Home / Sport / Cana: Jemi profesionistë të vërtetë, ndaj duhet ta pranojmë edhe humbjen

Cana: Jemi profesionistë të vërtetë, ndaj duhet ta pranojmë edhe humbjen

Reagimet e “kuqezinjve”, pas humbjes nga Portugalia.

Mbrojtja e kombëtares kuqezi ka qenë më e organizuar se kurrë dhe për këtë meritë të veçantë ka pasur Lorik Cana. Pasiguria e Hidit në minutat e fundit sikur ia ka prerë këmbët, megjithatë ai është i kënaqur me atë që dhanë futbollistët në fushë. Sipas Canës, tifozët shqiptarë duhet të ndihen krenarë, sepse Shqipëria dha ç’kishte mundësi përballë Portigalisë. “Jemi profesionistë të vërtetë, ndaj duhet ta pranojmë edhe humbjen në minutën e fundit. Pa dyshim që u zhgënjyem. Nuk kisha dyshim për dëshirën dhe shpirtin luftarak si dhe për lojtarët e rinj, që japin maksimumin kur kanë në krah lojtarë me përvojë. Ashtu ndodhi edhe ndaj portugezëve.
Prisnim të bënim ndodnjë mrekulli, siç kemi bërë edhe në të kaluarën. Besoj që të gjithë shqiptarët janë krenarë për ekipin që kanë. Normalisht që tifozët presin maksimumin, por them se me dëshirën e madhe që ka ky grup si dhe me lojtarët e rinj do të krijohet një ekip që në katër pesë vitet e ardhshme do t’i japë frytet e tij,” – është shprehur Cana. Sikurse paraardhësi Han, edhe kroati Josip Kuzhe ia ka besuar Canës organizimin e mbrojtjes. Për gjakovarin, Kuzhe ka bërë këto ditë një punë të shkëlqyer, si një trajner i madh, duke u hyrë në zemër të gjithëve, lojtarëve dhe tifozëve. “Për Kuzhen do të thosha vetëm përshtypjet e mia më të mira, megjithëse është vetëm java e parë e punës së tij. Ka ardhur me një dëshirë të madhe. Ai nuk ka ardhur për të qenë thjesht trajner i Shqipërisë. Është një njeri që flet hapur me të gjithë lojtarët dhe shumë i komunikueshëm. I gjithë grupi është i kënaqur me trajnerin e ri, prandaj duhet të jemi gjithnjë nën urdhrat e tij për të qenë të suksesshëm,” – ka vijuar Cana. U bënë disa ndeshje radhazi që Cana luan në mbrojtje, por për të pak rëndësi ka. Nëse trajnerët e shohin të nevojshëm aktivizimin e tij në prapavijë, në të mirë të kombëtares, për Canën nuk ka asnjë problem: “Për sa i përket pozicionit tim, do të thosha se ndihem mirë edhe në mbrojtje. Kuzhe e di që unë luaj me skuadrën time në mesfushë, para mbrojtjes, por dy vitet e fundit takimet më të mira me kombëtaren i kam luajtur si mbrojtës. Trajnerët që kanë qenë në krye të kombëtares në dy vitet e fundit si dhe Kuzhe besojnë se jam në gjendje që të luaj denjësisht prapa. E rëndësishme është që të gjithë futbollistët janë gjithmonë në dispozicion të trajnerit, pavarësisht se ku mund të aktivizohen.”

Elvin Beqiri: Ishim të pafat

Kush e ka ndjekur me kujdes karrierën e Elvin Beqirit nuk i ka ardhur çudi për aktivizimin e tij në mesfushë, në rolin e shkatërruesit. I është dashur pak kohë për t’u ambientuar, por më pas gjithçka e ka pasur nën kontroll. “Truri” i mesfushës portugeze ishte Dekom ndaj trajneri Kuzhe i ka dhënë një detyrë të rëndësishme, për ta mbuluar një për një futbollistin e Çelsit. “Kisha kohë që nuk luaja në pozicionin që më aktivizoi trajneri Kuzhe ndaj Portugalisë, por dua të them se u ndjeva mirë në këtë rol. Mendoj se ekipi u paraqit mirë në këtë takim, pasi grupi tregoi shpirt gare e kontrolluam lojën në mbrojtje, pasi nuk u lamë shumë hapësiara portugezëve, por ky është futbolli. Në fillim trajneri mua dhe Bulkun na kishte vendosur në fushë për të shkatërruar sulmet e kundërshtarëve, pastaj gjatë lojës u zhvendosa drejt qendrës së fushës, pasi duhej të markoja Dekon një për një,” – ka deklaruar Beqiri pas takimit. Ai shtoi: “Me trajnerin Kuzhe jemi më të organizuar si ekip, gjë e cila është pozitive për një ekip. Them se ndaj Portugalisë na ndëshkoi vetëm fati. Por ky është futbolli, pasi mund të luash keq dhe fiton, apo luan mirë dhe nuk ke fat. Mendoj se ne i humbëm gjasat që në dy ndeshjet e fundit me trajnerin Han, kështu që në ndeshjet e mbetuara do të punojmë për krijimin e grupit për eliminatoret e ardhshme.” -përfundon Beqiri.

Kuzhe: Humbjen nuk e merituam

Josip Kuzhe, arkitekti i kësaj Shqipërie, që desh e nxori jashtë Botërorit Portugalinë, në ndeshjen e tij të parë zyrtare, shprehet mjaft optimist për të ardhmen, por sigurisht i zhgënjyer për mënyrën se si erdhi humbja. “Jam pjesërisht i kënaqur, sepse tifozët tanë prisnin një rezultat pozitiv dhe, të them të drejtën, pritën gjatë, deri në minutat e fundit të ndeshjes. Në fund të ndeshjes sigurisht nuk isha i kënaqur, sidomos kur pashë fytyrat e zhgënjyera të futbollistëve tanë. Ata luajtën me të gjitha forcat dhe dhanë gjithçka në këtë takim. Fundja, nuk morën atë që meritonin nga kjo ndeshje. Kur humbet në minutat e fundit është edhe më e rëndë, por duke e analizuar ndeshjen që nga fillimi, pas vështirësive të para, skuadra e fut në lojë dhe e përballoi shumë mirë kundërshtarin. Gjithsesi, vura re se kjo skuadër ka potenciale për të ardhmen. Nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të vazhdojmë punën për ndërtimin e një skuadre sa më të fortë. Mund të flasim për gabimet tona, por mbi të gjitha Portugalia ka një skuadër më të mirë se jona, me kualitete që bëjnë diferencën, por duhen vlerësuar edhe për motivimin që shfaqën në fushë. Askush nuk dëshiron të thotë se meritonim të humbisnim, por duhet pranuar se ishin më lart se ne. Sa për lojën e skuadrës sonë, mund të them se kemi disa gjëra për të rregulluar në anën taktike. Kjo ishte mundësia ime e parë për ta parë skuadrën në fushë, që për fat të keq, ndodhi përballë një skuadre shumë të fortë. Përshtypja ime e parë është mjaft pozitive, që do të më ndihmojë për të ardhmen. Tani mund të jem më i qartë për disa vendime, të cilat duhet t’i marr në të ardhmen,” – është shprehur Josip Kuzhe pas ndeshjes.

Kueiroz: Fati ishte me ne!

Trajneri portugez, Karlos Kueiroz, e ka konsideruar të mundimshme, por mjaft të shijshme, fitoren që ka marrë në Tiranë. Ndër të tjera, pas ndeshjes, ai u shpreh: “Fituam dhe kjo u jep fund vuajtjeve të një ndeshjeje delikate për ne. Luajtëm më mirë në pjesën e dytë, por ndeshëm në një mbrojtje të përforcuar të vendasve. Ndoshta edhe fati ishte me ne, sepse e shënuam golin e dytë në kohën shtesë. Megjithatë, mendoj se fitoi ekipi i duhur. Shqipëria realisht na e ndërlikoi detyrën. Në minutat e fundit ishim të gjithë në ankth, por lojtarët e mëdhenj në të tilla situata e tregojnë veten. Falë një goli të Alvesh, arritëm të mbijetojnë, të dalim me fitore nga Tirana, dhe të provojmë çdo gjë për kualifikimin, deri në fund. Danimarka është në një pozitë më të mirë për të ruajtur vendin e parë. Ne jemi të bindur se duhet të luftojmë për vendin e dytë në grup. Kushtet janë më të mira, sidomos pas humbjes së Suedisë në ndeshjen e sotme me danezët. Përfundimisht, morëm një fitore me shumë djersë në Tiranë, por që na shijon shumë. Fitore vendimtare, një lehtësim për sfidat që na presin!”

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *