Home / Sport / Barcelona kampione e Europës

Barcelona kampione e Europës

Barcelona mposhti Manchester United’in 2-0, për ta marrë epitetin e kampionit të ri të Europës. Lionel Messi me shokë ishin shumë të fortë për Djajtë e Kuq, në finalen e Ligës së Kampionëve, të zhvilluar të mërkurën mbrëma në Romë.

Barcelona është kampion i Europës. Klubi katalunas e ka mposhtur me meritë Manchester Unitedin në finale të Ligës së Kampionëve me rezultat 2:0,me nga një gol të shënuar në secilën pjesë. Së pari Samuel Eto’o, e më pas Lionel Messi, ia dhuruan klubit spanjoll trofeun e tretë të këtij kompeticioni në histori të klubit.

Po ashtu, Barça e arriti një sukses historik, pasi që u bë skuadra e parë spanjolle që i fiton tre trofe gjatë një sezoni: Ligën e Kampionëve, titullin e kampionit të Spanjës dhe Kupën e këtij vendi.

Merita të veçanta për këtë sukses ka Pep Guardiola, që i fitoi këta trofe në debutimin e tij si trajner. “Këtë Ligë të Kampionëve ia dedikoj futbollit italian dhe Paolo Maldinit. Ai nuk duhet të brengoset sepse e ka admirimin e të gjithë Evropës”, tha Guardiola pas ndeshjes.

Manchester United e ka kontrolluar lojën vetëm në 10 minutat e parë, ndërsa më pas, pas golit të parë, çdo gjë ka folur në të mirë të spanjollëve.

“Djajtë e Kuq” janë hutuar nga mbajtja gjeniale e topit nga ana e futbollistëve të Barçës, të cilët dhuruan spektakël të vërtet pasi e zhvilluan lojën që dinë ta bëjnë.

“E kemi filluar shkëlqyeshëm ndeshjen, por më pas ishim nervoz. Kemi pasur kohë që ta rikthejmë disavantazhin prej një goli. Kishim disa gjysmëraste… por realisht ne u mposhtëm nga një ekip më i mirë. Nuk ishim në formën tonë më të mirë pas golit të parë. Megjithatë, ne mund të mësojmë nga kjo disfatë. Kemi ende një ekip të ri dhe mund të përmirësohemi.”, tha menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson.

Pas disa gjysmë rasteve të portugezit Ronaldo, i cili luajti sulmues tipik, pasoi goli i klubit Blaugrana. Samuel Eto’o e kaloi shumë mirë mbrojtësin serb nga e djathta, për ta mposhtur nga afërsia portierin Van Der Sar, 1:0.

Në vazhdim, lëvizjet në sulmin e United të Park, Ronaldo, Giggs e Rooney, me ndryshimin e pozitave, nuk e befasuan mbrojtjen e sigurt të spanjollëve, të krijuar nga katërshja Puyol-Toure-Pique-Sylvinho.

Pjesa e dytë filloi me dominimin e katalonasve. Mesfushori Xavi Hernandez e goditi shtyllën nga goditja e lirë, fat për portierin Van Der Sar.

Ndërkaq, në minutën e 70-të, në skenë doli sërish regjisori i lojës së Barçës, Xavi, që e shërbeu perfekt nga e djathta shtatshkurtrin Messi, i cili me kokë ia siguroi qetësinë klubit të tij.

Në vazhdim, spanjollët e administruan shumë mirë lojën duke krijuar edhe disa raste përmes kundërsulmeve, ndërsa anglezët, që e kërkuan titullin e dytë rresht, në pjesën e dytë nuk ishin askund, edhe pse në lojë u inkuadrua dyshja sulmuese Tevez-Berbatov.

Kështu, Barcelona e përmbyll në mënyrën më perfekte të mundshme sezonin. Pasi e kishte fituar Kupën e Spanjës dhe titullin e kampionit, klubi katalunas rikthehet në shtëpi me trofeun më prestigjioz evropian – Ligën e Kampionëve, të cilin e fitoi të mërkurën mbrëma në finalen e Romës.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *