Home / Sport / Bruce nuk iu beson syve për Canën

Bruce nuk iu beson syve për Canën

Steve Bruce nuk iu beson syve që ia ka dalë ta transferojë Lorik Canën, duke e pasur parasysh se atë e kërkonin skuadra si Hamburg, Arsenal e Liverpool. Menaxheri i Sunderland beson në kualitetin e mesfushorit shqiptar, të cilin e vlerëson lartë. Bruce pret kontribut të madh nga Cana.

Menaxheri i Sunderland, Steve Bruce, nuk iu beson syve që ka arritur ta transferojë mesfushorin shqiptar Lorik Cana nga skuadra franceze Olympique Marseille. Menaxheri anglez ndihet i lumtur që ia doli t’i siguronte shërbimet e përfaqësuesit shqiptar, të cilin e kërkonin disa ekipe evropiane si Hamburg, Arsenal e Liverpool. Bruce pret kontribut të madh nga ana e 25 vjeçarit për klubin e tij, të cilin e bleu 6 milionë euro.

“Ai është futbollist kualitativ, është lider dhe me të vërtet gjithçka që pëlqej tek një lojtar. E kisha fatin që e pash vitin e kaluar duke luajtur në dy ndeshje ndaj Liverpool në Ligën e Kampionëve. Por, nuk kam besuar kurrë se do ta kisha shansin që ta angazhoja atë, posaçërisht për faktin se për të kishin shprehur interesim shumë skuadra. Transferimi i tij tek ne është një gjë fantastike”, deklaroi Bruce, për mediat angleze.

Trajneri anglez thotë se vendimtar në këtë transfer ishte babai i Lorikut, Agimi, i cili njëkohësisht është edhe agjenti i tij. “Ne e takuam babanë e tij mbrëmë dhe ai dëshironte që gjithçka të kryhej për 24 orë. Kjo tregon se sa kishte dëshirë futbollisti të luante për Sunderland”, shtoi ai. Bruce është i sigurt se temperamenti i Canës në mesfushë, do ta ndihmojë ekipin e tij, të cilit i mungoi një lojtar i tillë sezonin e kaluar.

“Ai është i madh dhe i fuqishëm. Cana është fitues, gjithmonë ishte i tillë. Ai do të jetë një ‘gjuajtje’ e mirë për ne dhe do të adaptohet në Premierligë, për këtë jam i sigurt. Pozita e kapitenit tek Marseille tregon shumë për futbollistin dhe për karakterin e tij. Ai ka eksperiencë ndërkombëtare dhe jam i bindur se do të japë kontribut të madh për skuadrën e Sunderland”, vazhdoi Bruce.

Cana, i cili nënshkroi kontratë katër vjeçare, pritet t’i bashkohet klubit të ri në mesjavën e ardhshme. Me gjithë transferimin e kosovarit, Bruce thotë se nuk do të ndalet me kaq. Ai dëshiron të transferojë mesfushorë të tjerë në klub.Tashmë ish futbollisti i Marseilles ishte transferimi i tretë i Sunderland gjatë kësaj vere pas paraguaianit Paulo Da Silva dhe anglezit Fraizer Campbell. Cana do të shtojë në dy numrin e futbollistëve shqiptarë që luajnë në Premierligën angleze, pas Valon Behramit. Më parë, një gjë të tillë e kishte ‘shijuar’ sulmuesi Shefki Kuqi.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *