Home / Sport / Na ishte një herë Italia…

Na ishte një herë Italia…

Ajo Itali nuk ekziston më. Italia e kampionëve të shumtë që mezi prisnin t’i vishnin fanellat kuqezi apo bardhezi, i përket së kaluarës. Vetëm Inter i sotëm, ia del, pak a shumë, që t’u bëjë ballë klubeve të mëdha evropiane. Reali ka dalë nga binarët duke blerë futbollistë, Spanja tashmë duket si një parajsë e re për futbollistë.

Na ishte një herë një kohë kur të gjithë futbollistët dëshironin të shkonin në Itali. Një ditë, jo fort e largët. Vitet e Van Basten , vitet e Zidane dhe të gjithë atyre golashënuesve të spikatur, të cilët mezi prisnin që menaxherët e tyre të kryenin punë me klubet dhe t’i nënshkruanin kontratat. Por, kohët kanë ndryshuar për Italinë, në mënyrë dramatike.

Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, vazhdon ta fajësojë peshën fiskale, duke e dalluar Spanjën. Presidentët e klubeve të tjera e ruajnë krenarinë, duke thënë se nëse futbollistët dëshirojnë të largohen, t’i lëmë të largohen. Por, është pikërisht ky problemi: kampionët dëshirojnë të largohen!

Dhe, për të folur për këtë krizë të futbollit italian, kanë gjetur vend në faqet e tyre gazetat që nga Roma, Madridi apo edhe New York Times.

E përditshmja amerikane shkruan se yjet si Kakà, Cristiano Ronaldo ose Ibrahimovic, nuk e preferojnë shumë futbollin italian. Titulli i kësaj gazete është shumë i thjeshtë: “Mbarimi i futbollit italian”.

Keqmenaxhimi i klubeve? Stadiumet e vjetra? Rëniet financiare? Të gjitha këto mund të jenë arsye të largimit të yjeve të futbollit nga ky vend. Kjo është Italia e katër botërorëve, në fanellën e Azzurrëve janë të vendosur katër yje. Italia e klubeve më të titulluara, e Milanit, Juventusit… duket se nuk ekziston më! Duket se kanë mbetur gjërat vetëm në libër të historisë…

Portieri i Kombëtares italiane, Gianluigi Buffon, ka intervenuar në këtë çështje duke e dhënë mendimin e tij. “Është e vërtet se jemi në rënie në vitet e fundit, por mendoj se futbolli është sikur jeta, i bërë me cikle”.

Cikli italian ka përfunduar, me Calciopoli, pas Botërorit të Gjermania 2006. tash të gjithë dëshirojnë të shkojnë në Spanjë ose Angli. Për kualitet? Ose vetëm për zotërinë e quajtur Para? Kjo ka pak rëndësi. Në Itali futbollistët e mëdhenj nuk dëshirojnë të qëndrojnë më.

“Mbetet fakti se Italia është vendi i vetëm në botë që mund të konsiderohet, së bashku me Brazilin, si sinonim i futbollit”, përfundon shkrimin New York Times.

Një cikël i ri megjithatë duhet të fillojë. Ndoshta ka ardhur momenti që italianët të shikojnë tek brumi i tyre? Tek të rinjtë e tyre? Në Spanjë nuk mendojnë vetëm tek blerja e futbollistëve të huaj, sepse spanjollët kanë kapacitet të investojnë për t’i rritur talentet e tyre si Iniesta, Xavi, Casillas, të cilët janë favoritë të mëdhenj për Botërorin e ardhshëm. Ose të merret mësim nga Anglia, e cila është fabrikë e nxjerrjes së talenteve të rinj?

Shkrimi i New York Times ka arritur si përfundim i javëve, apo muajve me të vërtet të vështirë të futbollit italian. Të mbetur jetim pa Kakà, e së shpejti ndoshta edhe pa Ibrahimovic, zbrazëtira gjithnjë vazhdon të rritet. Por, Italia ka demonstruar gjithnjë në momentet më të vështira të dijë se si të ngritet. Dhe, këtë nuk mund ta vë askush në dyshim, bile as paraja.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *