Home / Sport / Në radhë Europa League

Në radhë Europa League

Pas Ligës së Kampionëve në radhë është Europa League, ish Kupa UEFA. 32 ekipe të këtij kompeticioni, të ndara në 8 grupe me nga 4 skuadra, do t’i masin forcat në mes vete të enjten. Panathinaikos–Galatasaray (Grupi F) dhe Lille–Valencia (Grupi C) konsiderohen ballafaqimet më interesante të xhiros së parë.

Pas ndeshjeve të Ligës së Kampionëve, e enjtja është e rezervuar për trofeun e Europa League, ish Kupa UEFA. Për dallim nga vitet e kaluara, ky kompeticion këtë vit ka pësuar disa ndryshime, pasi do të ketë format tjetër.

Nga ky sezon, faza e grupeve do të jetë e njëjtë me atë të Ligës së Kampionëve. 32 skuadra janë të ndara në 8 grupe, nga A deri në H, të cilat përbëhen nga 4 ekipe. Fillojmë nga Grupi A. Gjiganti holandez Ajax pret fitore të sigurt ndaj ekipit jo dhe aq të njohur, Timisoara. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi pritet përballje interesante në Zagreb ndërmjet Dinamos dhe Anderlechtit.

Në Grupin B, me kërshëri pritet përballja ndërmjet skuadrës franceze Lille dhe Valencias, e cila këtë vit duhet të kënaqet me pjesëmarrje në këtë kompeticion. Spanjollët janë favoritë në letër në këtë ndeshje. Celtic llogarit në fitore në udhëtimin e vet në Tel Aviv, ku e pret Hapoel. Kurse njëjtë synon edhe Hamburg, në ndeshjen që do ta zhvillojë në Vjenë kundër Rapidit të sulmuesit shqiptar Hamdi Salihi, në kuadër të Grupit C.

Hertha pret fitore ndaj ekipit anonim Ventspils, kurse ndeshja tjetër e Grupit D, Heerenveen – Sporting Lisbonë është e baraspeshuar. Roma në Grupin E udhëton në Basel, ku e pret ekipi i treshes shqiptare Orhan Mustafi, Beg Ferati dhe Gjerdan Shaqiri. Klubi italian kërkon të këndellet me trajnerin e ri Claudio Ranieri, andaj Totti me shokët e tij kërkojnë të kthehen në shtëpi me 3 pikë. Ndeshje më interesante në këtë grup do të jetë ajo ndërmjet CSKA Sofias e Fulhamit.

Njëra prej ndeshjeve më të forta dhe më të rëndësishme e xhiros së parë do të jetë ajo në mes të Panathinaikos e Galatasarayt në Grupin F. Grekët do të mbështeten në tifozët e tyre të zjarrtë, por do të kenë punë me një kundërshtar mjaft të fortë. Janë pikërisht këto dy ekipe që synojnë të dalin nga faza e grupeve, por një gjë të tillë do ta kërkojnë edhe Sturm Graz e Dinamo Bukuresht, që do t’i masin forcat të enjten në Austri.

Lazio dhe Valencia presin trepikëshin e parë në Grupin G, në përballjet që do t’i kenë në shtëpi me Salzburg, përkatësisht Levski Sofia. Vetëm ndonjë befasi do të bënte që klubi austriak apo ai bullgar, të nxirrnin ndonjë pikë në këto udhëtime shumë të vështira në Itali e Spanjë.

Dhe, në Grupin e fundit, atë H, zgjon interes loja në mes të klubit turk Fenerbahçe dhe atij holandez Twente, ku luajnë dy kosovarët Përparim Hetemaj e Flamur Kastrati. Turqit kanë përkrahjen e tifozëve të flaktë, kështu që janë më afër fitores. Ndërsa fitoren e parë e synon edhe Steaua, e cila në Bukuresht e pret klubin nga Moldavia, FC Sheriff, i cili është ekipi i parë në histori që e përfaqëson këtë vend.

Europa League
E enjte

Grupi A ORA
Ajax – Timisoara 19:00
Dinamo Zagreb – Anderlecht 19:00

Grupi B
Genoa – Slavia Prague 19:00
Lille – Valencia 19:00

Grupi C
Hapoel Tel Aviv – Celtic 19:00
Rapid Vienna – Hamburg 19:00

Grupi D
Hertha – Ventspils 19:00
Heerenveen – Sporting Lis. 19:00

Grupi E
Basel – Roma 19:00
CSKA Sofia – Fulham 19:00

Grupi F
Panathinaikos – Galatasaray 19:00
Sturm Graz – Dinamo Buc. 19:00

Grupi G
Lazio – Salzburg 21:05
Villarreal – Levski Sofia 21:05

Grupi H
Fenerbahçe – Twente 21:05
Steaua Bucurest – Sheriff 21:05

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *