Home / Sport / Interesim i madh për Mërgim Mavraj-n

Interesim i madh për Mërgim Mavraj-n

Lideri i Bundesligës, Wolfsburg dhe Hoffenheim e Leverkusen ia kanë vënë syrin Mërgim Mavrajt. Pas këtij interesimi, Bochum i ka ofruar kontratë të re mbrojtësit kosovar me kushte shumë më të mira ekonomike, vetëm për ta mbajtur në Ruhrstadion.

Pas paraqitjeve të shkëlqyeshme në fanellën e Bochumit, Mërgim Mavraj ka zgjuar interesimin e disa ekipeve nga elita e futbollit gjerman, të cilat synojnë ta transferojnë në radhët e tyre.

I interesuar për shërbimet e mbrojtësit kosovar është lideri i Bundesligas Wolfsburgu, që është shumë pranë titullit të parë të kampionit në histori të klubit. Përveç ujqve, edhe Hoffenheim e Bayern Leverkusen ia kanë vënë syrin 22 vjeçarit.

“Janë disa ekipe të mëdha duke më kërkuar si Wolfsburg, Hoffenheim e Bayern Leverkusen”, ka thënë Mavraj.

Interesimi i këtyre klubeve ka ‘dridhur’ zyrtarët e Bochum, të cilët po bëjnë përpjekje që Mavrajn ta mbajnë edhe më tutje pjesë të klubit nga Ruhrstadion.

Kosovari me pasaportë gjermane me Bochum ka kontratë deri në vitin 2011, mirëpo drejtuesit e klubit po mundohen t’i vazhdojnë kontratën edhe për dy vite me rritje page.

“Unë po kom dëshirë ta ndërroj ekipin, por kjo është pak e vështirë pasi klubi nuk dëshiron të më lirojë. Mirëpo, Bochum më ka ofruar një kontratë të re e cila është shumë më e mirë sesa kjo aktuale”, theksoi Mavraj i cili nuk përjashton mundësinë e vazhdimit të kontratës.

Ish mbrojtësi i ekipit gjerman Darmstadt ‘98 këtë sezon ka pasura paraqitje të mira me Bochumin në elitën e futbollit gjerman, ku ka arritur t’i zhvillojë 22 ndeshje.

“Këtë sezon më është dhënë mundësia ta tregoj vetën. Këtë e kam shfrytëzuar dhe kam arritur t’i tregoj cilësitë e mia dhe kam zënë vend në ekipin e parë. Këtë para sezonit askush nuk e ka menduar”, ka thënë ai.

Një xhiro pa përfunduar sezoni në Bundesliga, Bochum ka siguruar mbijetesën. Ata aktualisht zënë pozitën e 14-të në tabelë, me 31 pikë të tubuara.

Pret ftesë për Evropian

Pas paraqitjeve të mira në fanellën e Bochumit, Mërgim Mavraj pret një ftesë nga selektori i përfaqësueses U-21 të Gjermanisë, Horst Hrubesch, për Kampionatin evropian, i cili do të fillojë më 15 qershor në Suedi.

“Këtë sezon kam luajtur mirë dhe besoj që do të ftohem për Kampionatin evropian”, ka thënë Mavraj i cili është i gatshëm ta veshë edhe fanellën e përfaqësueses së Kosovës.

22-vjeçari ka zhvilluar vetëm dy ndeshje në fanellën e shpresave gjermane, derisa ka debutuar në vitin 2007 në ndeshjen miqësore kundër Italisë.

Përfaqësuesja U-21 e Gjermanisë në fazën e grupeve do të takohet me Spanjën, Anglinë dhe Finlandën, pjesë e së cilës janë edhe treshja shqiptare; Përparim e Mehmet Hetemaj dhe Berat Sadik.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *