Home / Sport / Xhemaili i pavendosur

Xhemaili i pavendosur

Blerim Xhemajli nuk largohet nga Torino, nëse ky klub prezanton një projekt serioz. Futbollisti shqiptar thotë se nuk do të kërkojë asnjë euro më shumë dhe se nuk e ka problem të luajë në Serie B, në rast se klubi Granata i jep qartësi për ambiciet që ka. Ndërkohë, interesimi i klubeve për përfaqësuesin zviceran nuk ka të ndalur.

Blerim Xhemajli kërkon qartësi. Mesfushori shqiptar kërkon nga udhëheqësit e klubit të tij aktual, Torino, që t’i tregojnë për ambiciet e tyre dhe për projektin që kanë ata, në mënyrë që më pas të vendosë nëse do të qëndrojë në klubin Granata apo jo.

E ardhmja e 24-vjeçarit te Toro nuk është e sigurt, pasi që ky klub ka rënë nga Serie A. “Nuk dëshiroj të arratisem dhe nuk e dëshiroj asnjë euro më shumë. Unë vetëm dua qartësi, dua të di nga Torino se çfarë projekti ka”, tha fillimisht Xhemajli në një intervistë dhënë për të përditshmen italiane, Tuttosport.

Edhe presidenti i klubit, Urbano Cairo, javë më parë kishte deklaruar se nuk e ka ndërmend ta shesë futbollistin. Torino e ka blerë përfundimisht kartonin e Xhemajlit, javën e kaluar, nga Bolton për 2 milionë. Kurse, ky klub tash e vlerëson futbollistin tre-katër fish më shtrenjtë.

“Ju përgjigjem në këtë mënyrë: e vërteta është se unë nuk e di ende se ku do të luaj sezonin e ardhshëm. Dua të jem mjaft i qartë. Por, së pari duhet të flas me klubin. Kur them se ende nuk e di se ku do të luaj, kjo nuk do të thotë se kam vendosur të largohem. Kjo nuk do të thotë se nuk kam dëshirë të luaj në Serie B”, vazhdoi përfaqësuesi zviceran.

Për Xhemajlin, interesim kanë shfaqur disa skuadra nga Serie A, si Roma, Lazio, Fiorentina, Napoli, Sampdoria e Udinese. Por, futbollisti për momentin është në pushime dhe këtë punë ia ka lënë menaxherit të tij.

“Nuk e di se cilat klube më kërkojnë, unë jam në pushime. Për momentin nuk shikoj se çka bëjnë apo çka mendojnë skuadrat e tjera. Tash për tash më intereson ta njoh projektin e Torinos, projektin e vërtetë të këtij klubi, sa është i qartë ky klub, sa është ambicioz. Unë nuk kam problem të luaj në Serie B, por vetëm nëse Torino ka qartësi, program konkret, të sigurt dhe të rëndësishëm. Kjo do të thotë që ky klub ta zhvillojë një kampionat të rëndësishëm, që të luftojë për t’u rikthyer në Serie A. E përsëris, nuk është problem parash, por i qartësisë së projektit”, përfundoi Xhemajli.

Edhe trajneri i ri i këtij klubi, Stefano Colantuono, në prezantimin e tij para mediave, e ka shprehur dëshirën që ta ketë në ekip për sezonin e ardhshëm, futbollistin shqiptar. Mirëpo, Colantuono e do Xhemajlin vetëm nëse është i motivuar. “Është çështje e ndërlikuar. Xhemajli ka rëndësi të madhe për skuadrën, do të isha i kënaqur nëse do të mbetej. Por, nuk bën punë nëse e mbajmë dikë që nuk ka motiv, në projektin tonë”, tha trajneri i Torinos.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *