Home / Sport / Spanja tregon fuqinë

Spanja tregon fuqinë

Spanja i mbajti leksion të futbollit Zelandës së Re në fitoren 5-0 të inspiruar nga het-triku i Fernando Torres në ditën e parë të Kupës së Konfederatave. Në ndeshjen tjetër të Grupit A, nikoqiri Afrika jugore barazoi 0-0 me Irakun.

Spanja konfirmoi statusin e njërit prej favoritëve kryesor për të fituar Kupën e Konfederatave pas shkatërrimit të Zelandës së Re, me rezultat 5-0 në ndeshjen e tyre të parë të dielën. Sulmuesi Fernando Torres realizoi het-trik në 17 minutat e parë të takimit duke inspiruar kampionin e Evropës drejt një fitoreje rutinore e cila do tua shtoj vetëbesimin në vazhdim të garës.

Spanja zgjeroi serinë e pamposhtshmërisë në 33 ndeshje me golat e tjerë nga Cesc Fabregas dhe David Villa duke kaluar në krye të Grupit A, pasi nikoqiri Afrika Jugore barazoi 0-0 në ndeshjen e parë në Johannesburg. Spanja shpejt mori kontrollin e ndeshjes, Torres hapi serinë e golave në minutën e gjashtë ndërsa shtoi dy të tjerë në minutat 14-të dhe 17-të. Fabregas e bëri 4-0 në minutën 24-të ndërsa Villa shtoi të pestin pas një gabimi të mbrojtësit Andy Boyens pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë.

Afrika jugore barazon me Irakun

Kupa e Konfederatave filloi me barazimin e nikoqirit Afrikës jugore me Irakun 0-0 në Johannesburg. Ndeshja e Grupit A filloi pas një ceremonie të hapjes ku prezent ishte presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter. Thembinkosi Fanteni hyri në histori të garës për ndëshkimin më të shpejtë me karton të verdhë pas vetëm 120 sekondave.

Nikoqirët u rrezikuan kur Karrar Jasim detyroi portierin Itumeleng Khune të intervenoj në minutën e katërt. Më pas ishte Bernard Parker ai që testoi reflekset e Mohammed Kassid edhe pse nuk shfrytëzoi aq sa u desh mbrojtjen statike të Irakut.

Presioni ndaj Afrikës jugore u shtua dhe Mohammed grushtoi një top të dërguar nga McBeth Sibaya, e më pas priti goditjen e Fantenit. Pjesa e dytë u dominua nga Afrika jugore por ata dështuan të krijojnë raste të pastra për shënim.

Zëvendësuesi Katlego Mashego ishte afër të bëjë fillim të jashtëzakonshëm të ndeshjes pasi iu ofrua një rast vetëm 60 sekonda pasi hyri në fushë por ai goditi drejt portierit kur ishte i vetëm para tij. Vendasit ishin të pafat pesë minuta pa përfunduar ndeshja kur Kagisho Dikgacoi mendoi se kishte siguruar fitoren kur goditja e tij me kokë mposhti portierin irakian Mohammed, por topi u devijua nga bashkëlojtari Parker.

Grupi A

Afrika Jugore – Iraku 0:0
Zelanda e Re – Spanja 0:5

Tabela

Spanja 3
Afrika jugore 1
Iraku 1
Zelanda e Re 0

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *