Home / Sport / Kualifikimet e Botërorit 2010

Kualifikimet e Botërorit 2010

Anglia dhe Holanda e kërkojnë fitoren e shtatë në grupet përkatëse, për ta vazhduar serinë perfekte në kualifikimet për Botërorin 2010. Tulipanët e presin Norvegjinë e pafuqishme, derisa Albionët do të kenë punë të lehtë me Andorrën. Rusisë i nevojitet shumë fitorja në Finlandë, kurse tri pikë të lehta i pret edhe Suedia.

E pamposhtura Anglia do të kërkojë ta bëjë një hap tjetër drejt kualifikimit për në Botërorin 2010, me fitore ndaj Andorrës të mërkurën. Pas fitores 4:0 të shtunën e kaluar në Almaty ndaj Kazakistanit, skuadra e Fabio Capellos e kërkon fitoren e shtatë, e cila do ta dërgonte në kuotën e 21 pikëve në Grupin 6.

“Ne po luajmë mjaft mirë dhe po shkojmë në rrugën që e duam. Ne po e përmirësojmë dalëngadalë lojën taktike, po luajmë si ekip kolektiv”, tha kapiteni John Terry.

Ndërsa Holanda, po ashtu, është perfekt deri tash. Ajo në Grupin 9 ka arritur 6 fitore nga po aq ndeshje, që ia mundësuan kualifikimin për në Botërorin 2010, i cili fillon pas 12 muajsh. Pas fitores së të shtunës 1:2 në Islandë, Tulipanët të mërkurën e presin Norvegjinë, e cila është e fundit në grup. “Ne tash duhet ta kompletojmë kualifikimin pa humbur pikë. Unë kërkoj fitore të mërkurën kundër Norvegjisë”, u shpreh trajneri i Holandës, Bert van Marwijk.

Serbia pretendon ta rrisë shkëputjen e saj me pikë ndaj skuadrave të tjera në Grupin 7. Serbët, të cilët kanë 15 pikë, 5 më shumë se Franca, llogarisin në fitore ndaj kundërshtarit të lehtë Ishujt Faro. Ndërkaq, Rusia i kërkon të tri pikë në Finlandë për t’iu afruar kryesuesit Gjermania në Grupin 4.

Suedia duhet ta harrojë shpejt humbjen befasuese në shtëpi nga Danimarka, duke e mposhtur Maltën. Ky trepikësh mund t’ia mbajë shpresat gjallë suedezëve për një kualifikim eventual në barazh. Suedia, në këtë ndeshje të Grupit 1, do të jetë në mungesë të veteranit Henrik Larsson, të cilit këto ditë i vdiq vëllai.

Maqedonia dhe Islanda do t’i hyjnë përballjes në mes vete në Grupin 9 pa ndonjë ngarkesë, kurse Ukraina, pas barazimit në Zagreb, e ka në mendje pozitën e dytë, pas të paarritshmes Anglia. Shevchenko me shokë presin fitore ndaj Kazakistanit.

Guus Hiddink është rikthyer me kohë të plotë në Rusi, pas eksperiencës së tij gjysmë vjeçare në Chelsea, ku përfundoi me një trofe të fituar, atë FA Cup.

Fitorja në Finlandë, ku Gjermania ishte ndalur 3:3 vitin e kaluar, është imperativ i Andrei Arshavin dhe bashkëlojtarëve. Fitorja ndaj Shefki Kuqit dhe shokëve të tij do t’ia mundësonte Rusisë që t’i afrohet Gjermanisë në vetëm një pikë në Grupin 4.

Ky trepikësh do t’u jepte mundësi të mirë rusëve, të cilët më pas do të tentonin që ta mposhtnin Gjermaninë në sfidën e tyre të vjeshtës në Moskë, për ta marrë përfundimisht primatin në grup.

Nëntë fituesit e grupeve dhe vendi i dytë më i mirë do të kualifikohen direkt në Afrikën e Jugut. Ndërsa tetë ekipet që i përfundojnë kualifikimet në pozitën e dytë, do të përballen në mes vete në ndeshjet e barazhit.

Kualifikimet e Botërorit 2010

Grupi 1 Ora
Suedia – Malta 19:00

Grupi 4
Finlanda – Rusia 19:30

Grupi 6
Ukraine – Kazakistani 19:00
Anglia – Andorra 21:15

Grupi 7
Ishujt Faro – Serbia 20:15

Grupi 9
Maqedonia – Islanda 17:45
Holanda – Norvegjia 20:45
Të gjitha ndeshjet luhen të mërkurën

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *