Home / Lajme / Maqedoni / Topi ‘refuzon’ te takohet me Gruevskin

Topi ‘refuzon’ te takohet me Gruevskin

Në një intervistë për BBC-në, presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi ka shprehur keqardhje për mungesën e presidentit Fatmir Sejdiu në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të Maqedonisë. Topi tha se shtetet e rajonit duhet të “njohin detyrimin për pjesëmarrje” të Kosovës, jo vetëm në zhvillime ceremoniale, “por edhe takime të rëndësishme”.

Urim Hasipi
Shkup, 12 maj-Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi nuk ka zhvilluar takim të posaçëm me kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevski, i cili ishte paraparë në agjendën e Qeverisë në Shkup, bën të ditur agjencia e lajmeve INA duke u thirrur në burime qeveritare maqedonase.
Presidenti shqiptar – siç thekson kjo agjenci – ka anashkaluar një takim protokollar me kryeministrin e Maqedonisë, të martën, në ditën kur është mbajtur ceremonia e inaugurimit të presidentit të ri maqedonas, Gjorgje Ivanov – dhe ku kanë marrë pjesë presidentët e shteteve të rajonit, por jo edhe ai i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili ka thënë se nuk ka marrë ftesë zyrtare që të jetë pjesëmarrës në këtë inaugurim.

Në një intervistë për BBC-në, presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi ka shprehur keqardhje për mungesën e presidentit Fatmir Sejdiu në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të Maqedonisë. Topi tha se shtetet e rajonit duhet të “njohin detyrimin për pjesëmarrje” të Kosovës, jo vetëm në zhvillime ceremoniale, “por edhe takime të rëndësishme”.

Presidenti Topi shprehu mirëkuptim edhe për reagimet e studentëve që kërkuan mospjesëmarrjen e tij në ceremoninë e inaugurimit. Ai tha se studentët do të jenë krenarë kur do të dëgjojnë mesazhet që do të dërgojë ai për pjesëmarrjen e Kosovës në takime rajonale.

Kabineti i kryeministrit Gruevski ndërkaq, ka sqaruar në një komunikatë se, “për shkak të qëndrimit të shkurtër të delegacionit të Republikë së Shqipërisë, Bamir Topi, kryetari i qeverisë Nikolla Gruevski, në margjinat e inaugurimit realizoi takim të shkurtër joformal dhe përshëndetës me presidentin shqiptar”.

Ndërkohë, siç bëhet e ditur, Gruevski ka zhvilluar takime të ndara zyrtare me presidentin kroat Stipe Mesiq, atë serb Boris Tadiq dhe presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq.

Gjatë ditëve të kaluara në media kanë qarkulluar spekulime se presidentit Sejdiu i është bërë ftesë për të marrë pjesë në ceremoninë inauguruese të presidentit Ivanov, por është lutur që të gjejë arsye për mospjesëmarrje sepse kjo do të nxiste bojkotin nga kreu i Serbisë, Boris Tadiq – ndërsa si “kompensim për këtë favor” është spekuluar se atij i është bërë ftesë që, brenda javësh të vizitojë Shkupin, si presidenti i parë i një shteti fqinj që takon kreun e ri të shtetit maqedonas.

Sejdiu të martën ka deklaruar se nuk ka marrë ftesë zyrtare për këtë ceremoni, ndërsa ka shtuar se, pavarësisht këtij fakti, “ne do të përcjellim në vazhdimësi sinjale të mira të bashkëpunimit

Thaçi:Turp per ata qe inaguruan Ivanovin

Mosprezenca e PDSH-së në inaugurimin e Ivanovit vërteton se PDSH është ndryshe nga të tjerët, ne jemi me popullin pasiqë ai u bojkotua nga shqiptarët më 5 Prill.

Kështu është shprehur kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi dhe se sipas tij, Ivanovi në mënyrë masovike u bojkotua nga shqiptarët, vetëm 1 për qind e shqiptarëve dolën që të votojnë.

“Mendoj se sot, u pa sidomos ato shqiptarë që morën pjesë aty ishin në pozicion të mjerushem, tragjik, derisa këndohej himni për Jane Sandanskin, Pitu Gulin, të gjithë rinin gaditu.

E dyta ky Ivanovi, fliste me një fjalor shumë të ashpër nacionalist, heronjtë maqedonas, baballarët maqedonas, ardhmëria e maqedonizmës e kështu me radhë.
Kjo ishte një politikë shumë e gabueshme dhe ju premtoj se shumë shpejt këto nocione do prodhojnë nocione tjera, heronjtë shqiptarë, tokat shqiptare, baballarët e kombit shqiptarë e kështu me radhë. Është politikë e gabueshme, megjithatë ne momentalisht e kemi këtë forcë të veprimit demokratik, të japim sinjale se kjo është gabim. Është e turpshme, në të ardhmen do të jetë shumë fatale për ta politikisht.

Të mos mendojnë se populli nuk i di gjërat”, ka theksuar kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Ai ka shtuar se nacionalizmi i shprehur nga Ivanovi do të nxisë nacionalizmin e shqiptarëve

AAk:Maqedonia ka fyer Kosoven

Ardian Gjini, kryetar i grupit parlamentar të AAK-së, thekson se nëse Maqedonia nuk i ka dërguar ftesë presidentit Sejdiu, ajo ka fyer Kosovën.

Ai thotë se Prishtina zyrtare nuk duhet lejuar këtë dhe kritikon institucionet për inferioritetin e treguar karshi këtij vendi fqinj.
“Shkupi zyrtar vepron kështu karshi Kosovës, sepse Kosova nuk e ka asetuar pozitën e vet qartë.

Përkundër faktit që edhe Shqipëria, edhe Kosova, pra faktori shqiptar në Ballkan është faktor që ka ndikuar esencialisht në vetë ekzistencën e Maqedonisë, faktit që i vetmi në rajon e njeh Maqedoninë në tërësinë e saj si politike, si etnike, në cilindo variant tjetër, prapëseprapë Shkupi zyrtar gjen luksin të sillet në këtë mënyrë me ne”, shprehet Gjini.

Sejdiu:Nuk jemi ne lufte me Maqedonine

Presidenti Fatmir Sejdiu përsëriti sot se nuk ka marrë ftesë zyrtare që të jetë pjesëmarrës në inaugurimin e presidentit të ri të Maqedonisë, George Ivanov, njofton e përditshmja kosovare “Express”.

Ai tha se nuk e di arsyen pse nuk është ftuar në inaugurimin e presidentit të shtetit fqinj, ngjashëm sikur presidentët e tjerë të rajonit. Por ai mohoi se ka tensionim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Për neve është me rëndësi që pavarësisht se nuk kam ftesë, ne do të vazhdojmë me raporte, si dy shtete. Ne në luftë nuk jemi. Absolutisht kemi raporte të mira… Maqedonia bashkë me shtetet tjera është që e ka njohur Republikën e Kosovës”, tha Sejdiu, për gazetarët.

Presidenti kosovar i bëri këto komente pas raportimeve në disa media se ftesa për pjesëmarrje i kishte ardhur qysh të shtunën, mirëpo një porosi joformale që ai të mos shkojë në Shkup për të mos irrituar presidentin serb, Boris Tadic duket se kishte bërë që ftesa të heshtet.

“Jam shumë i sigurt se presidenti Sejdiu nuk ka ftesë të qeverisë maqedonase. Është çështje e vendimit të qeverisë maqedone si ta procedojnë. Pavarësisht prej këtij fakti ne do të përcjellim në vazhdimësi sinjale të mira të bashkëpunimit dhe ato janë praktike dhe të mira”, tha presidenti.

Edhe për vizitën e tij të përfolur me 21 ose 22 maj në Maqedoni, presidenti Sejdiu tha se nuk ka kurrfarë date për vizitë në atë vend. Ai tha se do ta vizitojë Maqedoninë në rrethana të përshtatshme, ndërsa shprehu dëshirën e tij për vizita shtetërore të ndërsjella

UDBA ne vend te gjykohet “siguron” Shkupin

Ish- pjesëtarë të sigurimit shtetëror serb të akuzuar për vepra të paligjshme, janë pjesë e delegacionit serb që po merr pjesë në ceremonin inauguruese të presidentit Ivanov.

Është shtyrë gjykimi i ish-shefit të qendrës së sigurimit shtetëror në Beograd, Milan Radonjic dhe tre ish punonjësve të UDB-së,të akuzuar për arrestim të paligjshëm dhe zhvatje të kolegut të tyre në vitin 1999.

Sic njofton e përditshmja beogradase “Kurir” gjykimi është shtyrë për shkak të inaugurimit të sotëm të presidentit të ri maqedonas, Gjorgje Ivanov.

Njëri nga të akuzuarit nuk është paraqitur në bankën e të akuzuarve sepse siç shpjegohet, në ambasadën e Serbisë në Maqedoni duhet të jetë pjesëmarrës në ceremoninë solemne inauguruese të presidentit të ri

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *