Home / Sport / Adriano “magjeps” Marakanën, dy gola për Dungën

Adriano “magjeps” Marakanën, dy gola për Dungën

Ish-sulmuesi i Interit realizoi një dygolësh para 83 mijë spektatorëve në “Marakana”, duke i dhënë fitoren Flamengos në “klasiken” ndaj Fluminenses.

Koret dhe duartrokitjet e mitikut “Marakana”, edhe një herë tjetër ishin për “Perandorin”, që para 83 mijë të pranishmëve (rekordi i sezonit në kampionatin brazilian), ka lënë “firmën” e tij në superklasiken midis Flamengos dhe Fluminenses, me një dopietë në fillim të pjesës së dytë.

“Vendimtar dhe i jashtëzakonshëm”. Me këto fjalë e ka përkufizuar trajneri kuqezi Andrade Adrianon në fund të ndeshjes. Përveç golave, që e ndihmuan Flamengon të fitojë 2-0 ndaj rivalëve historikë të Fluminenses, braziliani zhvilloi edhe një lojë fantastike, duke dhuruar edhe asist, që e bënë paraqitjen e tij në këtë ndeshje akoma më të bukur.

Në pjesën e parë “Perandori” ishte disi në hije, për shkak se u shërbye pak dhe u mbulua mirë nga mbrojtësit kundërshtarë. Por me fillimin e 45-minutëshit të dytë, ish-sulmuesi interist filloi shfaqjen e tij.
Në fillim detyron portierin mik, Rafael, të bëjë një pritje shpëtimtare pas një gjuajtje të fortë me të djathtën në kufijtë e 11 metrave dhe në minutën e 51-të prish barazpeshën e takimit me një të majtë rrafsh me tokën, duke i rezistuar presionit të dy mbrojtësve të Fluminenses.

Adriano dyfishoi 12 minuta më pas, kur u gjend përballë portierit kundërshtar pas një pasimi të gjatë nga njëri prej mesfushorëve. Me avantazhin e dyfishtë, ai i dhuron një asist Ze Robertos, që kishte mundësi të thellonte diferencën e golave dhe më pas iu afrua tripletës personale me një gjuajtje nga jashtë zone, që përfundoi ngjitur me portën.

“Dua vetëm të tregoj një futboll të bukur për të fituar një vend në Kombëtare, asgjë tjetër”. Kështu, Adriano përsërit edhe një herë objektivin e tij.

“Perandori” qëndron në krye të listës së golashënuesve në kampionatin brazilian me 15 gola dhe është grumbulluar nga trajneri i Brazilit, Dunga, për dy ndeshjet e fundit eliminatore të Kampionatit Botëror kundër Bolivisë dhe Venezuelës.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *