Home / Sport / Lamtumirë legjenda

Lamtumirë legjenda

Me përfundimin e sezonit në Serie A, erdhi edhe përfundimi i karrierave të disa prej futbollistëve më të mëdhenj evropianë të dekadës së fundit. Kapiteni i Milanit, Paolo Maldini, mesfushori i Interit, Luis Figo dhe mesfushori i Juventusit, Pavel Nedved janë pensionuar nga futbolli. Ata marrim me vete një bagazh të madh të titujve por do të lënë edhe kujtime për suksesin e jashtëzakonshëm të tyre.

Fundjavë e lamtumirave. Xhiroja e fundit e ndeshjeve në ligat më të mëdha evropiane, e posaçërisht në Kampionatin italian, ka sjellë pensionimin e disa prej legjendave të futbollit – Paolo Maldini, Pavel Nedved dhe Luis Figo.

Maldini, i cili muajin e ardhshëm mbush 41 vjet, dhe debutoi me Milanin si 16-vjeçar në janar 1985, i dha fund karrierës së tij si futbollist pas fitores 2-0 ndaj Fiorentinës në Artemio Franchi, ku ekipi i tij siguroi kualifikimin e drejtpërdrejtë në Ligën e Kampionëve me pozitën e tretë në Serie A.

Maldini u konsiderua si mbrojtësi më i kompletuar në gjendje të luajë në qendër apo në krahun e majtë të mbrojtjes, duke i dhënë vetëbesim gjithë ekipit. Ai zhvilloi 126 paraqitje për Italinë, duke udhëhequr Azzurrët drejt finales në Kampionatin botëror 1994, ku u mposhtën nga Brazili në penallti.

Në Milan, ai fitoi shtatë tituj të kampionit në Serie A dhe pesë kupa evropiane mes çmime të tjera, duke përfshirë një kampionat botëror të klubeve. “Kam dhënë gjithçka për fanellën e Rossonerëve”, tha ai.

Dy ikona të tjera nga Serie A po ashtu u kanë dhënë fund karrierave të tyre. Luis Figo 36 vjeç, ish-reprezentues portugez dhe fitues i çmimit të futbollistit më të mirë në botë më 2001, u pensionua me një bagazh të madh të titujve dhe kupave në Portugali, Spanjë dhe Itali, së fundi katër Scudetto të njëpasnjëshëm në Inter.

“Fitoret ishin objektivi i vetëm i karrierës sime. Të fitoj të gjitha nga ndeshjet përgatitore në stërvitje deri te kampionatet, kupat dhe çmimet individuale. E kam ditur vetëm rrugën e fitoreve, të sakrificës dhe punës së madhe”, deklaroi Figo, i cili u përshëndet në ndeshjen e së dielës në Giuseppe Meazza, ku Inter mposhti Atalantan me rezultat 4-3.

Lamtumirën nga futbolli e dha edhe mesfushori i Juventusit, Pavel Nedved. Mesfushori çek 36 vjeç kaloi tetë sezonet e fundit në Juventus, ku ishte transferuar si zëvendësim për Zinedine Zidane. Para ardhjes në Juventus, ai u shpall kampion me Slavia Pragë dhe Lazio ndërsa me Bianconerët fitoi katër Scudetto (dy prej tyre të marra pas skandalit Calciopoli), dy superkupa të Italisë. Nedved fitoi çmimin prestigjioz Topi i Artë më 2003.

“Mendoj se mjafton me kaq. Që nga sot nuk do të vrapoj më, duhet të qëndroj afër familjes sime. Është një ditë e vështirë, por edhe e mirë, sepse kam ndjerë dashurinë e madhe nga të gjithë, bashkëlojtarët dhe tifozët, të cilët duhet t’i falënderoj, sepse gjithmonë më kanë qëndruar afër. Mund të pensionohem i qetë, duke e ditur se kemi arritur sukses të madh”, deklaroi Nedved pas fitores 2-0, ndaj Lazios në Stadio Olimpico të Torinos.

Pa dyshim se futbolli italian, por edhe i gjithë ai botëror do të ndjejë mungesën e këtyre ikonave të sportit, mirëpo për të rinjtë do të jetë sfidë e jashtëzakonshme që të ndjekin hapat e tyre.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *