Home / Lajme / Maqedoni / Thaçi:PDSH shnderrohet ne levizje kombetare e shqiptareve ne Maqedoni

Thaçi:PDSH shnderrohet ne levizje kombetare e shqiptareve ne Maqedoni

PDSH-ja, me bojkotim të institucionit të Parlamentit krahas sinjalizimit të krizës që është pasojë e një politike megalomane, jorealiste, antidemokratike të VMRO DPMNE-së dhe të politikës inferiore, përbuzëse të BDI-së, që nëpërkëmb dinjitetin kombëtar të shqiptarëve, shfaq brengosjen e saj me rikthimin e ideve klerikale që e zvetënojnë karakterin sekular të shtetit dhe që i thellojnë antagonizmat fetarë në shtet, që ditët e fundit janë agravuar, pas iniciativës së qeverisë që të ndërtojë një katedrale ortodokse në sheshin e Shkupit, në vendin ku paraprakisht është rrëzuar një xhami. Njëkohesisht, PDSH-ja shfaq pakënaqësinë e saj edhe me politikën konfliktuale të kësaj Qeverie me fqinjët e saj që për pasojë ka largimin, apo vonimin e integrimit të shtetit në strukturat e NATO-s dhe UE-së.

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi deklaroi sot se pret që brenda disa ditëve kjo parti të bëhet lëvizje kombëtare e shqiptarëve të Maqedonisë.
“Sot të gjitha strukturat që u krijuan prej strukturës sonë që e quajtën veten me një emër të një partie politike, gati se janë deklaruar publikisht në media se largohen prej atje për shkak të zhgënjimit politk duke filluar prej Strugës, Gostivarit, Vrapçishtit, Bogovinës, Negotinës, Tetovës, Bërvenicës, Hasanbegut, Çairit etj”, ka theksuar kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, duke shtuar se me këtë nuk krijojnë kënaqësi që të tjerët shkatërrohen, por krijohet kënaqësi për shkak se politika e PDSH-së e drejtë dhe objektive dita-ditës i zmadhon rradhët e saj.

”Kjo më shtyn që t’ju apeloj të gjithë anëtarëve të Kuvendit Qendror që të kemi maturi në qasje dhe jo vetëm ata, por neve na duhen edhe njerëz të tjerë, të cilët na duhen të inkuadrohen në partinë tonë sepse siç e kemi thënë se kjo është partia momentalisht e vetme që mundohet me mish e me shpirt t’i mbrojë interesat e shqiptarëve dhe ka edhe platformën e qartë dhe kombëtare” deklaroi lideri i PDSH-së.

Kreu i kësaj partie tha se pret që brenda disa ditëve kjo parti të bëhet lëvizje kombëtare e shqiptarëve të Maqedonisë. Thaçi theksoi se i ka lutur që këtë klimë kuvendarët t`a transmetojnë edhe te të tjerët.” Nuk ka as çallëm, as sedër, por duhet të gjithë t’i përqafojmë që të kthehen në rradhët tona” ka deklaruar Thaçi.

Arsyet e PDSH-së për braktisjen e Parlamentit

Anëtarët e PDSH-së, në Kuvendit Qendror të kësaj partie kanë shpalosur arsyet se përse kanë marrë vendim për bojkotimin e Parlamentit të Maqedonisë.

Arsyetimi:

Në shtetet me përvojë dhe kulturë të ulët demokratike paraqitet dukuria e përvetësimit të institucioneve të shtetit nga ana e atyre që, në mënyrë të drejtë apo me manipulime kanë arritur të instalohen në pushtet.

Përvetësimi i shtetit, i institucioneve të tij bëhet në emër të interesave të larta etnike, religjioze, partiake të cilat shërbejnë si mbulesë për interesa triviale grupore apo personale. Këto malformacione të demokracisë emrin e vërtetë e kanë nacionalizëm, klerikalizëm, korrupsion, nepotizëm, por edhe kolonializëm.

Në këto shoqëri demokracia aq shumë modifikohet saqë i humb të gjitha atributet humane, etike dhe qytetëruese. Kur politika i humb këto vlera bazike përçudnohet deri në trajta kriminale.

Në shoqëritë shumë-etnike, shumë-fetare, shumë-gjuhësore këto abuzime me demokracinë, në funksion të përvetësimit të shtetit, të institucioneve dhe të begative të tij sendërtohen përmes inzhinjeringut elektoral që pastaj krijon variacione të tjera të kësaj teknike, atë etnik, fetar, partiak.

Inzhinjeringu elektoral përdoret që të suspendohet, fillimisht pluralizmi politik, pastaj pluralizmat e tjerë, pluralizmi etnik, fetar, gjuhësor etj. ose përtharja e tyre deri në trajta tragjiko-komike.

Në Republikën e Maqedonisë të gjitha këto malformacione të demokracisë shfaqen në vazhdimësi, saqë herë pas here shpërthejnë kriza të thella politike, sociale, ndër-etnike, ndër fetare etj. Këto kriza dëshmojnë se nuk ka përmirësime të gabimeve, por përsëritje të tyre në trajta të modifikuara që nxit bojkotimin e institucioneve të sistemit. Demonstratat, grevat, veprimi politik jashtinstitucional, dëshmojnë se institucionet e sistemit nuk janë në gjendje t’i zgjidhin problemet e grumbulluara, qoftë për shkak të premisave të gabuara politike, qoftë për shkak të paaftësisë, të papjekurisë politike, demokratike të bartësve të pushtetit, qoftë për shkak të interesave të tyre të jashtëligjshme.

Këto abuzime me pushtetin, veçmas në segmentin e marrëdhënieve ndëretnike, shfaqen prej fillimit të pavarësisë së Maqedonisë, pa marrë parasysh ideologjinë e partive politike maqedonase. Ndërmjet tyre ka dallim vetëm në teknologjinë e ushtrimit të pushtetit: blloku i majtë politik krijonte iluzionin se në proces këto çështje po zgjidhen, ndërkaq ai i djathtë impononte në mënyrë të vrazhdë tezën se zgjidhjen e tensioneve ndër-etnike duhet kërkuar në relacionin dominim-subdominim ose shumicë-pakicë që në fjalorin politik votimin e kupton gjithnjë mbivotim. Ky përcaktim shpjegon tendencën e VMRO-DPMNE-së që me çdo kusht ta ketë shumicën në parlament, përkatësisht kapacitetin e mbivotimit, që në shtetet shumë-etnike me automatizëm krijon konflikte, që shfaqen në mënyrë të haptë ose në trajtë të jolojalitetetit të një bashkësie etnike ndaj shtetit.

Përjashtimi nga ky rreth vicioz ka ndodhur vetëm gjatë periudhave të shkurtra të bashkëqeverisjes së PDSH-së me VMRO-në gjatë viteve 1998-2000 dhe 2006- 2008. Çuditërisht, këto koalicione kanë zgjatur shkurtë, qoftë për shkak të intervenimit jashtëinstitucional, siç ishte konflikti i vitit 2001, qoftë institucional, siç ishte shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në v.2008. Në të dyja këto raste qëllimi ishte i njëjtë: largimi i PDSH-së nga pushteti, përkatësisht eliminimi i mundësisë që një parti politike të demonstrojë kapacitetin e vet të plotë qeverisës.

Në të gjitha këto raste, në qeverisje, në opozitë, në situata të krizës apo të qetësisë, PDSH-ja ka vepruar në përputhje me rregullat demokratike. Sa herë që ka konstatuar se institucionet e sistemit në fakt prodhojnë pabarazinë, krizën, se brenda tyre nuk mund të zgjidhen problemet e kësaj natyre, PDSJ-ja në mënyrë qytetëruese ka alarmuar opinionin për proceset që janë manipulime të radhës. Politika e saj në këtë rrafsh ka qenë në funksion të vetëdijesimit të opinionit shqiptar, maqedonas dhe ndërkombëtar për devijimet që i imponon faktori politik maqedonas përmes keqpërdorimit të demokracisë, të kuptuar vetëm si procedurë mbivotimi. PDSH-ja ka qenë, është dhe mbetet besnike ndaj vlerave demokratike.

Të gjitha paralajmërimet e PDSH-së, sidomos ato që kanë marrë trajtën e bojkotimit të institucioneve të sistemit kanë qenë të sakta dhe të gjitha refuzimet që të kuptohen drejtë këto sinjale kanë përfunduar me krizë.

Pas zgjedhjeve të vitit 2008, pas koalicionit mbi baza të interesave të ngushta jopolitike ndërmjet një partie politike të djathtë maqedonase, VMRO DPMNE-së, dhe të majtë shqiptare, BDI-së, i gjithë procesi i konsolidimit të paqes u ndërpre në mënyrë arrogante jo vetëm për shkak të interesave politike, por edhe atyre psikologjike që nxjerr në shesh botëkuptimin e politikës si relacion i dominimit dhe i nënshtrimit. VMRO DPMNE-ja si dhe lideri i kësaj partie siç duket çdo gjë e vënë në funksion që ky relacion të spikatet sa më shumë, vetëm e vetëm për ta realizuar iluzionin e të qenit popull i veçantë, me vlera të lashta kulturore dhe qytetëruese.

Politika aktuale e VMRO DPMNE-së dhe e udhëheqësit të kësaj partie është në funksion të paraqitjes së Maqedonisë dhe popullit maqedonas si trashëgues së vlerave më sublime të periudhës së lavdishme antike maqedonase dhe mesjetare. Kjo vlerë është primare dhe çdo interes tjetër shtetëror, demokratik, kombëtar dhe qytetërues, siç është integrimi në NATO, në UE, krijimi i shtetit multietnik funksional, implementimi i marrëveshjeve paraprake politike siç është Marrëveshja e Ohrit apo të konventave ndërkombëtare të ratifikuara, trajtohen si vlera me rëndësi dytësore. Kjo politikë është konfliktuale ngaqë vjen ndesh interesave reale të popullit shqiptar dhe të interesave të tjera gjeostrategjike që kanë të bëjnë me stabilitetin e rajonit.

Tashmë është bërë e qartë se të gjitha institucionet e sistemit, ai i pushtetit ekzekutivit, ligjvënës dhe gjyqësor janë vënë në funksion të kësaj politike partiake që imponohet në mënyrë të vrazhdë. Njëkohësisht, tashmë nuk mund të mohohet se në institucionet e sistemit kjo politikë, sa e gabuar po aq e rrezikshme nuk mund të ndryshojë, prandaj zgjidhjen duhet kërkuar në institucionin po aq demokratik siç është bojkoti i pjesëmarrjes në një manipulim që prodhon krizën. Në këto rrethana, kjo është e vetmja mënyrë që të paralajmërohet rreziku nga mundësia e thellimit të krizës.

Duke i marrë parasysh të gjitha këto argumente, organet kompetente të PDSH-së, Kryesia, Kuvendi Qendror morën vendim që të bojkotojnë veprimin në kuadër të parlamentit ngaqë:

· Vetë ky institucion prodhon krizën duke votuar ligje që vijnë në kundërshtim me marrëveshjet e obligueshme politike;

· Në këtë Parlament nxirren ligje që në mënyrë drastike i modifikojnë formulimet që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, rrjedhimisht nga Kushtetuta e R.Maqedonisë siç janë: përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, decentralizimi, përfaqësimi adekuat, përdorimi i simboleve kombëtare etj;

· Nxirren ligjet që pastaj nuk respektohen, siç është Ligji për amnisti që përforcon konstatimin e kotësisë së veprimit në këtë institucion;

· Nuk nxirren ligje të tjera që kanë të bëjnë me pakon e risocializimit të ish-pjesëtarëve në konfliktin e vitit 2001;

· Interpretimi dhe zbatimi selektiv i ligjeve në varësi nga interesat e partive qeveritare. Bie fjala, asnjëri nga ata anëtarë të BDI-së që gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare ishin iniciatorë të incidenteve me pasoja tragjike nuk janë marrë në përgjegjësi, ndërkaq shumë anëtarë të PDSH-së ndiqen vazhdimisht;

· Institucionet arsimore apo kulturore të themeluara apo të sanuara në periudhën e PDSH-së, siç ishte Instituti i Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore të Shqiptarëve, apo USHT-ja, sot nuk funksionojnë për shkak të masave të dhunshme që vijnë ndesh me ligjet dhe aktet tjera nënligjore;

· Çdo iniciativë e opozitës bojkotohet nga Parlamenti;

· Në këtë Parlament, si kurrë më parë është instaluar autoritarizmi i liderit të partisë kryesore qeveritare që suspendon çdo iniciativë, që mohon integritetin moral, politik dhe intelektual të përfaqësuesve të popullit;

· Në këtë Parlament në mënyrë sistematike nëpërkëmbet vullneti politik i shqiptarëve, që krijon opinionin e kotësisë së pjesëmarrjes në zgjedhje demokratike;

· Në këtë Parlament nxirren ligje me karakter segregues, siç ishte ai për stimulim të natalitetit të maqedonasve.

PDSH-ja, me bojkotim të institucionit të Parlamentit krahas sinjalizimit të krizës që është pasojë e një politike megalomane, jorealiste, antidemokratike të VMRO DPMNE-së dhe të politikës inferiore, përbuzëse të BDI-së, që nëpërkëmb dinjitetin kombëtar të shqiptarëve, shfaq brengosjen e saj me rikthimin e ideve klerikale që e zvetënojnë karakterin sekular të shtetit dhe që i thellojnë antagonizmat fetarë në shtet, që ditët e fundit janë agravuar, pas iniciativës së qeverisë që të ndërtojë një katedrale ortodokse në sheshin e Shkupit, në vendin ku paraprakisht është rrëzuar një xhami. Njëkohesisht, PDSH-ja shfaq pakënaqësinë e saj edhe me politikën konfliktuale të kësaj Qeverie me fqinjët e saj që për pasojë ka largimin, apo vonimin e integrimit të shtetit në strukturat e NATO-s dhe UE-së

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *