Home / Sport / Shqipëria nuk e do Petroviçin

Shqipëria nuk e do Petroviçin

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) i ka mohuar zyrtarisht spekulimet e medieve se trajneri serb, Ljupko Petroviç është kandidati kryesor për të zëvendësuar Arie Hannin, në krye të ekipit kombëtar të Shqipërisë.

“FSHF konfirmon zyrtarisht se nuk ka menduar asnjëherë për të vendosur në krye të bankinës së saj trajnerin Ljupko Petroviç. Kjo kandidaturë, si edhe shumë të tjera, kanë qenë thjesht një hamendje e medias, e cila i është servirur opinionit publik. FSHF nuk e ka pasur këtë teknik në planet e saj”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.

FSHF gjithashtu ka dhënë sqarim në rreth spekulimeve të deritanishme për emërimin e trajnerit të ri të kombëtares.

“Të gjitha kandidaturat e përmendura deri më tani kanë qenë thjesht hamendësim gazetaresk, i cili në asnjë rast nuk është konfirmuar zyrtarisht nga institucioni i futbollit. Ditët e fundit në faqet e gazetave janë deklaruar shumë emra trajnerësh si kandidatura për bankinën e skuadrës kombëtare, të cilët nuk janë dhënë nga FSHF-ja. Madje në shumë raste kanë qenë dëshira apo hamendësime gazetareske, të cilat s’kanë pasur asnjë bazë reale” thuhet në vazhdim të njoftimit.

FSHF ka siguruar të gjithë tifozët shqiptarë se drejtuesit e saj po punojnë intensivisht dhe me seriozitetin për ta emëruar një trajner të aftë dhe profesionist.
“Ne synojmë që trajneri i ri t’i çojë edhe më përpara rezultatet e ekipit tonë përfaqësues dhe të ndikojë në zhvillimin e futbollit në Shqipëri”, thuhet në fund të njoftimit. FSHF ka paralajmëruar se trajneri i ri do të emërohet shumë shpejt.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *