Home / Sport / Europa pret sot biletat e fundit për në Afrikë

Europa pret sot biletat e fundit për në Afrikë

Danimarka, Zvicra, Sllovakia, Gjermania, Spanja, Anglia, Serbia dhe Italia mund të kualifikohen nëse fitojnë ndeshjet e tyre sot në mbrëmje. Rrezikon Franca, Portugalia, Suedia dhe Greqia.

Gjithçka enigmë në grupin e parë. Janë plot katër ekipe (Danimarka, Hungaria, Suedia dhe Portugalia) që pretendojnë kualifikimin për në Afrikën e Jugut. Në rast të një fitore në “Qemal Stafa”, Danimarka do të kualifikohej direkt, duke bërë që tre skuadrat e tjera të luftojnë mes tyre për një vend në play off.

Zvicra, Greqia dhe Letonia janë përfaqësueset që rivalizojnë për një vend në Afrikë dhe nëse fiton sot në Letoni, Zvicra e Otmar Hicfeld do ta prekë e para ëndrrën afrikane.

Në grupin 3, Sllovakia kryesuese do të ketë përballjen vendimtare në Belfast ndaj Irlandës së Veriut që mban vendin e dytë. Një fitore do t’i kualifikonte sllovakët drejtpërdrejt.

Gjermania do të presë në shtëpi Azerbajxhanin e trajnerit Berti Vogst, në një ndeshje që do të përcaktojë shumë në grupin 4. Një fitore do t’i qetësojë gjermanët, pasi ndeshjen e radhës do ta luajnë në transgertë kundër Rusisë, që gjithashtu pretendon kualifikimin.

Asnjë histori në grupin 5. Spanja ka vendosur diktatin e saj dhe një fitore në fushën e vet ndaj Estonisë modeste do t’i çonte kampionët e Europës direkt në Afrikën e Jugut, duke bërë që Bosnjë Hercegovina dhe Turqia të ndajnë mes tyre një vend në play off.

Anglia ka shansin më të mirë për t’u hakmarrë për atë eliminim që Kroacia i bëri para dy vitesh në eliminatoret e Kampionatit Europian. Të besuarit e Kapelos do të presin sot në “Uembli” Kroacinë, në një ndeshje që do të zgjidhë shumë enigma në grupin 6.

Franca e Domenek do të luajë në Serbi ndeshjen e jetës, duke shpresuar në një kualifikim të drejtpërdrejtë, duke pasur parasysh se dy ndeshjet e fundit francezët i luajnë në shtëpi ndaj Ishujve Faroe dhe Austrisë.
Nga ana e tyre, ballkanasit do të mbyllnin gjithçka në grupin 7, me një fitore ndaj “Gjelave”.

Në grupin 8, Italia do të shkonte me avantazhin e katër pikëve në transfertën e Irlandës së vendit të dytë në ndeshjen e parafundit, duke hedhur një hap të sigurt drejt Afrikës. Kjo mund të ndodhë nëse të besuarit e Lipit fitojnë sot kundër Bullgarisë në Torino.

Nuk ka histori në grupin e fundit, ku Hollanda e ka siguruar me kohë kualifikimin. Por ndeshjet e fundit në këtë grup mund të jenë përcaktuese për skuadrën që do të shkojë në play off. Skocia, Norvegjia dhe Maqedonia luftojnë për vendin e dytë. Skocezët do të udhëtojnë drejt Amsterdamit dhe një rast të një fitoreje ndaj Hollandës, do t’i kalojë ata në fazën e play off-it. Në ndeshjen tjetër, Norvegjia pret Maqedoninë.

Ja ndeshjet që do luhen sot:

Grupi 1
Shqipëri – Danimarkë
Maltë – Suedi
Hungari – Portugali

Grupi 2
Izrael – Luksemburg
Letoni – Zvicër
Moldavi – Greqi

Grupi 3
Republika Çeke – San Marino
Irlandë e Veriut – Sllovaki
Slloveni – Poloni

Grupi 4
Lihtenshtejn – Finlandë
Gjermani – Azerbajxhan
Uells – Rusi

Grupi 5
Armeni – Belgjikë
Bosnjë Hercegovinë – Turqi
Spanjë – Estoni

Grupi 6
Bjellorusi – Ukrainë
Angli – Kroaci
Andorra – Kazakistan

Grupi 7
Ishujt Faroe – Lituani
Rumani – Austri
Serbi – Francë

Grupi 8
Itali – Bullgari
Mali i Zi – Qipro

Grupi 9
Norvegji – Maqedoni
Skoci – Hollandë

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *