Home / Sport / Starton Serie A

Starton Serie A

Largimet e Leite Kakas dhe Zlatan Ibrahimovicit kanë lënë Kampionatin italian nën presion të dëshmojë se ende ka kualitet për të rivalizuar ligat më të forta evropiane. Serie A fillon këtë fundjavë – Inter ndjek titullin e pestë të njëpasnjëshëm, por Juventus është përforcuar seriozisht. Milan synon ringjalljen me Leonardon.

Sezoni i ri është vendimtar për futbollin italian në shtëpi, por edhe arenën ndërkombëtare. Në pritje të fushatës për mbrojtjen e titullit të kampionit të botës në fund të sezonit, selektori Marcello Lippi do të shpresojë që liga italiane do të zgjojë vëmendjen botërore para fillimit të garës në Afrikën e Jugut.

Kampioni në fuqi Inter ndjek titullin e pestë të njëpasnjëshëm dhe është ekipi favorit. Juventus në krye me trajnerin e ri, Ciro Ferrara, pritet të jetë rivali i tij kryesor.

Për Interin në veçanti dhe klubet italiane në përgjithësi, Evropa është sfidë e madhe pas rezultateve dëshpëruese nga viti i kaluar. Inter, Juventus, Roma dhe Fiorentina nuk arritën të kalojnë fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve. Udinese shkoi një fazë më larg, por u mposht nga Werder Bremen në çerekfinale të Kupës UEFA.

Këtë vit, kampioni Inter, Juventus, Milan dhe Fiorentina do të luajnë në Ligën e Kampionëve. Genoa, Roma dhe fituesi i Kupës së Italisë, Lazio do të marrin pjesë në Europa League.

Ndërkombëtarisht liga duhet të rikthejë imazhin pas viteve të korrupsionit, shikueshmërisë në rënie dhe standardit të ulët. Këtë verë, Serie A ishte lënduar kur dy yjet kryesore të saj shkuan në Spanjë.

Leite Kaka i Milanit iu bashkua Real Madridit, ndërsa Zlatan Ibrahimoviç u largua nga Inter drejt Barcelonës. Por, sulmuesi kamerunas, Samuel Eto’o erdhi në Inter si pjesë e marrëveshjes për kalimin e Ibrahimovicit në Nou Camp. Nerazzurrët po ashtu përforcuan ekipin me transferimin e kapitenit të Brazilit, Lucio nga Bayern Munich si dhe mesfushorit Thiago Motta nga Genoa.

Kryeministri i Italisë dhe presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, nuk u iku kritikave, protestave të tifozëve për ngurrimin të shpenzojë paratë e fituara nga shitja e Kakas (65 milionë euro).

“Në të ardhmen do të blejmë vetëm futbollistë nën moshën 23 vjeç”, deklaroi ai, më tepër për hidhërimin e trajnerit të ri Leonardo, para transferimit të Klaas-Jan Huntelaar për 15 milionë euro.

Juventus theu trendin më tepër se cilido klub tjetër. Diego erdhi nga Werder Bremen për 24.5 milionë euro, kapiteni i Italisë, Fabio Cannavaro u rikthye në klub pas largimit më 2006, ndërsa mesfushori defansiv Felipe Melo u ble nga Fiorentina për 25 milionë euro.

Ndërsa së fundi klubi ka transferuar në formë huazimi mbrojtësin Martin Caceres nga Barcelona.

Klubi po ashtu ka vazhduar për dy vjet kontratën e kapitenit Alessandro del Piero. Edhe Roma mbajti ikonën Francesco Totti në kontratë të re pesëvjeçare.

Ndërsa Roma e shiti 25 vjeçarin Alberto Aquilani në Liverpool për rreth 20 milionë euro, edhe pse ishte pjesë e klubit nga fëmijëria.

Klubet si Fiorentina, Lazio dhe Roma duket se do të presin deri në fund të afatit kalimtar për të gjetur futbollistë në dispozicion.

Kjo politikë ka kuptim në gjendje të vështira financiare, por do të bëjë pak për të përmirësuar rezultatet e ekipeve italiane në Evropë, aq më tepër të kthejë shkëlqimin në ligë që dominoi në futbollin evropian në vitet e 90-ta. Bari, Livorno dhe Parma janë rikthyer në Serie A.

Serie A

E shtunë

Bologna Fiorentina 18:00
Siena Milan 20:45

E diel

Inter Bari 18:00
Catania Sampdoria 20:45
Genoa Roma 20:45
Juventus Chievo 20:45
Lazio Atalanta 20:45
Livorno Cagliari 20:45
Palermo Napoli 20:45
Udinese Parma 20:45

Në kampionatin gjerman dhe atë francez zhvillohen ndeshjet e javës së tretë.

Gjermani, Bundesliga, (java III):

Këln – Eintraht i Frankfurtit
Borusia Dortmund – Shtutgart
Fraiburg – Bajer Leverkusen
Mainc – Bajern Mynih
Nurenberg – Hanover

Francë, Liga 1 (java III):

Okser – Lion
Lë Mansh – Nensi
Monako – Lorient
Monpelië – Sosho
Sent Etien – Bulonjë
Valencien – Paris Sen Zhermen
Rene – Marsejë

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *