Home / Lajme / Maqedoni / Rufi Osmani: Gjendja financiare e komunës dhe ndërmarrjeve publike është brengosëse

Rufi Osmani: Gjendja financiare e komunës dhe ndërmarrjeve publike është brengosëse

9.564.800 euro borxhi i Komunës së Gostivarit dhe ndërmarrjeve publike

Urim Hasipi
Gostivar, 15 maj-Këshilli i Komunës së Gostivarit, në sallën e madhe, mbajti seancë e dytë. Në këtë seancë këshilltarët komunal debatuan për 11 pika të rendit të ditës. Me 16 vota pwr, 11 të përmbajtur dhe 3 kundër, këshilltarët komunal miratuan Propozim-Vendimin për bashkim të Ndërmarrjeve Publike të themeluara nga Komuna e Gostivarit. Paraprakisht Kryetari i Komunës së Gostivarit, prezantoi raportin financiar të komunës dhe të ndërmarrjeve publike. Raporti synon të jep arsyeshmërinë financiare në procesin e krijimit të një kompanie publike përgjegjëse për shërbimet komunale. Shuma e borxheve të komunës së Gostivarit dhe të ndërmarrjeve publike arrin vlerën 9.564.800 euro.
“Gjendja financiare e komunës dhe ndërmarrjeve publike është brengosëse dhe unë për tejkalim të kësaj jam duke ndërmarrë hapa emediat në takimet e shumta me faktorin ndërkombëtar dhe me qeverinë qendrore.
Këto numra nuk janë përfundimtarë, ne jemi në fazë të hulumtimit të gjendjes. Me siguri numrat përfundimtar do të mund t’i kemi pasi që të bëhet edhe një revizion i plotë i pavarur financiar nga një revizor jashtë komunës”, tha Kryetari i Komunës së Gostivarit Dr. Rufi Osmani.
Reformimi i sektorit publik do të synon që ta përmirësoj menaxhimin financiar të të hyrave komunale, zvogëlimin e mëtejmë të shpenzimeve të pajustifikueshme, zgjedhjen azhure dhe efektive të kontesteve gjyqësore, rritjen e kapaciteteve teknike dhe avancimin e resurseve njerëzore në menaxhimin me shërbimet publike.

Mbyllet përkohësisht Deponia “Rusino”
Në seancën e dytë të Këshillit të Komunës së Gostivarit, këshilltarët me 30 vota pro dhe një të përmbajtur e miratuan Konkluzionin për ndalesë të shfrytëzimit të deponisë “Rusino”, nga ana e ndërmarrjeve komunale nga rajoni i Pollogut.
“U analizuan dokumentacionet dhe u konstatua se nuk ekziston asnjë marrëveshje juridike ndërmjet komunës dhe komunave të tjera të rajonit të Pollogut që ato ta shfrytëzojnë këtë deponi. Ka dokumente dhe vendime nga Ministria e Ekologjisë, nga inspektorati gjegjës dhe nga institucionet tjera se ajo deponi nuk i plotëson kushtet minimale. Ky vendim si konkluzion ka një qëllim të ndërpritet përkohësisht shfrytëzimi i kësaj deponie, të obligohet qeveria të ndërmerr të gjitha masat jo vetëm juridike por mbi të gjitha financiare dhe teknike që kjo deponi t’i plotëson standardet me minimale teknike dhe mbasi që t’i plotësojw atëherë mund të bëhet fjalë për ndoshta një riaktivizim të kësaj deponie”, tha Kryetari i Komunës së Gostivarit Dr. Rufi Osmani.
Me propozim të Kryetarit të Komunës, këshilli formoi një komision pesë anëtarësh, komision ky që do të komunikoj me Qeverinë, Ministrinë e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor si dhe banorët që jetojnë afër deponisë “Rusino”, me qëllim që të gjendet një zgjidhje të këtij problemi të kamotshëm

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *