Home / Sport / Shqipëri- Gjeorgji, Kuzhe: Do luajnë të rinjtë

Shqipëri- Gjeorgji, Kuzhe: Do luajnë të rinjtë

Pas ndeshjes me Portugalinë, Shqipëria do të presë të mërkurën Gjeorgjinë, në një sfidë miqësore. Trajneri Josip Kuzhe deklaroi se në këtë takim do të rrezikojë më shumë dhe se në fushë do të hedhë vetëm lojtarët e rinj.

Kombëtarja shqiptare do të luajë ditën e mërkurë ndeshjen e dytë nën drejtimin e trajnerit Josip Kuzhe, miqësoren ndaj Gjeorgjisë së Hektor Kuper. Pas atmosferës së mirë të krijuar pas ndeshjes me Portugalinë, trajneri kuqezi u shpreh optimist për ta ruajtur këtë atmosferë, ndërsa deklaroi se në fushë do të luajnë vetëm lojtarë të rinj.

“Qëllimi ynë në këtë ndeshje është të testojmë disa nga lojtarët e rinj, që nuk kanë patur mundësi të luajnë në ndeshjet zyrtare si edhe të mbajmë një atmosferë të mirë pas Portugalisë. Unë për arsye egoizmi mund të mbaja në skuadër edhe lojtarë si Skela apo Bogdani, por ne kemi një program të rëndësishëm për të provuar këta futbollistë të rinj dhe natyrisht për të rrezikuar më shumë. Unë jam shumë i lumtur që u jap shansin lojtarëve si Ujkani, Vila, Muzaka apo Hyka. Unë mendoj që të luajmë në sulm me Kapllanin dhe Salihin, sepse në ndeshjet me Gjeorgjinë apo me Qipron, ne do të krijojmë bazën për të ardhmen. Gjithashtu më vjen mirë që me Portugalinë gjetëm rrugën e golit, pasi që pas ndeshjes me Maltën, Shqipëria nuk kishte shënuar më”- tha Kuzhe.

Kuzhe shpjegoi gjithashtu edhe ëndrrën e tij për ta çuar Shqipërinë në Europianin e vitit 2012, duke deklaruar se ai ka ardhur këtu për të fituar, pavarësisht se synimet mund të jenë më pak realiste. Takimi mes Shqipërisë dhe Gjeorgjisë do të luhet të mërkurën në orën 19.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *