Home / Sport / Argjentinë-Uruguaj, deri në minutën e fundit…

Argjentinë-Uruguaj, deri në minutën e fundit…

Martin Palermo dhe Diego Forlan shënuan në minutat e fundit përkatësisht ndaj Perusë dhe Ekuadorit. Të enjten, përballja direkte…

Diego Forlan dhe Martin Palermo shënuan dy gola në minutat e fundit të lojës, teksa Argjentina, Uruguaji dhe Ekuadori ndërruan vendet në renditje në ndeshjet dramatike të së shtunës për eliminatoret e Kupës së Botës për zonën e Amerikës së Jugut.

Argjentina e Maradonës mundi Perunë 2-1 në ndeshjen që u luajt në një shi të rrëmbyeshëm dhe të mërkurën shkon në Montevideo për të mbrojtur kualifikimin e drejtpërdrejtë në finalet e Botërorit kundër Uruguajit, që ndërroi vend me Ekuadorin.

Ekuadori ishte në vend të katërt, por humbja 2-1 kundër Uruguajit e dërgoi në vendin e gjashtë. Ndeshja tjetër e Ekuadorit është kundër Kilit, që me fitoren 4-2 kundër Kolumbisë e ka siguruar vendin në finale. Brazili është kualifikuar dy raunde para përfundimit të eliminatoreve, ashtu si edhe Paraguaji, që mundi 2-1 Venezuelën.

Maradona e quajti golin e sulmuesit veteran Martin Palermo një mrekulli, pasi ai shënoi në minutën e dytë shtesë të ndeshjes, duke i dhënë fitoren Argjentinës. “Mendova se i lamë duart me botërorin, por në atë moment e kisha harruar fare Palermon”, u shpreh Maradona pas ndeshjes, duke përshkruar dëshpërimin e tij në minutat e fundit të ndeshjes, mes golit të barazimit të shënuar nga Hernan Rengifo për Perunë dhe golit të fitores së Palermos.

Ndërkohë, Forlani realizoi një penallti në sekondat e fundit të ndeshjes, duke i dhënë fitoren Uruguajit, ndërsa trajneri Oskar Uashington Tabarez u ka thënë të tijve se kualifikimi ende nuk është siguruar.
“Ne duhet t’i marrim gjërat me qetësi dhe të mendojmë për Argjentinën. Varemi nga kjo fitore të mërkurën”, ka thënë Tabarez. Uruguaji duhet të fitojë që të zërë vendin e Argjentinës dhe të kualifikohet për finalet e para që prej vitit 2002. Nëse fiton, e çon Argjentinën në playoof, kundër skuadrës që zë vendin e katërt në zonën CONCACAF. Megjithatë, Ekuadori ende nuk ëshë jashtë loje.

Argjentina (25 pikë) mund të eliminohet përfundimisht nëse Uruguaji (24 pikë) dhe Ekuadori (23) fitojnë të mërkurën. Golat e shënuar nga Salvador Kabanas dhe Oskar Kardozo për Paraguajin e fundosën Venezuelën dhe i shuan shpresat e saj për të shkuar në finalet e një botërori për herë të parë.

Ata nuk janë jashtë loje matematikisht, por kanë shanse shumë të vogla. “Duhet ta pranojmë se Paraguaji është ndër skuadrat më të mira në eliminatore”, ka thënë trajneri i Venezuelës, Sezar Farias.

Kilenët kanë festuar arritjen e finaleve të botërorit për herë të parë që prej vitit 1998 , nën drejtimin e trajnerit Marçelo Bielsa. Bielsa, që ishte trajneri Argjentinës në vitin 2002, tregoi aftësitë e tij kur bëri një ndërrim të goditur në pjesën e dytë kundër Kolumbisë në Medelin.

Kili ishte në disavantazh, por Bielsa futi në lojë Horge Valdivian për organizatorin Matias Fernandez dhe Kili e përmbysi rezultatin 2-1 për katër minuta, duke eliminuar Kolumbinë.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *