Home / Sport / Barcelona prezanton Ibrahimovic-in

Barcelona prezanton Ibrahimovic-in

Ibrahimovic është prezantuar me fanelën e Barcelonës, duke u bërë zyrtarisht futbollist i këtij ekipi. Suedezi deklaroi se dëshironte një tjetër sfidë në karrierë, ndërsa e quajti Barcelonën klub special.

Zllatan Ibrahimoviç është përfundimisht futbollist i Barcelonës. Edhe pse me një frakturë në dorën e majtë, suedezi ka kaluar testet mjekësore dhe është prezantuar me fanelën e skuadrës katalanase, me të cilën ka nënshkruar një kontratë 5 vjeçare. Klubi spanjoll ka zbuluar edhe shifrat totale të transferimit, sipas të cilave Ibra ka kushtuar 66 milionë euro, 46 prej të cilave i janë dhënë Interit në dorë dhe 20 të tjera është vlerësuar kartoni i Samuel Eto. Në tratativë është futur edhe huazimi për një vit i Aleksandër Hleb, madje Interi ka futur edhe një opsion që ai të blihet për 10 milionë euro sezonin e ardhshëm. Por, çudia më e madhe është klauzola që Barcelona i ka vendosur suedezit pas nënshkrimit të kontratës. Kështu, klubi që dëshiron të blejë atë duhet të paguajë tashmë 250 milionë euro. Konferencën e zakonshme për shtyp, Ibra e filloi duke i falënderuar të gjithë, nga Barcelona, te Laporta, agjenti i tij dhe në veçanti presidentin Morati. “Unë dhe familja ime kemi kaluar mirë në Milano, por tani dua të bëj një hap tjetër. Nuk kanë qenë javë të lehta për mua, por jam këtu për të zhvilluar më mirë karrierën time. Kisha bërë një akord prej muajsh me Moratin, por vetëm Barcelona mundej dhe donte të më blinte. Tani, askush nuk është më i lumtur se unë”. Zllatan më pas foli për shokët e rinj dhe për Champions League, objektivin e tij kryesor në karrierë. “Nuk e di përse nuk e kam fituar kurrë këtë trofe, pasi gjithnjë kam dhënë më të mirën. Të vish këtu dhe të luash me Mesin, Ksavin, Iniestën, është një nder. Ka shumë klube të mëdha, por Barcelona është speciale”, deklaroi suedezi. Ibrahimoviç falënderoi edhe Italinë, që sipas tij i ka dhënë shumë, ndërsa nuk harroi trajnerët e tij në Serinë A, Kapelon, Mançinin e Murinjon. Ai u premtoi tifozëve katalanas trofe të tjerë dhe se do të luftojë për skuadrën më shumë se për veten e tij.

Më vonë ai është prezantuar edhe para afro 75 mijë tifozëve blaugranë, madje ka puthur shenjën e klubit të ri që në daljen e parë publike me veshjen e Barcelonës (numrin 9).

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *