë fitore Muriqi iu hakmor Garaçenkos për humbjen në prill të vitit 2005.

Pas meçit Muriqi është shprehur tejet i lumtur për fitoren:
“Përshëndes presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministrin, Hashim Thaçi, Ramush Hajradinajn, babin tim dhe të gjithë ata që më përkrahin. Unë jam krenar që jam shqiptar dhe dua t’u them se jam i të gjithë shqiptarëve. Kam thënë se nuk i dua padrejtësisë. Në meçin e parë ndaj Garaçenkos ma vodhën fitoren dhe tash dëshmova se çfarë niveli jam unë, e çfarë është ai”, ka theksuar Muriqi.

Të gjitha të ardhurat nga ky spektakël janë dedikuar për jetimoren “SOS Kinderhof” në Prishtinë. Për Muriqin kjo ishte fitorja e 36-të në karrierë. Në këtë mbrëmje boksi, pati edhe disa meçe tjera shume interesante.

Një duel cilësor ishte ai ndërmjet Shpëtim Shalës dhe gjermanit Lars Buholl, të cilin pas dhjetë rundeve e fitoi boksieri pejan Shpëtim Shala, i cili u stolis me titullin e kampionit të Austrisë.

Fitore ka shënuar edhe Sefer Seferi, i cili përball pati kroatin Ivica Cukushiq, që më shumë se boksier u tregua si aktor dhe provokues, ndërsa i vetmi boksier shqiptar që pësoi humbje në këtë mbrëmje ishte Erion Zeka nga Shqipëria, i cili u mposht nga kroati Zoran Svek.

Në këtë spektakël u zhvillua edhe një meç në tai boks, në të cilin Besnik Limani e mundi hungarezin Gabor Toth.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *