Home / Sport / Shkëndija shënon fitore me lojë të dobët

Shkëndija shënon fitore me lojë të dobët

Shkëndija ka startuar me fitore kampionatin e ri në Ligën e Dytë, pasi që e mundi Vëllazërimin e Kërçovës me rezultat 2:0. Megjithatë edhe përkundër fitores së arritur, loja që treguan “kuq e zinjtë” aspak nuk ka kënaqur tifozët e Shkëndijës. Drita nga Miravci kthehet me tre pikë, ndërsa Vllaznimi i Strugës mundi 11 Oktomvrin.

Pasditën e të shtunës startoi kampionati i ri në Ligën e Dytë të futbollit në Maqedoni. Skuadrat shqiptare arritën të marrin fitore, në përjashtim të Vëllazërimit të Kërçovës, të cilët në Tetovë u mposhtën nga Shkëndija. “Kuq e zinjtë” arritën të arkëtojnë tre pikë pas fitores 2:0, mirëpo paraqitja e tyre ishte e zbehtë dhe ka lënë shumë për të dëshiruar. Edhe pse të përzgjedhurit e Qatip Osmanit që në fillim të takimit tentonin të vendosin autoritet në lojë, me qëllim që me shpejtësi të gjejnë golin e epërsisë, megjithatë rastet për të shënuar mungonin. Lojës së Shkëndijës i mungonte rrjedhshmëri, ide, fantazi dhe gjithçka që duhej për të thyer kundërshtarin. Jo që vendasit nuk tentonin, por kishin vështirësi të mëdha për të organizuar ndonjë sulm më të rezikshëm dhe kjo gjë solli paknaqësi në mesin e shikuesëve, të cilët në disa momente fishkëllenin aktorët në fushë. Në kushte të tilla pjesa e parë u mbyll me rezultatin e fillimit 0:0.
Edhe pjesa e dytë filloi njëjtë si e para, dhe u desh që miqtë të mbesin me 10-të futbollistë në fushë, që Shkëndija të fillojë të luajë futboll. Pas një tollovie të panevojshme referi kryesor largon nga loja me karton të kuq një futbollist të Vëllazërimit. Pas kësaj futbollistët vendas përmirësuan lojën e tyre duke krijuar disa raste të mira për të shënuar, prej të cilave shfrytëzuan vetëm dy. Ersen Sali dhe Bllagojçe Gllavevski ishin autor të golave që Shkëndijës i siguruan tre pikë në start të sezonit të ri. Megjithatë edhe përkundër fitores, në taborin e Shkëndijës me shpejtësi duhet të ndryshohet diçka, pasi që në të kundërtën me lojën e treguar nuk mund të shpresojnë shumë. Vlen të ceket se me lojën e treguar Burhan Emërllahu ka vërtetuar se do të ketë bartës i lojës së Shkëndijës, ndërsa paraqitje të mirë kishin edhe Elmazovski, Hasani dhe Huseini.

Drita e Bogovinës gjithashtu ka nisur me fitore. Ata me rezultat 3:1 mundën Miravcin dhe vërtetuan kandidaturën e tyre për kreun e tabelës. Edhe Vllaznimi i Strugës ka shënuar sukses në ndeshjen e parë, pasi mundi 2:1 11 Oktomvrin. Bregallnica fitoi 1:0 derbin me Bellasicën, Ohri befasoi 3:0 në fushë të Cementarnicës, ndërsa ish-anëtari i Ligës së Parë Napredoku ka fituar 0:1 në fushë të Lokomotivës.

Rezultatet e javës së parë:

Shkëndija 2-0 Vëllazërimi
Miravci 1–3 Drita
Vllaznimi 2–1 11 Oktomvri
Cementarnica 0–3 Ohri
Bregallnica 1-0 Bellasica
Skopje 2–0 Novaci
Lokomotiva 0-1 Napredoku

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *