Home / Sport / Milani fiton trofeun “Taçi Oil”, mundi Shqipërinë 5-4 me penallti

Milani fiton trofeun “Taçi Oil”, mundi Shqipërinë 5-4 me penallti

Milani është bërë fituesi i trofeut të dytë Taci Oil Albania Reads, pas një ndeshje dramatike kundër kombëtares shqiptare. Edhe pse ishte thjeshtë një miqësore, në fushë nuk kanë munguar notat e spektaklit dhe emocionet, ndërsa fituesi u vendos nga penalltitë. Në fund, presidenti i kompanisë Taci Oil, Rezart Taci dhe ai i Republikës, Bamir Topi, i dorëzuan trofeun “Taçi Oil” kampionëve të shtatëfishtë të Evropës.

Milani fiton edicionin e dytë të trofeut Taçi Oil Albania Reads, duke mposhtur me penallti kombëtaren shqiptare. Sfida e zhvilluar në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” ka qenë një spektakël i vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës. Gjithçka ishte përgatitur për shou dhe për të kënaqur tifozët e shumtë të pranishëm, ndërsa në fushë luante një seleksion i yjeve më të njohur të futbollit botëror. Ndeshja dhuroi emocione të shumta dhe veprime klasi të yjeve si Ronaldinjo, Kaka apo Sedorf, teksa një keqardhje e vogël ishte mosaktivizimi i Devid Bekham.
Takimi nisi me Shqipërinë në sulm dhe pas 7 minutash Salihi shmanget mirë, por godet lart. Në minutën e 21-të është Ronaldinjo që realizon golin e parë për Milanin, pas një kombinimi në zonë me Paton dhe Shevçenkon. Pjesa e parë mbyllet me një goditje të bukur të Shevës, por që e gjen Ujkanin të përgatitur. Fraksioni i dytë ka qenë një spektakël golash. Pas vetëm 2 minutash Shevçenko dyfishon shifrat, duke krijuar idenë se ndeshja përfundoi. Por, në minutën e 62-të Emiljano Vila arrin të mposhtë Edusein, portierin e katërt të skuadrës kuqezi. Një gol shprese, por që është pasuar nga dy të tjerë mjaft të shpejtë. Në minutën e 71-të shënon Muzaka, pas një krosi nga e majta të Hykës, ndërsa 4 minuta më pas Hamdi Salihi është ai që realizon golin e tretë, duke kaluar tifozerinë në delir. Gjithsesi, në minutat e mbetura Milani arrin ta spostojë lojën në gjysmëfushën shqiptare dhe 2 minuta para përfundimit, Filipo Inzagi barazon shifrat, pas një aksioni personal të brazilianit Kaka, ndoshta më i adhuruari në “Qemal Stafa”. Ndeshja shkoi me penallti, aty ku asnjë prej lojtarëve të Milanit nuk gaboi. Për Shqipërinë, ishte kapiteni Elvin Beqiri ai që e gjuajti lart 11-metërshin e fundit, duke i lejuar ekipit italian të triumfonte 5-4. Në fund, presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi dhe presidenti i kompanisë Taçi Oil, Rezart Taçi, i dorëzuan trofeun kapitenit të Milanit Filipo Inzagi, duke mbyllur me festë një ndeshje spektakolare.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *