Home / Sport / Vazhdon përplasja mes FIA-s dhe Ferrarit

Vazhdon përplasja mes FIA-s dhe Ferrarit

Vazhdon përplasja mes FIA-s dhe Ferrarit për rregulloren e vitit 2010. Presidenti Luka di Montexemolo ka reaguar pas akuzave, duke thënë se disa njerëz po kërkojnë të shkatërrojnë Formula 1. Ndërkohë edhe pilotët duken kundër këtyre qëndrimeve të forta dhe ndërhyrjeve politike.

Tashmë përplasja për rregullat e reja në Formula 1 mes presidentit të Ferrarit Luka di Montexemolo dhe FIA-s, duket totale. Të premten skadon ultimatumi për të ratifikuar regjistrimin e skuderive të FOTA-s, që janë regjistruar me rezervë, duke vendosur kushtin që rregullorja të mbetet ajo e 2009 dhe limiti i buxhetit të zhduket. Pas akuzave të FIA-s një ditë më parë se dikush nuk do që Formula 1 të zhvillohet, reagimi i Montexemolos qe akoma më i ashpër: “E kemi thënë pozicionin tonë, – tha ai. – Nuk e kuptojmë përse duan ta shkatërrojnë në këtë mënyrë Formula 1, por ne nuk regjistrohemi nëse ndryshohen rregullat”, u shpreh presidenti i Ferrarit. Ndërkohë, për pilotin Felipe Masa ndërhyrjet dhe problemet politike janë duke prishur botën e Formula 1, duke nënkuptuar pikërisht problemet që kanë rrjedhur nga kriza ekonomike. “Kur ulesh në makinë dhe vë helmetën, nuk mendon shumë për politikën dhe politikanët, por vetëm të ecësh sa më shpejt të mundesh. Kështu që shpresoj që këto gjëra të marrin fund sa më shpejt, sepse tifozët nuk duan të dëgjojnë edhe aq për problemet tona”, deklaroi piloti brazilian. Ferrari është skuderia që është në qendër të polemikave me FIA-n në lidhje me rregulloren e vitit 2010, që parashikon kufizim deri në 45 milionë euro të kostove si edhe ndryshime rrënjësore të rregullores. Pavarësisht kërcënimit më shumë se serioz të skuderisë kokëkuqe se nuk do të marrë pjesë në Botërorin e ardhshëm, kreu i FIA-s Maks Moslei nuk ka hequr dorë nga ideja e tij dhe lufta ka marrë përmasa të frikshme. Madje, tashmë nuk duket aspak cudi që në Botërorin e ardhshëm të mos jetë një skuderi e famshme si Ferrari.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *