Home / Sport / Ferati sulmohet nga bashkëlojtari i tij

Ferati sulmohet nga bashkëlojtari i tij

Portieri i Baselit, Franco Costanzo ka sulmuar bashkëlojtarin e tij, Beg Ferati pas ndeshjes Basel – Zurich, me pretekst se ai ishte fajtor për golin e pësuar. Mbrojtësi kosovar ka mbetur i habitur me këtë, derisa argjentinasi është penduar për gjestin që ka bërë.

Pas ndeshjes derbi ndërmjet dy klubeve zvicerane, Basel dhe kampionit aktual, Zurich ka ndodhur një e papritur. Derisa gjyqtari i ndeshjes, Massimo Busacca dha shenjën për përfundimin e ndeshjes, disa metra larg tij, në atë moment eskalon situata.

Portieri i Baselit, Franco Costanzo vrapon i verbuar nëpër fushë, ku kapi për flokësh mbrojtësin kosovar dhe njëherësh bashkëlojtarin e tij, Beg Feratin, të cilin gati sa nuk e rrëzoi për toke.

Kosovari me pasaportë zvicerane pas ndeshjes i kishte thënë menaxherit të tij nëpërmjet telefonit, se Costanzo e kishte fajësuar atë për golin e epërsisë, të cilin e kishte shënuar Zurichu.

Ajo që është edhe më e çmendur: është se sulmuesi i Zurichut, Eric Haslli, ishte ai që tentoi të ndajë i pari dy grindavecët. Ai fillimisht ia arrin qëllimit. Por më pas fillon të nxehet edhe gjaku i viktimës Ferati, të cilin tre bashkëlojtarë të tij tentojnë ta ndalin.

Costanzo mbrohej nga më e keqja, me ndihmën e bashkëlojtarëve tij të tjerë, derisa në ato momente ndërhyn edhe trajneri i Baselit, Torsten Fink. Më pas, gjatë konferencës për shtyp, Fink me qetësi thotë para gazetarëve: ”Gjëra të caktuara ne i zgjidhim në mënyrë interne”.

Sidoqoftë, nxitësi i grindjes, Constanzo, shpreh pendimin e tij para gazetarëve, pas hyrjes në kabinë. ”Turpërohem, për herë të parë në karrierën time e kam humbur durimin në këtë mënyrë. Shikuesit nuk e kanë merituar një aksion të këtillë”.

Ferati është ankuar te kryetari i Baselit, Gigi Oeri dhe te nënkryetari Bernhard Heusler, duke theksuar se ai nuk ka qenë fajtor për golin që ka pësuar. Ai gjithashtu shprehu habinë se Constanzo ende nuk i ka kërkuar falje, por Constanzo kishte qartësuar se këtë kishte synuar ta bëjë gjatë ditës së djeshme.

A do të angazhohet në lidhje me këtë rast edhe Federata zvicerane e Futbollit. Ka gjasa. Gjykatësi disiplinor, Urs Studer, mund të shprehë dënime, pasi që të ketë shikuar materialin televiziv.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *