Home / Sport / Eksplodon Kuqi

Eksplodon Kuqi

Shefki Kuqi ka eksploduar në ndeshjen e parë zyrtare me Koblenzin. Sulmuesi shqiptar shënoi dygolësh të dielën kundër Concordia Hamburgut, për t’ia siguruar klubit të tij të ri kualifikimin në rrethin e dytë të Kupës së Gjermanisë. Kuqi ndihet i lumtur me golat dhe me fitoren, për të cilën thotë se do t’i japë besim ekipit, para fillimit të sezonit në Bundesliga 2.

Tus Koblenz, të dielën e zhvilloi ndeshjen e parë zyrtare, duke e mposhtur skuadrën Concordia Hamburg me rezultat bindës 4:0, në kuadër të rrethit të parë të Kupës së Gjermanisë (DFB Cup).

Padyshim, hero i padiskutueshëm i kësaj ndeshjeje ishte transferi nga Crystal Palace, Shefki Kuqi, i cili shënoi dy gola. Sulmuesi kosovar, i cili luajti gjatë gjithë ndeshjes, ndjehet i lumtur me paraqitjen e tij.

“Ne i përmbushëm të gjitha detyrat tona. Kjo fitore na jep më shumë besim për fillimin e garave kampionale. Unë jam i kënaqur me dy golat që i shënova. Tifozët e Koblenzit na përkrahën gjatë gjithë ndeshjes”, ka deklaruar Kuqi, i cili gjatë kësaj vere i është bashkuar Koblenzit ku luan edhe vëllai i tij, Njaziu.

Golin e parë Kuqi e shënoi në minutën e 13-të të ndeshjes, ndërsa të dytin personal, përkatësisht të katërtin për Koblenzin, e realizoi në minutën e 66-të. Me këtë fitore, Koblenz kaloi në rrethin e dytë të DFB Cup pas plot dy vitesh.

Në anën tjetër, vëllai i Shefkiut, Njaziu, thotë se është kënaqur duke luajtur me vëllanë e tij të madh. “Shefkiu shënoi dy gola dhe luajti shumë mirë gjithandej. Skuadra jonë po shkon mirë e më mirë. Shefkiu dha kontribut të madh në fazën e sulmit, andaj tash e tutje nuk jam i obliguar t’i bëj të gjitha gjërat i vetëm në sulm”, tha Njazi Kuqi. Ky i fundit në këtë takim ka luajtur vetëm në pjesën e parë.

“Unë isha pjesëmarrës në golin tonë të dytë dhe atë të tretë. Ditëve të fundit kam vuajtur nga një sëmundje e gripit. Megjithatë, jam i kënaqur me paraqitjen time. Unë u largova nga loja në pjesën e dytë me qëndrim të mirë, ne kishim vendosur që unë të luaja vetëm një pjesë të lojës”, përfundoi Njaziu, i cili u zëvendësua nga Muller, me të përfunduar pjesë loja e parë.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *