Home / Sport / Lorik Cana: Dua që shqiptarët të ndihen krenarë për mua

Lorik Cana: Dua që shqiptarët të ndihen krenarë për mua

Mesfushori kuqezi shprehet se kujtimi i luftës së Kosovës është një motiv më tepër që ai të japë më të mirën në fushën e lojës.

“Ajo që ka ndodhur me shqiptarët në Kosovë më jep më shumë energji në këtë fushë. Dua të jap më të mirën time, kudo që luaj, për ta bërë familjen dhe popullin tim të ndihen krenarë për mua. Kjo është gjëja më e rëndësishme, është qëllimi im,”– thotë Cana për “Nju Kosova Report”.

Tashmë 26-vjeçari ka arritur të marrë shiritin e kapitenit te Sandërlendi, por jeta nuk ka qenë gjithmonë e lehtë për këtë futbollist. Ai ka folur për vështirësitë që i janë dashur të kalojë, për sakrificat e shumta, me qëllim që të arrijë të luajë në Premier Ligë.

Cana dhe familja e tij ikën nga Kosova si pasojë e luftës që shkatërroi çdo gjë. Ata u vendosën në Zvicër, ku kishte mundësi për të përfaqësuar edhe kombëtaren zvicerane, por në vend të kësaj zgjodhi të luante për Shqipërinë, menjëherë pasi kaloi te Paris SG dhe Marseja.

“Isha shtatë vjeç kur u largova bashkë me familjen nga Kosova. Gjëja më e keqe ishte se për tetë vjet nuk kam pasur mundësi të kthehem në vendlindje. Ne ishim refugjatë në Zvicër. Kur ke këtë status, jeta është shumë e vështirë. Kam qëndruar në Zvicër tetë apo nëntë vjet, pa pasur mundësinë të shoh e takoj pjesën tjetër të familjes sime dhe miqtë në Kosovë”,- shton Cana.

Megjithatë, kapiteni i ri i Sandërlendit nuk do t’i harrojnë “rrënjët” e tij. “Një luftë është diçka e tmerrshme për njerëzit, për një vend, për çdo gjë. Falë Zotit nuk kam humbur shumë njerëz nga familja ime, por miqtë e mi po. Ata humbën shtëpitë, kanë humbur çdo gjë. Kjo ishte një kohë e vështirë. Çdo gjë që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë më jep fuqi dhe energji për të dhënë më të mirën time, kudo që shkoj. Unë e di se të gjithë në vendin tim, familja ime dhe miqtë e mi, janë krenarë për mua,”– nënvizon më tej Loriku.

Përveçse luan për kombin e tij, si futbollist, ai e bën këtë edhe për të kontribuar me të holla për nevojtarët në Kosovë. Në mendjen e Canës ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë populli i tij. Këto mundime e kanë bërë atë më të fortë. Babai i tij, Agim Cana, ka qenë gjithashtu futbollist, pjesë e brezit të artë të futbollit kosovar.
Lorik Canës i është refuzuar hyrja në Britaninë e Madhe 10 vjet më parë, kur iu ofrua një mundësi prove nga Arsenali. Pastaj ai vendosi të emigrojë në Francë, ku arriti të nënshkruajë me ekipin e Paris SG. Më vonë u transferua te Olimpiku i Marsejës, ku u mbiquajt ‘Le Destructeur’.

Zemra e tij nuk bën dallime të llojit “Shqipëria apo Kosova”. Ai luan për ekipin kombëtar shqiptar të futbollit dhe konsiderohet si yll i kësaj skuadre në Shqipëri. “Kisha mundësi të prisja dhe të luaja edhe për Francën. Por për mua kjo nuk shkonte. I kisha vënë një detyrë vetes, për të luajtur e përfaqësuar Shqipërinë, ngjyrat e kombit tim. Ne jemi një vend i vogël, por ama jam krenar që për Shqipërinë”, – theksoi Loriku.

“Ai është një luftëtar i madh. Përpara transferimit të tij në Angli kam thënë se do të bëhet një hero. Ai ka filluar tashmë të lërë gjurmë,” – thotë trajneri i Sandërlendit, Stiv Brus.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *