Home / Sport / Behrami përfaqësues i Komitetit Olimpik të Kosovës për Britaninë e Madhe

Behrami përfaqësues i Komitetit Olimpik të Kosovës për Britaninë e Madhe

Valon Behrami është emëruar përfaqësues i Komitetit Olimpik të Kosovës për Britaninë e Madhe, në ditën e tij të parë të vizitës në Kosovë. Mesfushori i West Hamit ka thënë se dëshiron të krijojë imazh të mirë për Kosovën në Evropë. Në të ardhmen, është i gatshëm të braktisë Kombëtaren e Zvicrës për të përfaqësuar Kosovën. Sa i përket klubit, ai do të vazhdojë kontratën në Upton Park.

Futbollisti kosovar, Valon Behrami të shtunën ka arritur për vizitë në Kosovë, ku do të qëndrojë për disa ditë.
Ylli i West Hamit ishte ftuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), ku është pritur nga kryetari i saj, Besim Hasani, nënkryetari i KOK-ut, Musa Selimi dhe përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Edmond Rugova.
Hasani e ka emëruar Behramin përfaqësues të KOK-ut për Britaninë e Madhe. Tani Behrami do të angazhohet për lidhjen e Lëvizjes olimpike të Kosovës me atë të Britanisë së Madhe.

“Ndihem mirë me pritjen që m’u bë dhe jam i befasuar. Jam i lumtur që u emërova përfaqësues i KOK-ut për Britani. Shpresoj t’i kryej me sukses detyrat e mia. Unë po ashtu shpresoj të krijoi një imazh të mirë për Kosovën në gjithë Evropën”, u shpreh Behrami.

Më pas në një konferencë për media të mbajtur në zyrat e KOK-ut në Prishtinë, Behrami ka rrëfyer për formën nëpër të cilën po kalon te West Hami, sikurse për përvojën e tij të kaluar te Lazio.
Behrami në West Ham është transferuar gjatë verës së kaluar, nga klubi italian, Lazio. Reprezentuesi zviceran gjatë këtij sezoni i bëri 27 paraqitje të shkëlqyeshme në të gjitha garat me skuadrën angleze, duke shënuar 2 gola.
Por për të ka përfunduar herët sezoni, pasi më 1 mars, në duel ndaj Manchester Cityt, mesfushori 23-vjeçar pësoi një lëndim të rëndë në gjurin e djathë, i cili e detyroi t’i nënshtrohet një operacioni.

“Shtatë javë pas operimit po ndihem më mirë. Jam duke punuar shumë për t’u kthyer sa më shpejt. Në fund të muajit gusht shpresoj të kthehem nga lëndimi. Pra, tri xhiro pas fillimit të kampionatit të ri, besoj se do të jem i gatshëm të luaj”, deklaroi Behrami.

Ky lëndim i Behramit, e pati mërzitur mjaft trajnerin e West Hamit Gianfranco Zola, me të cilin Behrami ka thënë se ka krijuar raporte të shkëlqyeshme. Ai po ashtu e ka përkrahur programin e Zolas në bazë të të cilit punon në Upton Park.
Kosovari arriti sukses të madh me fanellën e klubit italian, Lazio. Por, mosmarrëveshjet rreth vazhdimit të kontratës detyruan Behramin të largohet nga skuadra romake.

“Kushtet në Angli janë krejtësisht ndryshe prej Italisë. Pra janë shumë më të mira. Lazio është skuadër e madhe, por jo mirë e organizuar. Lazio synimet i ka gjithmonë të njëjta. Është ekip pa ambicie të mëdha. Sa pata luajtur aty, ekipi pati arritur ta zërë vendin e tretë. Drejtuesit e klubit as dorën nuk na e patën zgjatur. Aty mungon respekti ndaj futbollistëve”, theksoi ai.

Behrami ka treguar se ka mundur që gjatë muajit janar të kalojë te rivali lokal i Lazios, AS Roma. Por ai ka pohuar se është vështirë dhe rrezik që nga Lazio të kalojë te Roma, dhe për këtë arsye nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Përveç Romës, Behrami spekulohej se kërkohet edhe nga klube të tjera të mëdha, si Juventus, Fiorentina dhe Chelsea. Por ai ka thënë se dëshiron të mbetet edhe më tutje në West Ham. Kontrata e tij me ekipin nga Upton Park skadon në vitin 2013. Megjithatë, mbrojtësi i krahut të djathtë ka njoftuar se është pranë vazhdimit të kontratës me klubin e tij aktual.

“Sivjet më ka shkuar mirë sezoni me West Hamin. Dua të qëndroj ende aty, sepse po ndihem mjaft mirë. Në fund të këtij viti do të nënshkruaj kontratë të re me West Hamin. Unë mendoj të shkoj edhe më lart. Drejtori i klubit më ka thënë se nuk do të pengohem për të kaluar në ndonjë ekip të madh, edhe nëse kam kontratë me West Hamin”, pohoi ai.

Valon Behrami, i cili aktualisht i mbron ngjyrat e përfaqësueses të Zvicrës, është shprehur i gatshëm që t’i kthehet ekipit shtetëror të Kosovës, po sa Federata e Futbollit e Kosovës të pranohet në FIFA dhe UEFA. javascript:void(0);
“Po, unë jam i gatshëm të luaj për Kosovën. Këtë e kam thënë edhe para dy apo tri viteve”, përfundoi Behrami në konferencën për gazetarë.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *