Home / Sport / “Formula 1”, nga viti i ardhshëm mund të mos ekzistojë

“Formula 1”, nga viti i ardhshëm mund të mos ekzistojë

Formula 1 nga viti i ardhshëm mund të mos ekzistojë më dhe tashmë rreziku është real. Ende mungon një akord mes FIA-s dhe skuderive, të cilat janë gati të krijojnë një kampionat paralel. Të dyja palët duken të palëkundura nga pozicionet e tyre, ndërsa FIA ka bërë të ditur se do t’i hedhë në gjyq skuderitë.

Formula 1 ka hyrë në krizën më të rëndë në 60 vitet e saj të ekzistencës, kur 8 nga 10 skuderitë e saj lajmëruan se do të organizojnë një kampionat alternativ. Pas mungesës së një akordi me drejtuesit e FIA-s në lidhje me buxhetin e Botërorit 2010 dhe rregullat për të, skuderitë Ferrari, BMV Suaber, Braun GP, MekLaren, Red Bull, Reno, Toro Roso dhe Tojota janë shprehur se nuk mund të qëndrojnë më nën tutelën e Mosleit, duke shkaktuar një kaos të vërtetë. “Ne nuk mund të vazhdojmë të jemi dakord me thyerjen e vlerave themelore të sportit dhe si rrjedhim nuk kemi alternativë tjetër përveçse të krijojmë një kampionat të ri”, thuhet në një njoftim zyrtar të FOTA-s.

Propozimi i fundit i FIA-s ishte një rritje e buxhetit limit nga 45 në 100 milionë euro për vitin 2010 dhe më pas zbritje në 40 milionë, gjë që skuderitë nuk e kanë pranuar. Në krahun tjetër, edhe pse Moslei është shprehur optimist, ka kërcënuar skuderitë që të regjistrohen brenda afatit, në të kundërt do të përjashtohen nga kampionati i ardhshëm. “FIA nuk mund të lejojë rreziqe financiare në Formula 1 dhe aq më tepër, që FOTA të diktojë rregullat”, bëhet e ditur në një komunikatë për mediat.

Po kështu, Federata Botërore e Automobilizmit ka bërë të ditur se do të ndërmarrë edhe aksione ligjore në adresë të skuderive, duke i hedhur ato në gjyq për prishje të kontratave. E megjithatë, është e qartë se rruga e ashpër duket se nuk po e ndihmon FIA-n. Skuderitë, pas një tjetër mbledhje, janë shprehur të palëkundura nga pozicioni i tyre. Shefi i Renosë Flavio Briatore deklaroi hapur se 8 skuderitë nuk do të ndryshojnë qëndrim. Por, nuk kanë munguar akuzat as për pronarin Berni Ekleston, që në gjithë këtë histori, nuk merret vesh se në krahun e kujt është. “Ai duhet të na tregojë se me kë është, pasi po flasim për Formula 1 dhe jo për Formula 8”, tha Briatore tepër i ashpër.

Ndërkohë edhe pilotët janë pozicionuar në krah të skuderive të tyre. I pari që ka bërë një deklaratë zyrtare është dy herë kampioni i botës Fernando Alonso, që tha se nuk do të garojë më në Formula 1, por në kampionatin e ri që do të krijohet. Vetëm dy skuderi, Uilliams dhe Fors India kanë pranuar rregullat e vendosura nga FIA për Botërorin e ardhshëm.

Gjithashtu lexo

Minutat e para të Neymarit ndaj Toulouse: Përlotet, driblon bukur, godet shtyllën dhe në fund shënon gol (Foto/Video)

Fillimi i ndeshjes së Neymarit me Paris Saint Germainin ndaj Toulouse ka nisur me emocione …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *