Home / Sport / Sfida me kombëtaren edhe Portugalia vazhdon përgatitjet

Sfida me kombëtaren edhe Portugalia vazhdon përgatitjet

Kristiano Ronaldo është stërvitur veçmas ditën e martë, por sulmuesi i Mancesterit do të jetë rregullisht në fushë ditën e shtunë kundër Shqipërisë. Portugalia vazhdon përgatitjet intensive për sfidën me kombëtaren shqiptare, që është decizive në rrugën e saj drejt Botërorit 2010. Ndërkohë, nuk kanë munguar as deklaratat sic ishte ajo e Nanit se nuk mban mend asnjë futbollist shqiptar.

Në kampin e Portugalisë të gjithë besojnë tek një fitore në ndeshjen e së shtunës në Shqipëri. Futbollistët, por edhe trajneri Keiroz e kanë marrë më shumë se seriozisht këtë sfidë, e cila është kyçe për skuadrën luzitane në synimet për të shkuar në Botëror. Ditën e martë, Kristiano Ronaldo është stërvitur veçmas për shkak të shqetësimeve fizike, por stafi mjekësor portugez ka siguruar se ai do të jetë rregullisht në fushë ndaj Shqipërisë.

Të hënën menjëherë sa mbërriti në qendrën stërvitore të Obidos, Ronaldo deklaroi se nëse nuk fiton as në Shqipëri, atëherë më mirë që Portugalia të mos shkojë fare në Botëror. Në seancën e së martës paradite, Keiroz ka kërkuar nga lojtarët e tij të shënojnë sa më shumë gola, duke parë se ky ka qenë problemi më i madh i portugezëve. Trajneri portugez i ka ulëritur çdo lojtari që humbiste një rast edhe në stërvitje, duke treguar presionin e madh mbi të cilin ndodhet. Ndërkohë, nuk kanë munguar edhe deklaratat e yjeve të Portugalisë. Mesfushori i Mançester Junajtid Nani është shprehur me tallje se nuk njeh asnjë nga futbollistët e kombëtares shqiptare. “Edhe pse kemi luajtur një ndeshje, nuk mbaj mend asnjë prej tyre.

Në këtë ndeshje ne e kemi çdo gjë në dorën tonë”, deklaroi ai. Mbrojtësi Bruno Alvesh theksoi gjithashtu se lojtarët portugezë janë mësuar me presionin në klubet e tyre dhe kjo nuk do të jetë aspak problem kundër Shqipërisë. Ndërkohë, sulmuesi Hugo Almeida u shpreh se Portugalia këtë herë duhet të shfrytëzojë rastet që do t’i jepen, duke qenë se nuk e bëri një gjë të tillë në ndeshjen e luajtur më 15 tetor. E mbushur me yje si Deko, Kristiano Ronaldo, Nani apo Bruno Alvesh, kjo kombëtare ka zhgënjyer në ndeshjet e para. Pas 5 ndeshjeve të para, Portugalia ka vetëm 6 pikë në grupin 1 të Botërorit 2010, duke regjistruar 1 fitore, 3 barazime dhe 1 humbje. Grupi kryesohet nga Danimarka e Hungaria me nga 13 pikë, por që kanë luajtur një ndeshje më shumë.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *