Home / Sport / Atletikë, Isinbajeva dështon në të gjitha provat

Atletikë, Isinbajeva dështon në të gjitha provat

Jelena Isinbajeva është surpriza më e madhe e Botërorit të atletikës. Rusja, që ka realizuar 26 rekorde në kërcimin me shkop, dështoi në të gjitha provat, duke u renditur e fundit. Në fund ajo shpërtheu në lot, pasi medalja e artë mendohej se do të ishte shumë e thjeshtë edhe këtë herë.

Rusja Jelena Isinbajeva realizoi surprizën më të madhe në Botërorin e Atletikës që po zhvillohet në Berlin, pasi nuk realizoi asnjë nga provat në kërcimin së larti me shkop. Rekordmenia dhe kampionia e botës për shumë vite radhazi i zhgënjeu të gjithë me paraqitjen e saj, ndërsa në fund shpërtheu në lot. Ajo tentoi të kapërcente 4 metra e 80 centimetra, por nuk arriti, duke i dhuruar fitoren polakes Ana Rogovska. Isinbajeva është mbajtësja e 26 rekordeve radhazi në kërcimin me shkop së larti, ndërsa është e para femër që ka kaluar lartësinë e 5 metrave. Amerikania Çelsi Xhonson dhe polakja tjetër Monika Pirek morën të dyja medalje argjendi pasi kaluan lartësinë 4.65 metra.

Ndërkohë në garën e 100 metrave për femra, kampionia olimpike nga Xhamajka Shelli-An Frejzër fitoi medaljen e artë, duke dhënë kohën 10 sekonda e 73 të qindtat. Një konfirmim ky për formën e shkëlqyer të sprinterëve nga Xhamajka, teksa edhe medalja e argjendit u fitua nga xhamajkania tjetër Kerron Stjuart.
Gara e 10 mijë metrave për meshkuj edhe këtë herë pati si protagonist etiopianin Kenenisa Bekele, që u bë kampion bote për herë të katërt. Bekele dha kohën 26 minuta, 46 sekonda e 31 të qindtat.

Ndërsa në hedhjen e çekiçit, medalja e artë i shkoi sllovenit Primoz Kozmus, që e hodhi atë 80.84 metra.
Në kërcim 3 hapësh për femra, fituese doli kubanezja Jargelis Savinje, e cila arriti gjatësinë 14.95 metra, rreth 34 centimetra nga vendi i dytë i Mabel Geit.
Në finalen e fundit, spanjollja Marta Domingez fitoi medaljen e artë në 3 mijë metra me kohën 9 minuta, 7 sekonda e 32 të qindtat.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *