Home / Sport / Sonte luajnë katër grupet tjera – Përballja e gjigantëve

Sonte luajnë katër grupet tjera – Përballja e gjigantëve

Takimi ndërmjet Bayern Munchen dhe Juventus do të jetë kryendeshja e xhiros së dytë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve. Bavarezët dëshirojnë ta vazhdojnë serinë pozitive në shtëpi, derisa italianët kërkojnë ta përtërijnë serinë e mirë ndaj kundërshtarit. Real Madrid e Milan kanë mundësi t’i konsolidojnë dy pozitat e para në rast se i mposhtin në shtëpi kundërshtarët Marseille, respektivisht Zurich.

Xhiroja e dytë e fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve vazhdon me grupet A,B,C e D. Takimi në mes të Bayern Munich e Juventus pa dyshim konsiderohet kryesori i këtij rrethi. Bayern e nisi mirë këtë kompeticion sivjet, duke e mposhtur Maccabi Haifan me 3:0, derisa klubi italian nuk arriti më shumë se një barazim ndaj Bordeaux në shtëpi. Hera e fundit që Bayern kishte humbur në shtëpi në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve daton qysh pesë vjet më parë me kundërshtar pikërisht Juventusin.

Gjermanët dëshirojnë ta vazhdojnë serinë e mirë pa humbje në shtëpi, në fazën e grupeve. “Kur isha trajner i Ajax, ne e humbëm finalen e Ligës së Kampionëve me penallti nga Juventus, i cili është njëri prej ekipeve më të mira në Evropë. Ata janë në formë, përkundër barazimit të së dielës. Ne jemi përgatitur për këtë lojë si për të gjitha të tjerat”, theksoi trajneri i Bayernit, Louis van Gaal.

Juventus i ka fituar katër nga pesë ndeshjet e fundit me Bayern Munchen. Andaj klubi italian dëshiron ta vazhdojë traditën pozitive.
“E dimë se me Bayernin do të jetë vështirë, por i kemi të gjitha mundësitë për ta zhvilluar një ndeshje të madhe. Jemi të koncentruar. Gjermanët kanë futbollistë të rëndësishëm, e kanë edhe përkrahjen e tifozëve, por me siguri e kanë parë se çka ndodhi vitin e kaluar me Real Madrid. Do të jetë një ndeshje e bukur. Ne nuk mendojmë për barazim, shkojmë në fushë me mentalitet fituesi”, theksoi sulmuesi më në formë për momentin i “Zonjës së Vjetër”, Vincenzo Iaquinta.

Falë pikës së fituar në Torino, Bordeaux ia ka dhuruar vetes një rast të mirë për t’u kualifikuar nga ky grup. Klubi francez pret fitore në përballje me Maccabin për të shpresuar në një barazim në Munich, i cili do t’ia siguronte kryesimin momental në tabelë.

Manchester United duket se nuk e ka problem të luajë edhe pa Cristiano Ronaldon, që shkoi te Real Madrid. Tash kryesuesi i Premierligës synon ta mposhtë edhe Wolfsburgun, pas triumfit në Stamboll. Manchester nuk është mposhtur në Old Trafford që 28 ndeshje. Në përballjen tjetër, CSKA Moska do të ketë punë me kampionin turk Besiktas.

Në Grupin C, Real Madrid e Milan i fituan ndeshjet e para, ndërsa kanë mundësi t’i konsolidojnë dy pozitat e para në rast se i mposhtin në shtëpi kundërshtarët Marseille, respektivisht Zurich, ku aktivizohen Adrian Nikçi e Admir Mehmedi.

Pas humbjes shokuese 3:1 nga Wigan Athletic të shtunën, Chelsea do ta kërkojë fitoren e këndelljes në Qipro, ku e pret APOEL Nicosia e Altin Haxhit në kuadër të Grupit D. Porto e mirëpret Atletico Madridin në krizë, të cilin sigurisht se do të mundohet ta mposhtë, për ta mbajtur gjallë shpresën për t’u kualifikuar në të tetën e finales.

Liga e Kampionëve

Grupi A
Bayern Munich – Juventus 20:45
Bordeaux – Maccabi Haifa 20:45

Grupi B
CSKA Moscow – Besiktas 18:30
Manchester U. – Wolfsburg 20:45

Grupi C
AC Milan – Zurich 20:45
Real Madrid – Marseille 20:45

Grupi D
APOEL Nicosia – Chelsea 20:45
FC Porto – Atletico Madrid 20:45

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *