Home / Sport / Ujkani synon paraqitje tjera

Ujkani synon paraqitje tjera

Samir Ujkani është shumë i lumtur që ka arritur të luajë me Kombëtaren shqiptare në miqësoren kundër Milanit. Ai është i gatshëm që edhe në ndeshjet e radhës të mbrojë portën e Shqipërisë, derisa mendon se kuqezinjve u nevojiten disa lojtarë të rinj.

Samir Ujkani të martën ka zhvilluar ndeshje e parë në fanellën e Kombëtares shqiptare, në ndeshjen miqësore kundër gjigantit italian Milan, i cili pas ekzekutimit të penalltive fitoi trofeun ‘Taçi Oil’.

Portieri kosovar që nga viti i kaluar është pjesë e ekipit kuqezi, derisa që nga kjo kohë ai ka luajtur rolin e gardianit të dytë. Edhe pse ishte vetëm një ndeshje miqësore, anëtari i ekipit italian Palermo është shumë i lumtur që i ka ardhur rasti të luajë ndeshjen e parë me kuqezinjtë.

“Jam shumë i lumtur që arrita të luaj me kombëtaren. Milan gjithmonë ka qenë ëndrra ime dhe gjithashtu jam i kënaqur që pata rastin sërish të luaj kundër tyre,” ka thënë Ujkani për Express të mërkurën.

Në anën tjetër, Ujkani tregon se është i gatshëm që edhe në ndeshjet e radhës të mbrojë portën e Kombëtares shqiptare. “Unë jam gati të mbroj për kombëtaren, mirëpo trajneri është ai që vendos”, thotë portieri shtatlartë.

Sipas ish anëtarit të klubit mbretëror belg Anderlecht, ekipi kuqezi ka nevojë që në radhët e veta të sjellë disa futbollistë të rinj, të cilët edhe në ndeshjen kundër Rossonerëve dëshmuan se duhet llogaritur në ta.

“Kombëtarja duhet të ndërtojë ekip nga futbollistë me përvojë në kombinim me të rinj të talentuar”, theksoi Ujkani i cili vitin e kaluar është angazhuar edhe me ekipin U-21 të Shqipërisë.

Ujkani në radhët e Palermos është transferuar në vitin 2007 nga ekipi belg Anderlecht, derisa para tri xhirove ka arritur të debutojë në Serie A, pikërisht kundër Milanit.

Portieri vushtrrias, i cili ka kontratë me Palermon deri në vitin 2012, këtë sezon te ekipi sicilian ka arritur të zërë vend si portier i dytë.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *