Home / Sport / Shqipëri – Qipro 6-1. Fitore historike

Shqipëri – Qipro 6-1. Fitore historike

Rekord. Fitore historike. Ndeshje madhështore. Shqipëri magjike. Tenistike. E papërsëritshme. Kështu mund të përshkruhet loja e kombëtares Shqiptare,pas fitores 6:1 në miqësoren me Qipron.

Kombëtarja e Shqipërisë ka shënuar fitore bindëse në ndeshjen e mbrëmshme miqësore në “Qemal Stafa” ndaj Qipros, me rezultat 6:1. Me këtë fitore kuqezinjtë kanë fikësuar një rekord sa i përket numrit të golave të shënuar dhe njëherësh i dhanë fund serisë negative në përballjet me Qipron.
Përzgjedhësi kroat, Josip Kuzhe ka shfrytëzuar të gjithë futbollistët në dispozicion, përveç portierit Hidi. Në fakt, kroati portën kuqezi që nga fillimi e deri në fund ia ka besuar kosovarit, Samir Ujkani. Golat për kombëtaren shqiptare janë shënuar nga Ervin Skela (25′-pen, 44′-pen), Erjon Bogdani (65′), Klodian Duro (67′), Ansi Agolli (71′) dhe Emiliano Vila (75′), kurse golin e vetëm për qipriotët e ka realizuar Karalambidis (37′) që ishte goli i barazimit të përkohshëm. Kroati Kuzhe pas ndeshjes është shprehur tejet i kënaqur me paraqitjen e djelmoshave kuqezi. “Vetëm pas ndeshjes e mora vesh se ky rezultat është rekordi historik pozitiv i kombëtares shqiptare”, ka theksuar Kuzhe, duke shtuar: “Pas një ndeshjeje futbolli, sidomos kur rezultati është i tillë, trajneri e ka të vështirë t’i shmangë emocionet. Vërtet jam shumë i lumtur që më në fund kombëtarja shqiptare arriti të fitojë, madje me rezultat të thellë. Jam i lumtur për shumë arsye: për fitoren, për gëzimin që u dhuruam tifozëve dhe për lojën shumë të mirë që zhvilluan futbollistët tanë”. Në anën tjetër, futbollisti më i mirë i kombëtares, Lorik Cana është shprehur: “Duhet të besojmë te kjo kombëtare, sepse lojtarët që janë dhe këta që po vijnë po tregojnë dëshirë të madhe. Trajneri Kuzhe ka një plan afatëgjatë për të qenë të sukseshëm. Përkushtimi është maksimal nga të gjithë, ndaj nuk ka arsye pse të mos shpresojmë në edicionin e ardhshëm. Kjo ndeshje do të na shërbejë shumë për ndeshjet zyrtare me Danimarkën dhe Suedinë”. Një rezultat rekord askush nuk e kishte besuar. Për Lorik Canën gjithçka ka qenë perfekte. “Sonte (mbrëmë) na ka shkuar mbarë, që kemi fituar 6-1. Gjithçka ka qenë perfekte dhe shumë pozitive. Pa dyshim që trajneri ka sjellë disa gjëra të reja, por duhet të punojmë sa më shumë, sepse puna që kemi për të bërë është shumë e madhe. Kemi nisur një cikël të ri me disa lojtarë të rinj. E rëndësishme është që secili nga ne të aktivizohet në klubin e tij, që të ketë një nivel për t’i shërbyer edhe ekipit kombëtar. Fitoret me kombëtaren të bëjnë edhe më krenar”, ka theksuar Cana.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *