Home / Sport / Cana do të jetë kapiten i Sanderlendit —- Olimpik Marsejë: Faleminderit Lorik Cana!

Cana do të jetë kapiten i Sanderlendit —- Olimpik Marsejë: Faleminderit Lorik Cana!

Paga e Canës do të jetë më e larta në historinë e Sanderlendit, afro 2.5 milionë euro neto në sezon.

Kapiteni i përfaqësueses së Shqipërisë dhe ish-kapiteni Olimpik Marsejit, Lorik Cana, do të jetë kapiten edhe në skuadrën e tij të ardhshme, Sanderlend, ka njoftuar trajneri i tij, Stiv Bruse.
“Cana do të jetë kapiten. Ai ka qenë kapiten i Marsejit, ai është kapiten i kombëtares së Shqipërisë dhe ai është një luftëtar i vërtetë, një lloj lojtari për të cilin kishim nevojë”, ka thënë trajneri Stiv Bruse.
Paga e Canës do të jetë më e larta në historinë e Sanderlendit, afro 2.5 milionë euro neto në sezon.
Ana financiare ishte edhe arsyeja kryesore që Cana zgjodhi të kalonte në një klub jo të niveleve më të larta në Angli.
Cana bëhet kështu futbollisti i parë shqiptar që luan në Premier Ligë, duke perjashtuar Kuqin dhe Behramin, te cilet kane pasaporta te Finlandes gjegjesisht Zvicres.

Tifozët e Olimpikut ndiejnë keqardhje: S’do ta shohim më në Ligën e Kampionëve

Çfarë mund të themi më shumë për Lorik Canën, përveçse grinta dhe dëshira e tij për të fituar do të na mungojë. Janë të paktë futbollistët që janë aktivizuar tek Olimpiku i Marsejës dhe që kanë ndryshuar kaq shumë brenda katër viteve. Lorik Cana, megjithëse nuk është pasardhës i Peles apo Maradonës, ka treguar se nuk është si të tjerët, që e kanë veshur edhe më parë bluzën e Marsejës. I lindur në Kosovë, është detyruar të emigrojë në Zvicër në vitin 1992. U ingranua shumë shpejt në skuadrat zinxhir të Lozanës, derisa u pikas nga Arsen Venger, që për shkak të mungesës së vizës nuk mund ta merrte tek Arsenali. Meqë Lorikut nuk mund t’i realizohej ëndrra për të luajtur në “Highburi”, nuk e la t’i shpëtonte mundësia për të zbuluar kampionatin francez, si fillim te PSG ja. Në Paris u konsiderua i tepërt, një lojtar i padëshiruar, por jo për shumë kohë.

Transferimi nga PSG-ja në Marsejë

Në sezonin e parë me skuadrën e parë të PSG së, Lorik Cana luan në 32 ndeshje, duke dhënë kontribut të madh për këtë skuadër, që në përfundim të kampionatit u rendit në vend të dytë. Ecuri shumë e mirë për “armiqtë” e Marsejës. Pas këtij suksesi, ishte e pakuptueshme që një futbollist si Lorik Cana, i fundit që mund të kritikohej te PSG ja, u shit tek Olimpiku i Marsejës për 3 milionë euro. Dhe ç’është më e keqja, te rivalët e përjetshëm të kryeqytetasve. Nëse një vit më parë eksperienca e Fiorezes rezultoi një zhgënjim total, Cana u tregoi njerëzve në “Velodrom” se kurrë më parë nuk kishin parë një futbollist si ai, bujar dhe agresiv, që ka dhënë gjithçka për këtë bluzë, pavarësisht titujve të munguar. Gjatë viteve të fundit, mercenarët donin të vendosnin hegjemoninë e tyre në drejtimin e Zhan Fernandezit, por Papa Diuf hapi një epokë të re, me politika të reja, ku në qendër të vëmendjes ishte Lorik Cana.

Heroi i tifozëve marsejezë

Ndryshe nga shumë lojtarë të së shkuarës, Lorik Cana kurrë nuk ka dashur t’u bëjë reklamë cilësive të tij, ndonëse imazhi i tij është shfrytëzuar nga revistat e modës. Përkundrazi, ka preferuar që gjithçka ta tregojë në fushën e blertë. Dhe publiku ka ditur ta vlerësojë një futbollist, që nuk mund të mos e duash. Sepse Lorik Cana ishte gjithmonë i gatshëm për sakrifica, për të mirën e skuadrës.

Mjafton të kujtojmë predispozicionin e tij për të luajtur në qendër të mbrojtjes, edhe pse është mesfushor shkatërrues. Sa për ta kujtuar, objektivi i parë i Lorik Canës ishte shfaqja e “inatit” ndaj PSG së. Gëzimi pas shënimit të golit ishte i papërshkrueshëm, sepse i ka mbyllur gojën më skeptikut, që mendonte se nuk ishte lojtar për Marsejën. Por Loriku do të tregonte të kundërtën. Menjëherë ka gjetur vend si titullar në qendër të mesfushës. Për katër sezone rresht ka luajtur në 123 ndeshje të kampionatit, 18 në Kupën e Francës dhe në 32 ndeshje ndërkombëtare (kupat e Europës).

Para se të flitet për kapitenin Cana dhe për personalitetin e tij, duhet të kujtojmë një episod në muajin gusht të 2006 ës. Luhej java e dytë e kampionatit, Marseja priste Renen. Jusuf Haxhi, sulmuesi i Renës po rrezikonte portën e Marsejës, por Cana ndërhyri në kohë dhe serviri menjëherë Pagisin, që u hodh në kundërsulm.

Marseja kaloi në avantazh dhe Cana shprehu të gjithë grintën e tij për këtë fitore. Kështu pra, Lorik Cana është përshtatur shumë shpejt në Marsejë, në qendër të mesfushës. Por pa dyshim edhe në zemrën e tifozëve. Ishte e natyrshme që pas largimit të Habib Beje drejt Njukasëllit, shiritin e kapitenit do ta mbante Lorik Cana. Pas largimit të trajnerit Albert Emon, vjen Erik Gerets, që gjithashtu ka besim të plotë te kapiteni Cana. Sa për ta mbyllur, Cana pranoi të luante për kombëtaren e vendit të tij, pavarësisht se kishte pasaportë zvicerane dhe franceze. Në vitin 2003 ka bërë debutimin me Shqipërinë në moshën 19 vjeçare dhe tani pritet të jetë kapiten i kombëtares.

Divorci me mirëkuptimin e klubit

Cana nuk është lojtari i parë dhe as i fundit që ka kërkuar “divorcin” nga skuadra e Marsejës (është i bindur që deklarata se “nuk dua të largohem, por…” është vetëm lojë fjalësh). Ndërkohë që Diuf dhe Gerets vendosën të largoheshin, Deshamp erdhi në krye të Olimpikut të Marsejës me ambicie të reja. Është normale që Cana dhe Marseja të shikojnë interesat reciproke. Secili duhet të ndjekë rrugën e tij.

Është e vështirë ta kuptosh si dhe pse, gjithsesi dëshira e Canës ishte të luantë gjetkë, në Gjermani ose Angli. Cana kishte marrë edhe konsensusin e klubit, kështu që i sapoardhuri Deshamp duhet të gjente pasuesin e tij. Ai ishte Stefan Mbia. Thuasje ishte arritur marrëveshja me Hamburgun, që ra poshtë për arsye që mbeten misterioze. Por Cana nuk mund të kthehej prapa, pasi largimi i tij ishte vendosur. Sandërlendi bie dakord për 6 milionë euro. Tifozët e “Maceve të Zeza” duhet të jenë të gëzuar, pasi kanë marrë një kampion të madh.

Jo përgjithmonë “Mace e Zezë”!

Olimpiku i Marsejës, me këtë marrëveshje me Sandërlendin, ka humbur rreth 2 milionë euro, por nuk është kjo dhimbja që duhet të ndiejmë me largimin e Canës. Zemra e marsejezëve nuk do të dëshironte që një idhur si Cana të largohej te një skuadër si Sandërlendi, por te një emër më i madh se Marseja. Problemi është se në Angli, me skuadrën e re, Lorik Cana nuk do të luajë më në Ligën e Kampionëve. Fjala e fundit: “Një falënderim të madh për Lorik Canën, të cilin nuk do ta harrojmë për asnjë moment, duke shpresuar që të mos bëhet përgjithmonë një “Mace e Zezë”.

Cana, sot mbush 26 vjeç

Ish-kapiteni i Olimpikut të Marsejës, që këtë sezon do të luajë në Angli me Sandërlendin, sot mbush 26 vjeç. E ka nisur karrierën në Zvicër te të rinjtë e Lozanës, për të përfunduar në moshën 16-vjeçare te PSG-ja. Në vitin 2005 Cana u transferua në “Velodrom”, ku luajti për 5 sezone. Pikërisht në moshën 26-vjeçare do të nisë aventurën në Premier Ligë, me Sandërlendin.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *